Editorial

Derby i të Majtës dhe ndryshimet që pritet të sjellë

Shkruar nga Liberale
Derby i të Majtës dhe ndryshimet që pritet të sjellë

Shpendi Gashi

Dita ditës diçka e re u paraqitet shqiptarëve, por ndryshe nga një ofertë konkrete ashtu sikundër duhet të ishte, publiku bombardohet me vazhdueshmërinë e tentativave për deformimin e vullnetit të tyre. Faktikisht asgjë të re nuk ka në këtë aspekt, por vetë mungesa e risisë konsiston si problematika kryesore, pasi kjo fushatë elektorale është etiketuar si e veçantë në llojin e vetë edhe për shkak të rëndësisë që mbart në lidhje me afrimin e vendit krahas aleatëve strategjikë. Është cilësuar gjithashtu si një hap i cili pritet të bëjë skizmën nga politika e cilësuar si e vjetër. Deri më tash klasa politike duket sikur ka dështuar përpara ndërkombëtarëve, kjo shihet edhe nëpërmjet prezencës së shtuar të grupeve të monitorimit nga këta të fundit. Një lëvizje kjo e cila në thelb tregon kredibilitetin e ulët të agjensive të huaja ndaj politikës shqiptare, specifikisht ndaj liderave të tyre.

Përpos gjithë skandaleve të njëpasnjëshme të cilat konsistojnë në blerjen e votës, përplasjeve mes militantëve apo dhe ndonjë gjakderdhje aty këtu, si për të shenjuar kurbanin në prag të zgjedhjeve, shihet se kampet kryesore procedurat e vendosjes përpara përgjegjësisë ligjore të ideatorëve së këtyre krimeve i kanë transferuar të gjitha pas 25 Prillit. Kur dëgjon retorikën politike, përnjëmend krijohet ai iluzioni se aty mbaron gjithë shëmtirësia bashkëshoqëruese e pseudopolitikës shqiptare.

Në këtë fazë të fushatës, thuajse vetëm dy ditë përpara zgjedhjeve është shumë vonë për të reflektuar. Reflektimi duhet të kish ardhur qysh prej fillimit të fushatës ku duhet t’i shërbente në mënyrë unanime dhe rigoroze shpërndarjes së vlerave qytetare, respektimit të bindjeve të krahut tjetër si dhe të kishte frymë të theksuar konstruktivizmi. Mungesa e gjithë këtij diskuri, tanimë justifikohet rëndom edhe nga simpatizantë të kaheve të ndryshme duke përdorur klishenë e famshme se Shqipëria nuk është Amerika. Ndoshta ky arsyetim jo dhe aq logjik, vjen edhe si pasojë e presionit sistematik të klasës politike dhe lidhjes jetike të militantit me partinë, porse ekziston si mundësi edhe prej njohurive të cekëta historike. Mjafton të merret shembull Perandoria Romake, e cila për hir të së vërtetës nuk është se u krijua brenda ditës, por si pasojë e të vendosurit në plan të parë të vetë lavdisë së Romës nga të gjitha palët qofshin këto edhe në antagonizëm mes syresh.

Se qëndrimi i Edi Ramës është diametralisht i kundërt nga ai i Ilir Metës nuk është se ka nevojë për t’u diskutuar sepse është shumë evident, por dinamikat gjithashtu kanë treguar një fenomen tjetër, atë të përthithjes së elektoratit të majtë nën siglën e partisë më të madhe të majtë, Partisë Socialiste. Kjo sjell si pasojë shkërmoqjen e LSI-së, ose së paku ky është qëllimi i Rilindjes dhe në mënyrën më absolute i hap rrugën zhvillimit të një ‘’Derby’’ brenda të majtës.

Si Kryeministri por edhe Presidenti e dinë mjaft mirë këtë fakt dhe të gjithë linjën e veprimtarisë së politike e kanë ngritur mbi joshjen e të majtëve.

Në radhë të parë, mjafton të kujtojmë tkurrjen e madhe të LSI-së filluar kohë përpara fillimit të fushatës. Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, disa prej strukturave më të forta të Lëvizjes Socialiste për Integrim, sikundër dega e njësisë 2 dhe 11, kaluan në anën tjetër duke iu bashkuar PS-së. Efekti Domino solli edhe shkëputjen e disa njësive të tjera. Të njëjtën rrugë ndoqën edhe disa figura të larta, të cilët në kohën kur LSI gëzonte pushtetin mbanin madje edhe postin e Ministrit. Ky fluks largimesh nuk shpëtoi pa u përpunuar nga Rama, i cili artikuloi tezën e strehimit nën ombrellën e madhe socialiste. Normalisht nuk kish si të mungonte diskuri diskretitues adresuar LSI-së duke e quajtur si një organizatë pazaresh pa asnjë parim e që në thelb të krijimit të saj ka sherrin për plaçkë.

Krahas diskurit të përdorur Edi Rama u jep direktiva të vetëve që të nisin një ‘’gjueti’’ në kërkim të militantëve të pakënaqur të LSI-së, ku më pas t’i ftojnë të bëhen pjesë e socialistëve duke luajtur kësisoj edhe me sentimentet e tyre se që prej fillimit kanë qenë socialistë. Jo më kot, kjo u vërejt edhe me rikthimin e logos historike të PS-së, si për të kërkuar votën e të gjithë të majtëve.

Gjatë një intervistimi nga gazetari Sokol Balla, kreu socialist, e pati edhe njëherë mundësinë për t’u bërë një thirrje publike të majtëve, ku e cilësoi sjelljen e Presidentit si nxitëse për një konflikt civil. Në fjalët e tij u pa një lloj tolerance dhe qetësie ndaj Bashës duke e cilësuar si të përmbajtur dhe konform rregullave të një gare, ndërsa për Metën përdori metaforën ‘’katastrofë ambulante’’. Sipas tij gara do ishte më e qetë pa Metën, duke ngritur hijet e një sistemi të ardhshëm bipartiak, ku të gjithë të majtët do jenë të prezantuar vetëm nga një parti e duke shpërhapur ankthin e një koalicioni të madh paszgjedhor.

Së dyti, retorika e Presidentit Meta vazhdon të jetë tejet agresive. Vetë ai ka ndërhyrë shumë në këto zgjedhje, sepse e ka vërejtur fare mirë sesi po copëtohet pak nga pak partia e krijuar nga ai vetë dhe nga ana tjetër po gjendet edhe njëherë tjetër përpara një situate ekzistenciale, atë të shpërbërjes së saj. Duke ndjekur linjën e kundërshtarit edhe ai vetë po tenton të joshë të majtët. Meta bën një ndarje mes rilindasve dhe socialistëve të vërtetë. Kështu ai përfiton nga rasti që t’u bëjë një thirrje, ndoshta më të moderuar e diktuar edhe nga pozitat që ai është, për të ndëshkuar një sistem të kapur nga paraja e jashtëligjshme, korrupsioni e shumëçka. Presidenti vetëofrohet se do jetë kundër çdo përpjekje për aneksimin e paligjshëm të votës dhe deklaron se nuk do e lejojë që Shqipëria apo edhe Partia Socialiste të shkatërrohet nga mendja e një njeriu të palogjikshëm.

Ndoshta është një mesazh se Meta po tenton të marrë PS-në pas 25 Prillit dhe t’i shkrijë të dyja strukturat në një të vetme.

Si përfundim, tensioni mes të dyve është shumë i madh pasi kanë të njëjtin elektorat. Tani që PD-ja është në zhvillim gradual duke u rritur ndjeshëm me pikë pas çdo sondazhi dhe duket sikur e ka konsoliduar elektoratin e vetë bashkë me një pjesë të të pavendosurve, lufta kanalizohet më së shumëti mes PS dhe LSI. Kjo është edhe për meritë të PD-së, e cila mesa duket i ka shpëtuar ‘’kurthit’’ të ngritur nga mazhoranca duke dalë e vetme në lista. Edhe pse parimisht LSI ka një marrëveshje paszgjedhore me demokratët, duhet me patjetër si fillim të garantojë garueshmërinë e vetë, pasi në kushte të tjera të justifikuar me idenë e një interesi mbarëkombëtar PD-PS mund të hyjnë në koalicion. Rezultati i derby-t do varet edhe nga pozitat e PD-së si forcë e parë, njëkohësisht edhe nga ruajtja e rezultateve të LSI-së. Fakt është që deri më tani PS-ja ka tkurrur LSI-në dhe jo e kundërta.

Ideja e një sistemi bipartiak po forcohet në vetëdijen kolektive, por definitiv mbetet vullneti i sovranit./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH