Aktualitet

Departamenti i Imazherisë në UET i bashkohet “tetorit rozë”: Ekzaminimi në kohë shpëton jetë

Shkruar nga Liberale

Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike në UET iu bashkua muajit të luftës kundër kancerit të gjirit.

Me një fjongo rozë dhe me shumë vëmendje ndaj këshillave të mjekëve, mund të shpëtohen jetë. I quajtur ndryshe si “tetori rozë”, ky është muaji i ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, i cili u merr jetën miliona grave kudo në botë.

Për të luftuar këtë sëmundje, Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka shpallur muajin tetor, si muajin e luftës kundër kancerit të gjirit. Askush nuk e di shkakun e vërtetë të kancerit të gjirit, apo nëse kanceri i gjirit ka një shkaktar të vetëm, apo jo. Dimë se disa njerëz janë më të rrezikuar, dhe se janë disa faktorë që rrisin rrezikun për ta zhvilluar atë.

Departamenti i Imazherisë në Universitetin Europian të Tiranës, duke marrë shkas, nga muaji i ndërgjegjesimit për kancerin e gjirit, nën drejtimin e Dr. Najada Jahiqi zhvilloi një workshop, ku në qendër të diskutimit ishin kryesisht ishin gratë, por jo vetëm.

Nga mjekë dhe profesionistë të njohur të fushës së imazherisë u bë me dije se një përqind e të prekurve me kancer janë meshkuj.

Përgjegjës i Departamentit të Imazherisë, Dr. Admir Jançe si një mënyrë ndërgjegjësimi solli ndërmend një histori personale, ndërsa bëri thirrje që të gjithë të bashkëpunojmë për të shpëtuar jetë.

“Tumori i gjirit është totalisht i trajtueshëm nëse kapet në kohë”, u shpreh ai.

Ndërkohë, zëvendësrektorja për Procesin Mësimor dhe Kërkimin Shkencor, Drita Kruja përgëzoi jo vetëm Departamentin e Imazherisë, por edhe gjithë Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike për nismën e marrë për ndërgjegjësimin e shoqërisë, por edhe për orientimin e studentëve.

“Përgëzojmë Departamentin e Imazherisë për inciativën që ka marrë sot në muajin e kancerit të gjirit, për të zhvilluar këtë workshop. Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike është i ri është në vitin e katërt të tij dhe i takonte që të zhvillonte këtë workshop”, u shpreh ajo në fjalën e saj përshëndetëse, ndërsa fjalën ua la ekspertëve të fushës.

Mjekja, imazheriste Najada Jahiqi tha se sipas statistikave 80 përqind e grave që janë të diagnostikuara me kancer të gjirit janë mbi moshën 50 vjeç.

“Sipas statistikave prek 99% të grave dhe 1% të burrave. 80% e grave janë mbi moshën 50 vjeçare”, u shpreh imazheristja Jahiqi.

Ndërkohë që renditi dhe një sërë faktorësh parandalues që duhen pasur parasysh siç janë; duhanpirja, përdorimi i kontraceptivëve, trajtimi hormonal për sterilitet dhe ardhja e mestruacioneve në moshën 12 vjeç etj.

Depistimi apo kontrolli është zbulimi i hershëm i kancerit, kur ju nuk keni asnjë shenjë të sëmundjes.

Këto ekzaminime për diagnostikimim e kancerit të gjirit mund t`ju ndihmojnë ta kapni atë në faza të hershme dhe kur ka më shumë mundësi për t’u trajtuar.

Ndërsa disa nga shenjat më të zakonshme të cilat mund të lindin dyshime për këtë sëmundje, sipas mjekes Najada Jahiqi janë kryesisht; prekja e një mase të fortë në gji, skuqja e lëkurës, lëkura në trajtë portokalli, rrjedhja e sekrecioneve nga gjiri me ngjyrë ose në trajtë gjaku.

Në shenjë sensiblizimi, ajo u bëri thirrje të gjitha grave të cilat vërejnë në trupin e tyre ndonjë prej këtyre shenjave, të paraqiten menjëherë të mjeku, pasi vetëm kështu mund të shpëtojnë jetën e tyre.

Kirurgu Agron Dogjani, nga ana tjetër tha se të gjitha femrat të secilës grupmoshë janë të rriskuara për t’u prekur nga ky tumor, i cili zhvillohet në qelizat e gjirit.

Ai solli në vëmendje disa nga metoda të trajtimit të kësaj sëmundje që duhet të kihen parasysh, siç është; kimioterapia, vaksina, kirurgjia, apo trajtimi hormonal.

Ndërkohë, mjekja e Spitalit të Traumës, Erjona Zogaj përmendi metodat e diagnistifikimit dhe tha se më efektivia, deri tani ka rezultuar mamografia, e cila është ekzaminimi i gjirit duke përdorur doza të ulta të rrezeve X.

Edhe ekografia përdoret si teknikë për identifikimin e një kanceri të mundshëm të gjirit, por zakonisht, vetëm pas një mamografie.

Kanceri i gjirit është një tumor që zhvillohet nga qelizat e vetë gjirit. Këto qeliza grumbullohen dhe formojnë një tumor, i cili shtyp, përhapet dhe shkatërron indin normal të gjirit. Pa mjekim, këto qeliza përhapen në pjesët fqinje, e më pas, në të gjithë trupin. /Gazeta Liberale

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH