Aktualitet

Çmimet, bëhet edhe më e pamundur blerja e një apartamenti për shqiptarët

Shkruar nga Liberale

Familjet shqiptare e kanë çdo ditë edhe më tepër të vështirë blerjen e një apartamenti. Ndonëse qeveria shqiptare vendosi t’i subvencionojë ndërtuesit pak kohë më parë, me qëllim që ata të përballojnë krizën ekonomike si dhe rritjen e çmimeve, fatura qartësisht rëndon tek blerësit.

Me rritjen e çmimeve prej luftës në Ukrainë si edhe sidomos prej kërkesës në rritje prej sasisë së madhe të parave që po pastrohen në vend gjatë viteve të fundit, çmimet për një metër katror apartament në Tiranë kanë shkuar në nivele të paperceptueshme.

Kjo e bën edhe më të pamundur blerjen e një apartamenti nga ata që duan të ndërtojnë jetën në Shqipëri, çka i detyron të rinjtë të shohin emigrimin si alternativë.

Referuar renditjes së bërë nga “Numbeo”, një ndër platformat më të mëdha botërore për përpunimin e të dhënave, Shqipëria renditet në 30 vendet e fundit sa i përket mundësisë së blerjes së një apartamenti.

Vendi ynë renditet në pozicionin e 30 me një indeks 15.80, ndërkohë që shumë më mirë se ne pozicionohen të gjitha vendet e tjera të rajonit si Kosova, Serbia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnja.

Situata duket se është përkeqësuar edhe më tepër gjatë gjysmës së parë të këtij viti.

Më herët, vendi ynë renditej në pozicionin e 39-të, duke lënë pas Serbinë.

Raporti i çmimit ndaj të ardhurave është indeksi bazë për përballueshmërinë e blerjes së apartamenteve. Përgjithësisht llogaritet nga raporti i çmimeve mesatare të apartamenteve ndaj të ardhurave mesatare të disponueshme familjare.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH