Pas homazheve që u bënë në nderim të dëshmorëve të atdheut, presidenti Ilir Meta foli për gazetarët të cilët e pyetën lidhur me vendimin që pritet të japë sot Këshilli i Lartë Gjyqësor për Ardian Dvoranin, të cilit i ka mbaruar mandati si kryetar i KED dhe anëtar i Gjykatës së Lartë.
Presidenti Meta nuk pranoi të komentojë drejtpërdrejt çështjen, por dha një mesazh të koduar.
“Sot është Dita e Dëshmorëve, dita e nderimit tonë pë rata që kanë dhënë jetën dhe gjithcka të shenjtë për vendin tonë, kështu që është një ditë për të shprehur jo vetëm përulësinë ndaj veprës së tyre, por edhe për të përshëndetur të gjithë familjarët e tyre, pasardhësit e tyre, që kontribuuan gjatë asaj lufte dhe sakrifice të jashtëzakonshme. Është edhe një ditë për t’u angazhuar që Shqipëria e lirë dhe demokratike, për të cilën ata dhanë jetën, të realizohet plotësisht”, tha Meta. /Gazeta Liberale