Ekonomia globale e lëkundur u përpoq të rimëkëmbej në vitin 2023, mes një peizazhi ndërkombëtar që po përjeton ndryshime të shpejta. Pas Covid dhe krizës energjetike, lufta në Ukrainë, në Lindjen e Mesme dhe tensione të tjera politike kanë mbizotëruar politikën globale gjatë vitit 2023.
Qeveritë dhe udhëheqësit nga vende të ndryshme i mbushën me optimizëm mesazhet adresuar popujve për Vitin e Ri 2024, duke u bërë thirrje njerëzve të punojnë së bashku, të ruajnë paqen dhe të kërkojnë unitet. Liberale.al zgjodhi mesazhet e 10 liderve nga vendet që udhëheqin ekonominë dhe politikën globale:
Joe Biden, President i SHBA-ve:
Në një mesazh për Vitin e Ri 2024, presidenti i SHBA-ve, Joe Biden deklaroi se Amerika "po kthehet".
"Shpresa ime është që të gjithë të kenë një vit të ri të shëndetshëm, të lumtur dhe të sigurt," tha Biden në mesazhin e mbrëmjes së Vitit të Ri. “Por përtej kësaj, shpresoj që ata të kuptojnë se ne jemi në një pozicion më të mirë se çdo vend tjetër në botë, për të udhëhequr botën. Po kthehemi dhe kjo është koha.” Presidenti gjithashtu foli mbi punësimin, që kur mori detyrën, duke thënë: “Ne krijuam shumë mundësi në Shtetet e Bashkuara. Tani njerëzit janë në gjendje të sigurojnë jetesën dhe kemi krijuar shumë vende pune, mbi 14 milionë.”
Xi Jinping, Presidenti i Kinës:
Presidenti kinez Xi Jinping fjalimin e tij të vitit të ri drejtuar kombit e përdori për të dhënë një paralajmërim për votuesit e Tajvanit disa ditë përpara zgjedhjeve presidenciale të ishullit, duke theksuar aftësinë teknologjike dhe fuqinë ekonomike të vendit të tij.
Në fjalimin televiziv të së dielës në mbrëmje, Xi tha se "ribashkimi" i Tajvanit dhe Kinës ishte një "pashmangshmëri historike". Ai shtoi se "bashkatdhetarët" në të dy anët e ngushticës së Tajvanit duhet të ndajnë lavdinë e "përtëritjes kombëtare".
Fjalimi i Xi vjen në një kohë të rritjes së tensioneve gjeopolitike midis Kinës dhe perëndimit. SHBA dhe aleatët e saj janë të shqetësuar për vendosmërinë e Kinës për të kontrrolluar territoret e diskutueshme në Detin e Kinës Jugore dhe rritjen e aktivitetit ushtarak rreth Tajvanit, i cili mban zgjedhjet presidenciale më 13 janar.
Olaf Sholz, Kancelari i Gjermanisë:
Kancelari i Gjermanisë Olaf Sholz vuri në dukje se pavarësisht shqetësimeve të përhapura një vit më parë, gjermanët nuk mbetën pa ngrohje dimrin e kaluar edhe pse Rusia ndërpreu shumicën e furnizimeve të saj me gaz natyror në Evropë.
“Gjërat dolën ndryshe. Inflacioni ka rënë. Pagat dhe pensionet po rriten. Objektet tona të depozitimit të gazit janë mbushur plot për dimër,” tha ai, duke shprehur besimin në politikat e qeverisë së tij të koalicionit shumëpartiak.
Qeveria gjermane e udhëhequr nga Scholz është bërë e njohur për grindjet e saj të brendshme gjatë dy viteve në pushtet dhe ka parë rënie të vlerësimeve të saj në sondazhe. Ekonomia e Gjermanisë gjithashtu po performon dobët, por kancelari megjithatë u përpoq të vizatonte një pamje pozitive të vitit në vijim.
Scholz theksoi gjithashtu rëndësinë e Bashkimit Evropian, veçanërisht në kohë krize.
“Forca jonë qëndron në Bashkimin Evropian. Kur BE-ja paraqet një front të bashkuar, ajo flet për më shumë se 400 milionë njerëz. Jetojmë në një botë prej 8 miliardë banorësh, e cila së shpejti do të ketë 10 miliardë njerëz, kjo është një pasuri e vërtetë”, tha ai.
Megjithatë, kancelari bëri të qartë se Gjermanisë i duhet puna e të gjithë njerëzve të saj për ta çuar vendin përpara. “Bashqytetarët e mi, forca jonë qëndron gjithashtu në të kuptuarit se secili prej nesh është i nevojshëm për vendin tonë - studiuesi më i mirë ashtu si kujdestari, oficeri i policisë ashtu si shoferi, pensionisti ashtu si praktikanti i ri, ” tha ai.
"Nëse e kuptojmë këtë, nëse trajtojmë njëri-tjetrin mbi këtë frymë respekti, atëherë nuk duhet të kemi frikë për të ardhmen," tha Scholz. “Atëherë viti 2024 do të jetë një vit i mirë për vendin tonë, edhe nëse disa gjëra do të dalin ndryshe nga sa i imagjinojmë sot”.
Emmanuel Macron, Presidenti i Francës:
Presidenti Emmanuel Macron u zotua të dielën se 2024 do të jetë viti i krenarisë dhe shpresës franceze, i ndikuar nga Lojërat Olimpike të Parisit 2024 dhe rihapja e katedrales Notre Dame pas zjarrit shkatërrues në 2019.
"Vetëm një herë në një shekull mund të priten Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike, vetëm një herë në një mijëvjeçar rindërton një katedrale," tha Macron. "2024, një vit vendosmërie, zgjedhjesh, rimëkëmbjeje, krenarie. Në fakt, një vit shprese."
Franca do të vazhdojë të "riarmatoset" kur bëhet fjalë për çështjet e sigurisë, por gjithashtu do të nxisë arsimin publik dhe kohezionin social, tha Macron.
Ai u përpoq të gëzonte francezët pas një viti të shënuar nga luftëra dhe kriza jashtë vendit, si dhe protestat për reformën e kontestueshme të pensioneve dhe dhunën që shpërtheu në rrugë pas vrasjes nga policia të një adoleshenti në një kryqëzim, në Paris.
Vladimir Putin, Presidenti i Rusisë:
Presidenti rus Vladimir Putin vlerësoi "shoqërinë e bashkuar" të Rusisë në fjalimin e tij të Vitit të Ri drejtuar kombit, njoftuan agjencitë shtetërore të lajmeve. Putin iu drejtua rusëve në një video që zgjati më pak se katër minuta, dukshëm më e shkurtër se fjalimi i Vitit të Ri që mbajti vitin e kaluar.
“Ajo që na bashkoi është fati i Atdheut, një kuptim i thellë i rëndësisë më të lartë të fazës historike nëpër të cilën po kalon Rusia”, tha presidenti.
Lufta gati dyvjeçare në Ukrainë ishte në krye dhe në qendër të mesazhit, me Putin që iu drejtua drejtpërdrejt forcave të armatosura të Rusisë të përfshira në atë që Kremlini e ka quajtur "operacioni i tij special ushtarak" në vendin fqinj.
“Ne jemi krenarë për ju, ju jeni heronj, ndjeni mbështetjen e të gjithë popullit”, tha presidenti.
Sipas mediave shtetërore, ai theksoi se Rusia nuk do të tërhiqet kurrë dhe pohoi se nuk kishte forcë që mund t'i ndajë rusët dhe të ndalojë zhvillimin e vendit.”
Ndërsa hyn në vitin 2024, Putin u shpreh i sigurt se mbështetja e Perëndimit për Ukrainën do të shkërmoqet gradualisht për shkak të ndarjeve politike, lodhjes së luftës dhe kërkesave të tjera diplomatike, të tilla si kërcënimi i Kinës ndaj Tajvanit dhe lufta në Lindjen e Mesme.
Putin po kërkon rizgjedhjen në zgjedhjet presidenciale të 17 marsit, të cilat ai është i sigurt se do t'i fitojë. Sipas reformave kushtetuese që orkestroi, lideri 71-vjeçar ka të drejtë të kërkojë edhe dy mandate të tjera gjashtëvjeçare pas skadimit të mandatit aktual, duke e lejuar atë të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2036.
Rishi Sunak, Kryeministri i Britanisë:
Rishi Sunak dha një mesazh të shkurtër për Vitin e Ri ndërsa u fokusua nga e ardhmja për kontributet e partisë së tij në 2024. Kryeministri, i cili aktualisht ka humbur popullaritetin në sondazhe, vendosi të fokusohet në arritjet e partisë së tij në vitin 2023 në një video të publikuar të dielën në mëngjes, 31 dhjetor.
“Ne po e bëjmë ekonominë të rritet. E kemi ulur inflacionin përgjysmë. Kemi ofruar uljen më të madhe të taksave të biznesit në historinë moderne britanike, ishin disa nga "mburrjet e zotit Sunak”.
Giorgia Meloni, Kryeministre e Italisë:
Giorgia Meloni shkoi në rrjetet sociale një urim për vitin 2024 rreth “krenarisë, suksesit, optimizmit dhe shpresës" për t’i siguruar të gjithë mbi gjendjen e saj pas problemeve shëndetësore që e shkëputën rreth një javë nga shfaqjet publike.
“Kisha disa probleme të vogla shëndetësore që më detyruan të qëndroja në shtëpi, por tani jam shumë më mirë. Dua të kërkoj falje për angazhimet e shtyra dhe të falënderoj shumë italianë që më dërguan urime për një shërim të shpejtë. Dua të falënderoj edhe ata pak që arritën të debatojnë për shëndetin tim: më kujtuan se kush nuk dua të jem. “
“Por mbi të gjitha, dua t'i uroj të gjithë Italisë 2024, një vit rreth krenarisë, suksesit, optimizmit dhe shpresës. Unë do të jap gjithçka, dhe qeveria me mua, por për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për këtë komb unik është e rëndësishme që të besojmë të gjithë së bashku. Qofshi të lumtur, të guximshëm dhe me iniciativë. Gëzuar Vitin e Ri për ju dhe familjet tuaja”, lexohet në postimin e kryeministres e cila e shoqëron mesazhin me një shkrepje të një ylli vezullues të Vitit të Ri.
Narendra Modi, Kryeministri i Indisë:
Kryeministri Narendra Modi përshëndeti popullin e tij dhe uroi Vitin e Ri që 2024 të sjellë prosperitet, paqe dhe shëndet të mrekullueshëm për të gjithë.
"Duke uruar të gjithëve një 2024 të mrekullueshëm! Le të sjellë ky vit prosperitet, paqe dhe shëndet të mrekullueshëm për të gjithë," postoi Kryeministri Modi mesazhin e tij, në platformën X.
Fumio Kishida, Kryeministri i Japonisë:
Kryeministri japonez, Fumio Kishida tha se Japonia përballet me sfida të shumta pasi "po shkon në një epokë ndryshimesh të mëdha" në vitin 2024.
"Japonia përballet me një mori sfidash të rëndësishme, duke përfshirë përgjigjet tona ndaj një shoqërie në të cilën popullsia po zvogëlohet," tha Kishida në fjalimin e tij të Vitit të Ri.
Në arenën socio-ekonomike, Kishida u zotua për rritje pagash që do tl tejkalojnë rritjen e çmimeve, pasi ai priste me padurim një vit kur Japonia "të çlirohet plotësisht nga mendësia deflacioniste dhe orientimi drejt tkurrjes përmes uljes së kostove që ka prekur ekonominë japoneze".
Kryeministri u zotua të nxisë zhvillimin dhe të transformojë ndryshimin për një epokë në të cilën tha se, "të gjithë njerëzit janë në gjendje të besojnë se e nesërmja do të jetë edhe më e mirë se sot".
LuLa, Presidenti i Brazilit:
Presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva u mburr po ashtu në një mesazh të shkurtër para kombit se la pas një vit të mirë pas ardhjes së tij në pushtet. Ekonomia po përmirësohet, tha ai, Kongresi miratoi një projekt-ligj për reformën tatimore të vonuar prej kohësh, rebelët që donin ta rrëzonin tani janë në burg kurse paraardhësit apo armikut të tij Jair Bolsonaro i ndalohet të kandidojë për postin e Presidentit deri në vitin 2030.
Megjithatë, lideri 78-vjeçar synon të rrisë mbështetjen e tij mes qytetarëve dhe ligjvënësve.
Përgatiti:a.m/Liberale.al/