Pekini tha se ishte i hapur për bisedime me Uashingtonin mbi tarifat, pasi Presidenti i SHBA, Donald Trump deklaroi se ekziston mundësia e një marrëveshjeje midis dy ekonomive më të mëdha në botë.
“Nëse duhet të luftojmë, do të shkojmë deri në fund, por dyert e dialogut mbeten të hapura”, tha Guo Jiakun, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze, në një konferencë për shtyp.
Deklaratat e bëra dje nga presidenti amerikan, i cili njoftoi një ulje “të konsiderueshme” të tarifave me Kinën, sollën lehtësim në tregjet globale.
Në margjinat e një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë, Trump pranoi para gazetarëve se tarifat prej 145% që ai vendosi ndaj Pekinit janë “shumë të larta” dhe do të “ulen ndjeshëm”.
Megjithatë Presidenti tha se tarifat “nuk do të kthehen në zero”.
“Ne do të jemi shumë të sjellshëm, ata do të jenë shumë të sjellshëm dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë”, shtoi miliarderi republikan, duke iu referuar Kinës.
“Ne jemi ata që përcaktojmë kushtet e marrëveshjes dhe kjo do të jetë një marrëveshje e drejtë”.
“Besoj se është një proces që do të ecë mjaft shpejt”, tha ai.
Shpresa për një de-përshkallëzim të mundshëm shkaktoi një rritje në tregjet financiare sot.
Në Azi, tregjet e aksioneve filluan të rriteshin nga Tokio në Hong Kong dhe dollari u rikuperua.
Me një rritje të qartë nisën sot edhe bursat evropiane. Rreth orës 10:05, në seancat e para të tregtimit, Parisi shënoi një rritje prej 1.5%, Frankfurt 2.4% dhe Londra 1.2%.