Serbia ka zyrtarizuar blerjen e parë të avionëve luftarakë perëndimorë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në modernizimin e forcave të saj të armatosura. Marrëveshja për blerjen e 12 avionëve luftarakë Rafale nga Franca do të financohet përmes një kredie të madhe, në vlerën e rreth 1.9 miliardë euro, të marrë nga bankat dhe institucionet huadhënëse franceze.
Lajmin e bëri të ditur Ministri i Financave i Serbisë, Sinisha Malli, gjatë një seance të Kuvendit të vendit, ku po diskutohej konfirmimi i marrëveshjes së kredisë. Sipas Mallit, dy këstet e para të pagesës tashmë janë përfunduar, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga kredia e re.
“Me 12 avionë luftarakë shumëfunksionalë, ne do të përmirësojmë ndjeshëm kapacitetet e aviacionit dhe ushtrisë sonë,” deklaroi Malli para ligjvënësve.
Me këtë blerje, Serbia, për herë të parë, futi avionë perëndimorë në aviacionin e saj ushtarak. Serbia bashkëpunon me anëtarët e NATO-s përmes Programit të Partneritetit për Paqe që nga viti 2006, por zyrtarët në Beograd këmbëngulin se vendi i tyre është ushtarakisht neutral.
Në prill të vitit 2024, kur po zhvilloheshin negociatat me Francën për blerjen e avionëve Rafale, Ministria serbe e Mbrojtjes tha se kjo nuk nënkupton ndonjë ndryshim në orientimin ushtarak të vendit.