Ish-ministri gjerman i Shëndetësisë dhe kreu aktual i grupit parlamentar CDU/CSU, Jens Spahn, ndodhet në qendër të një hetimi për një skandal që lidhet me prokurimin e maskave gjatë pandemisë së Coronavirus.
Sipas mediave gjermane, gjatë kohës kur mbante postin e ministrit, Spahn ka nënshkruar një kontratë prej 1.5 miliardë eurosh për furnizimin dhe shpërndarjen e maskave mbrojtëse me kompaninë logjistike “Fiege” nga qyteti i tij i lindjes, Münster. Kjo ndodhi pavarësisht paralajmërimeve nga Ministria e Brendshme për cilësinë e maskave – shumë prej të cilave rezultuan të skaduara dhe përfunduan të padobishme.
Raportimet e ARD dhe Süddeutsche Zeitung (SZ) theksojnë se Spahn kishte anashkaluar procesin normal të menaxhimit të krizave, duke përjashtuar DHL dhe Schenker – kompani të tjera të mëdha logjistike me të cilat po negociohej. Gjithashtu, një raport zyrtar për këtë rast ishte përfunduar që në janar 2025, por nuk është publikuar ende, me ministren aktuale të Shëndetësisë, Nina Warken (CDU), që refuzon ta paraqesë atë në Bundestag.
Ministrja e Partisë së Gjelbër, Paola Piechota, ka akuzuar Warken-in për fshehje të qëllimshme të raportit për të mbrojtur Jens Spahn dhe për të shmangur një goditje politike ndaj CDU-së. “Zonja Warken dëshiron ta mbajë sekret raportin për maskat në mënyrë që të mbrojë Jens Spahn nga fundi i karrierës së tij politike,” deklaroi ajo për ARD.
Nga ana tjetër, Spahn ka deklaruar më herët se veprimet e tij u diktuan nga urgjenca e situatës shëndetësore në atë kohë. Zëdhënësi i tij ka theksuar se ish-ministri nuk ka qenë në dijeni të përmbajtjes së plotë të raportit të brendshëm.
Prokuroria dhe Bundestagu pritet të marrin vendime në javët në vijim për hapat e mëtejshëm në këtë çështje, që tashmë ka marrë përmasa politike dhe financiare të konsiderueshme.