Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut vendosi që të shtyjë seancën sa i përket iniciativave për të shfuqizuar disa nene të Ligjit për Gjuhët, kryesisht gjuhës shqipe.
Gjykata Kushtetuese vendosi që të ketë seancë përgatitore, ku ekspertë profesorë, por edhe parti politike, të marrin pjesë në debat duke paraqitur argumentet.
Propozimi për shtyrjen e seancës u bë nga gjykatësja e Gjykatës Kushtetuese, Elizabeta Dukovska, e cila është përgjegjëse për këtë çështje. Kundër këtij vendimi ishte gjykatësja Dobrilla Kacarska, e cila e theksoi se gjykata duhet të jetë ajo që jep fjalën përfundimtare.
Ligji për gjuhët parasheh përdorim të zgjeruar të gjuhës shqipe dhe e përmend atë në mënyrë specifike në nenin 2.
Në hapjen e seancës të mërkurën, gjykatësi Fatmir Skënderi propozoi shtyrjen e seancës për dy javë, me qëllim që të sigurohej prania e dy gjykatësve shqiptarë dhe plotësimi i përbërjes së gjykatës. Propozimi u hodh poshtë me votim, dhe pas kësaj gjykatësi Skënderi lëshoi seancën.
Seanca e së mërkurës filloi me mungesën e dy gjykatësve shqiptarë, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, që bojkotuan procesin.