
Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
“Baba iku krenar Hashim”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Edhe kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit, babait të Hashim Thaçit, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) të Gjykatës Speciale.
Pacolli, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se Haxhi Thaçi u përball me njërën nga sfidat më të mëdha.
“Ai, me shumë krenari, por me zemër të thyer, përballoi shume sfida te padrejta si këtë burgosjen e djalit të tij, duke e ditur se Presidenti po pagun me burg për lirinë dhe shtetin tonë, të cilin ne sot e gëzojmë”, ka shkruar Pacolli.
Teksa shtoi se, “në emrin tim dhe të familjes sime, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Presidentit dhe gjithë familjes Thaçi per këtë humbje të madhe!”.
Edhe sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka shprehur ngushëllime duke thënë se kujtimi për Haxhi Thaçin, do të mbetet përherë i gjallë.
“Përkundër moshës, dhimbjes e sëmundjes, zemra i rrahu deri në momentin që sytë mundën ta shihnin edhe një herë të birin. Një testament dashurie dhe force deri në frymën e fundit. Pusho në paqe, Haxhi Thaçi. Kujtimi për ty do të mbetet i gjallë”.
“I lehtë të qoftë dheu i Kosovës!”, ka shkruar Çitaku në rrjetin social ‘Facebook’.
Ngushëllime për vdekjen e Haxhi Thacit, ka shprehur edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.
“Një burrë atdhetar, një burrë që i dha Kosovës gjithçka – ia dha Kosovës edhe djalin e vet, Presidentin tonë – Hashim Thaçin! Të pushoftë shpirti në paqe baca Haxhi!”.