Për mosparaqitjen e kryeministrit Albin Kurti në Prokurorinë Speciale, ka reaguar edhe ambasada amerikane në Kosovë.
Kurti, i ftuar nga Prokuroria në cilësinë e dëshmitarit, tash e katër herë nuk ka pranuar të paraqitet në këtë institucion.
Ambasada amerikane, u bëri thirrje palëve të gjejnë zgjidhje të përshtatshme që të ruhet integriteti i institucioneve të Kosovës.
“Ne kemi besim në demokracinë e Kosovës dhe u bëjmë thirrje palëve që të gjejnë një zgjidhje të përshtatshme që ruan integritetin e institucioneve të Kosovës”, kanë thënë nga Ambasada amerikane për KlanKosova.
Kujtojmë se Zyra e Kryeministrit dje ka dalë me një tjetër reagim rreth çështjes së intervistimit të Kryeministrit Albin Kurti, lidhur me skandalin e Rezervës Shtetërore. Në këtë reagim ZKM thotë se Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar të dëshmojë, pavarësisht se i njëjti nuk u paraqit të martën në Prokurorinë Speciale ndonëse kishte edhe urdhëresë Gjykate.
Aty thuhet se Kurti vazhdon të jetë i gatshëm të dëshmoj “sa më shpejt, aq më mirë”, por në Kryeministri. Madje, thuhet se “insistimi” që Kurti të dëshmojë në Prokurori Speciale, është i panevojshëm për një formalitet procedural që nuk ka ndikim në thelbin e çështjes.
“Në të gjitha demokracitë e zhvilluara, përfshirë ShBA-në dhe Francën, është praktikë standarde që zyrtarët e lartë të shtetit të dëshmojnë nga zyrat e tyre, për të ruajtur diskrecionin dhe për të shmangur politizimin e proceseve ligjore. I njëjti parim është zbatuar edhe në Kosovë, së paku në rastin e dy ish-kryeministrave dhe madje te zëvendëskryeministri aktual! Atëherë, pse në këtë rast po bëhet përjashtim? Pse ky insistim i panevojshëm për një formalitet procedural që nuk ka ndikim në thelbin e çështjes?”, thuhet në reagim.