Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përjashtuar çdo mundësi të bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje, për formimin e qeverisë. Ai ka theksuar se qeverinë duhet ta formojë opozita dhe sipas tij ka komunikim për këtë.
“Besoj që veç shihet se shumicën e ka opozita, kuptohet pas afateve kushtetuese opozita mund ta krijojë qeverinë. Besoj kjo është ajo që na takon neve si opozitarë, që të bashkohemi dhe të krijojmë qeverinë nga opozita. Ka komunikim të ndërsjellë [me opozitën], nuk ka ndonjë avancim konkret për shkak se janë edhe afatet kushtetuese por besoj ka gatishmëri që të ecim”, tha Haradinaj.
Kur është pyetur nëse do të bashkëpunonte me partinë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Haradinaj u përgjigj: Ne jemi në opozitë dhe si opozitarë angazhohemi me i dhënë Kosovës qeverinë e shumicës së opozitës. Ky është qëndrimi dhe i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Procesi i numërimit përfundoi te enjten ku forcë e pare doli Vetvendosje, e nndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës e më pas nga Lidhja Demokratike ndërsa ne vendin e katërt është renditur koalicioni AAK-Nisma.