Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar për herë të parë pas dështimit të seancës konstituive në Kuvendit të Kosovës, seancë e cila dështoi për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme për miratimin e raportit të Komisionit për Verifikimin e Mandateve të deputetëve.
Në një reagim në rrjetet sociale, Kurti sulmon partitë e opozitës duke e cilësuar dështimin e seancës, si një sulm institucional kundër Republikës së Kosovës.
Ai ka theksuar se votimi kundër raportit formal të Komisionit për Verifikimin e Mandateve është një akt i paprecedentë ndaj një votimi formal, në një përpjekje për të sabotuar sistemin konstitucional të vendit.
“Deputët e opozitës PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK sot votuan kundër raportit të komisionit për verifikimin e mandateve. Në një votim krejt formal e teknik që bazohet në dokumentacionin e KQZ-së, ata u rebeluan kundër betimit të deputetëve dhe konstituimit të legjislaturës së nëntë. Ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike. Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë. Ne qeverisim mbarë e mirë, këta lanë nam e bëjnë lajm të keq për shtetin tonë. Se janë kundër qeverisë e Republikës dihet, por se janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot”, thotë Kurti.