Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ndodhet sot në një vizitë zyrtare në Ankara të Turqisë, teksa në Arabinë Saudite kanë nisur bisedimet për negociatat e paqes në Ukrainë, mes delegacionit të SHBA-ve dhe atij të Rusisë.
Mediet në Turqi shkruajnë se Zelensky mbërriti në Anakara mbrëmjen e së hënës.
Avioni që transportonte Zelenskyn dhe delegacionin e tij u ul në Aeroportin ‘Esenboğa’ të Ankarasë në orën 21:08 me orën lokale.
Presidenti ukrainas pritet të zhvillojë sot një takim me homologun turk, Rexhep Tajip Erdogan.
“Gjatë bisedimeve do të shqyrtohen të gjitha aspektet e partneritetit strategjik turko-ukrainas dhe do të diskutohen hapat për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh”, thuhet në deklaratën e Drejtorisë së Komunikimeve në Turqi.
Të dy liderët do të shkëmbejnë gjithashtu pikëpamje mbi zhvillimet e fundit në Ukrainë dhe çështje të tjera rajonale dhe globale.