Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Romë, ku në parkun Villa Doria Pamphili u zbuluan dy trupa të pajetë, të një foshnje dhe një gruaje.
Ngjarja ka tronditur banorët e zonës dhe ka vënë në lëvizje hetuesit italianë në kërkim të së vërtetës pas këtij misteri të errët.
Rreth orës 16:30 të së shtunës, në një zonë të parkut të kthyer në vendgrumbullim mbeturinash, u gjet trupi i një vajze të vogël, rreth gjashtë muajshe.
Dy kalimtare fillimisht menduan se bëhej fjalë për një kukull, por pas afrohen një burri, e kuptuan të vërtetën tronditëse. Foshnja ishte lakuriq, me shenja traume në krahun dhe këmbën e djathtë.
Vetëm katër orë më vonë dhe rreth 100 metra larg, një tjetër zbulim makabër: trupi i një gruaje, i fshehur në një thes të zi nën një rresht me oleandra. Gruaja ishte e veshur, por pa dokumente identifikimi.
Hetuesit dyshojnë se të dy viktimat mund të jenë të lidhura – ndoshta nënë e bijë – dhe se të dy trupat janë braktisur nga i njëjti person. “Është një histori absurde,” deklaroi prokurori Antonio Verdi, që mbërriti në vendin e ngjarjes mbrëmjen vonë. Ai shtoi se do të bëhen analiza ADN-je për të përcaktuar lidhjen mes viktimave dhe për të ndriçuar shkaqet e vdekjes.
Sipas vlerësimeve të para mjeko-ligjore, gruaja ka ndërruar jetë më parë se foshnja, por nxehtësia brenda çantës ku u gjet mund të ketë përshpejtuar dekompozimin e trupit të saj.