Një ngjarje si ajo e Shkodrës, që tronditi opinionin publik në Shqipëri është përsëritur në Itali, me ndryshimin se në vendin fqinj viktimat janë dy, nënë e bijë.
Tragjedia tronditi Montesilvanon, në provincën e Pescara-s, pasditen së enjtes 13 qershor. Një grua 40-vjeçare dhe vajza e saj 10-vjeçare u goditën tragjikisht nga një tren Frecciarossa i nisur për në Milano, i cili u nis nga stacioni lokal në orën 17:53.
Dëshmitarët okularë thanë se i kishin parë pak më parë në stacion, dorë për dore, duke ecur me qetësi. Më pas të dyja u ulën në një stol, por ajo që ndodhi më pas është ende nën hetim. Treni, duke kaluar me shpejtësi të madhe, i ka goditur papritur, duke lënë të tronditur dëshmitarët dhe shoferin e trenit, të pafuqishëm për të reaguar përballë tragjedisë.
Dyshohet se ka qenë një gjest vullnetar nga ana e gruas, e cila dyshohet se ka sjellë me vete edhe vajzën e saj. Autoritetet po përdorin imazhe nga kamerat e vëzhgimit video të stacionit për të rindërtuar momentet, që i paraprinë tragjedisë.
Kryebashkiaku Ottavio De Martinis reagoi me tronditje ndaj lajmit, duke shpallur zi në qytet dhe anulimin e festimeve të planifikuara për të premten më 14 qershor, si shenjë ngushëllimi të thellë për viktimat dhe të dashurit e tyre.