Perspektivat për një rifillim të bisedimeve të ndërmjetësuara për armëpushim në Gaza janë rritur ndërsa luftimet intensive vijojnë në veri dhe jug të enklavës.
Bisedimet pritet të nisin javën e ardhshme pasi shefi i agjencisë së inteligjencës izraelite Mossad u takua me kreun e CIA-s dhe kryeministrin e Katarit. Por një zyrtar i Hamasit, Osama Hamdan, deklaroi se nuk ka nevojë për negociata të reja me Izraelin. Në një intervistë telefonike me Al Jazeera Arabic Hamdan tha se kërkesa e menjëhershme është që Izraeli të tërhiqet nga Rripi i Gazës dhe të ndalet i gjithë agresioni.
“Ne nuk kemi nevojë për negociata të reja. Nuk ka asnjë garanci se Izraeli do të pranojë propozime të reja dhe kjo do të thotë se do t’i hapet rruga për të vazhduar agresionin,” u shpreh Hamdan.
Në fillim të këtij muaji, Hamasi miratoi një propozim për një armëpushim në luftën shtatë-mujore të Gazës, të paraqitur nga ndërmjetësit Katari dhe Egjipti, megjithëse Izraeli tha se propozimi nuk përmbush kërkesat e tij. Hamasi ka këmbëngulur se nuk është i gatshëm të pranojë vetëm një armëpushim të përkohshëm, por përfundimi i luftimeve duhet të jetë i përhershëm.
Izraeli ka këmbëngulur se lufta nuk do të përfundojë para se të përmbushen qëllimet e tij, duke përfshirë humbjen totale të Hamasit. Megjithatë, Izraeli po vihet nën presionin ndërkombëtar në rritje për të ndaluar ofensivën në Rafah, urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që kërkon urdhër arresti për kryeministrin Benjamin Netanyahu si dhe vendimin nga Irlanda, Norvegjia dhe Spanja të për të njohur Palestinën.
Ndërkaq 58 persona janë vrarë në të gjithë Gazën në 24 orët e fundit pas një sulmi ajror në Gazën jugore në një qendër në kampin e refugjatëve Nuseirat në Gazën qendrore. Kalimi i Karem Abu Salem dhe ai i Rafahut janë përshkruar nga OKB-ja si “dy arteriet kryesore për marrjen e ndihmës në Gaza”.
OKB-ja ka thënë se 143 kamionë humanitar të OKB-së kanë kaluar deri më tani përmes Kalimit Karem Abu Salem shumë më pak nga çfarë hynin më herët në enklavë.
Nga ana tjetër protestuesit izraelitë u përleshën me policinë në Tel Aviv pasi mijëra mbushën rrugët kundër qeverisë dhe për të kërkuar që ajo të kthejë pengjet e mbajtura nga Hamasi në Gaza.
Disa protestues në Tel Aviv mbanin fotografi të disa femra, të cilat u rrëmbyen gjatë sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, ndersa te tjere mbanin pankarta ku shkruhej “Ndalo luftën” dhe “Ndihmë”.
Ata i bënë thirrje qeverisë të arrijë një marrëveshje për lirimin e dhjetëra pengjeve qe ende mbahen nga militantet e Hamasit. Protestuesit kërkuan gjithashtu dorëheqjen e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe zgjedhje të reja.