Në shtator të 2016, përpara se Donald Trump të fitojë zgjedhjet e tij të para në SHBA, gazetarja e “Atlantic”, Salena Zito shkruajti një frazë që ndihmoi shumë studiuesit në mënyrën se si do ta përcaktonin mandatin e tij të parë si president: Shtypi e merr atë fjalë për fjalë, por jo seriozisht. Mbështetësit e tij e marrin seriozisht, por jo fjalë për fjalë.
Zito, donte të tregonte se kur Trump bënte një deklaratë të tepruar dhe të pamatur, si ajo e ndalimit të myslimanëve për t’u futur në SHBA, media tronditej kur raportonte fjalët e tij, por simpatizantët nuk e besonin se ai donte të tregonte pikërisht atë se çfarë po shprehte.
Mbështetësit e Trump, nga ana tjetër, nuk interesoheshin për përmbajtjen formale të deklaratave të tij, as për mënyrën fyese se si komunikoheshin, sepse ata besonin në vërtetësinë e qëllimeve të tij. Për mediat, një deklaratë dhune ndaj myslimanëve, ishte një dëshmi raciste, por jo një deklaratë politike. Për mbështetësit e Trump, ishte saktësisht e kundërta.
Megjithatë, analistët po vazhdojnë të mbajnë të njëjtat lente, edhe në këto javë të para të mandatit të tij të dytë presidencial. Kur Trump njoftoi tarifa të larta ndaj Kanadasë dhe Meksikës në muajin shkurt, shumë studiues menduan se Presidenti nuk duhej marrë seriozisht: vendosja e tarifave të larta ndaj dy partnerëve kryesorë tregtarë të Shteteve të Bashkuara u konsiderua një çmenduri. Vetëm pak ditë më vonë, Trump i konfirmoi ato tarifa, të cilat mund të konsiderohen si më të lartat në historinë amerikane.
Diçka e ngjashme po ndodh me Rusinë dhe Ukrainën. Trump ka qenë gjithmonë i magjepsur nga figura autoritare e Vladimir Putin, madje edhe gjatë mandatit të tij të parë e lavdëronte shpesh atë dhe ishte dakord me botëkuptimin e tij. Megjithatë, Trump në mandatin e tij presidencial, pavarësisht retorikës së shfaqur përgjatë katërvjeçarit, falë presionit që i vinte vazhdimisht nga Kongresi, u detyrua të vendoste sanksione ndaj Rusisë, duke dërguar më pas edhe armatim në Ukrainë.
Shumë mendonin deri ca ditë më parëse gjërat mund të ishin edhe njëherë tjetër kështu, Trump mund të flasë për Putinin me admirim, por SHBA-ja nuk do të dështonte të respektonte angazhimin e saj ndërkombëtar. Në vend të këtij qëndrimi, Donald Trump ofendoi dhe provokoi presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, ndaloi ndihmën ushtarake për Ukrainën, duke u shfaqur pothuajse hapur në krah të Rusisë për disa nga çështjet më të mëdha ndërkombëtare.
Nga dita në ditë, aleatët e Shteteve të Bashkuara dhe veçanërisht ata europianë, e kuptuan më në fund se nuk mund t’i besonin më plotësisht Amerikës dhe se parimet e rregullat mbi të cilat ishin bazuar marrëdhëniet ndërkombëtare përgjatë dekadave të fundit, mund të mos ishin më të vlefshme.
“Miq amerikanë dhe ju jashtë vendit, dijeni se për të paktën katër vitet e ardhshme, Amerika që ju njihni është zhdukur. Vlerat, aleatët dhe të vërtetat që Amerika ka mbrojtur gjithmonë janë të gjitha në dyshim, ose në shitje”, shkruajti Thomas Friedman, ndoshta një nga analistët amerikan më të rëndësishëm për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në New York Times.
Sa i përket politikës së brendshme, shkurtimi i fondeve për Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe aktivitetet e Departamentit të Efektivitetit të Qeverisë (DOGE) të udhëhequr nga Elon Musk po sjellin pasoja më të thella se sa kaosi fillestar i komunikimit që e kishte shtyrë njeriun të mendojë, edhe pse është shumë herët për të bërë një vlerësim të plotë të kësaj gjendjeje.
Shumë analistë e kanë fshirë pluhurin që kishte zënë përfujt përkufizimin e hershëm të Salena Zito-s, duke e përshtatur atë me kohën e re: Trump, duhet të merret fjalë për fjalë dhe seriozisht. Një deklaratë e tij autoritare lidhet jo vetëm me një botëkuptim autoritar, por edhe me një vullnet politik autoritar, i cili do të zbatohet. Nëse Trump deklaron se e vlerëson Putin-in, kësaj radhe, një pohim të tillë, do e shoqërojë me patjetër me vendime specifike të politikës së tij të jashtme.
E thënë shkurt dhe troç, nëse gjatë mandatit të tij të parë potenciali shkatërrues, revolucionar dhe subversiv i Trump shprehej kryesisht me fjalë, sot, ky potencial shkatërrues, shprehet edhe me vepra. Këta shembuj tregojnë se ne po përballemi me një Trump të ri, më të vendosur dhe më kërcënues dhe pa masat mbrojtëse që e kishin kufizuar atë gjatë mandatit të tij të parë. Nëse në vitin 2017, Partia Republikane u nda mes republikanëve tradicionalë dhe republikanëve trumpianë, sot, fituan veç trumpianët.
Nëse në vitin 2017 administrata Trump ishte e mbushur me ata që quheshin “të rritur në zyrë”, persona me përvojë dhe të përgjegjshëm që kufizonin dhe mbi të gjitha që kishin instinktet më ekstreme të përgjegjëshmërisë, administrata sot përbëhet ekskluzivisht nga njerëz besnikë dhe shumë servilë ndaj Trump. Serioziteti i veprimeve dhe kërcënimeve nga ana e tij, tregohet edhe nga fakti, se ato po merren shumë më seriozisht.
Në mandatin e tij të parë, shtetet europiane nuk reaguan ndaj kërcënimeve të tij për tërheqjen e mbrojtjes amerikane nga kontinenti, tashmë këto vende e konsiderojnë një mundësi realiste dhe po përpiqen për t’u angazhuar në investimin e qindra miliona eurove për shpenzime ushtarake. Gjatë mandatit të tij të parë, Kanadaja dhe Meksika iu përgjigjen kërcënimeve për tarifat me negociata të buta, ndërsa këtë javë kryeministri kanadez Justin Trudeau u përgjigj me një fjalim të ashpër, ku tha: Sot, Shtetet e Bashkuara kanë filluar një luftë tregtare kundër Kanadasë, partneritetit dhe aleatit më të besuar, mikut të saj më të besuar. Në të njëjtën kohë, ata, po shfaqin qëndrime pozitive për të bashkëpunuar me Rusinë. Ata duan të krijojnë marrëdhënie me Vladimir Putin, i cili është një diktator gënjeshtar dhe vrasës. Kjo s’ka kuptim.
Mirëpo, kërkohet një kujdes edhe më i madh, pasi jo çdo gjë që thotë e bën Trump, duhet të merret me të njëjtën peshë ose të ketë të njëjtën gravitet.
Ashtu si në mandatin e tij të parë, administratës Trump i mungon koherenca, koherenca ideologjike dhe koherenca e veprimit. Nuk mund të përjashtohet, në të vërtetë dhe as s’është e mundshme, që në një moment Trump të ulë ose të anulojë tarifat kundër Meksikës dhe Kanadasë dhe nga ana tjetër, të mirëpresë Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë, duke i paraqitur të dy vendimet si një fitore në përputhje me objektivat që kishte. Edhe një herë, administrata e Trump, mund të miratojë politika të paparashikueshme, të cilat gjithashtu, mund ta dëmtojnë atë në planin afatgjatë.
Për më tepër, pjesa më e madhe e asaj që ka ndodhur në këtë muaj e gjysmë tregon se administrata e Trump është larg nga të qenit një makinë precize dhe e pashmangshme dhe shumë nga skepticizmat që ishin të vlefshme për mandatin e parë të tij, ende po zbatohen. Ashtu siç shkruajti kohët e fundit Francesco Costa në rubrikën Da Costa a Costa, ekziston ende një “ndryshim i madh dhe shpesh i pakapshëm, qëllimisht i pakapshëm, mes asaj që thotë Trump, asaj që Trump përpiqet të bëjë dhe asaj që bën Trump.
Kjo varet edhe nga strategjia e komunikimit që Trump ka përdorur gjithmonë, teorizuar nga këshilltari i tij Steve Bannon: Demokratët nuk llogariten për asgjë. Opozita e vërtetë është media. Por mediat janë budallenj dhe dembelë, dinë vetëm të fokusohen në një gjë, përgjatë gjithë kohës. Pra, gjithçka që duhet të bëjmë, është t’i shpuzisim ato. Çdo ditë nxirrni në pah tre gjëra të ndryshme. Mediat, do t’i përmbahen veç njërës, por ne do t’i bëjmë dy të tjerat. Dhe, ne do të vazhdojmë kështu çdo ditë, zhurmë, zhurmë, zhurmë. Ato nuk do të shërohen.
Shumë nga deklaratat e Trump, edhe ato më skandalozet dhe më seriozet, janë thënë jo vetëm për të treguar një kahje politike, por përkundrazi rrjedhin nga kjo strategji komunikimi. Ato janë krijuar për të ngatërruar dhe “përmbytur” kundërshtarët, qofshin demokratë apo media. Thënë shkurt, ka ende shumë raste, ku Trump s’mund të merret as fjalë për fjalë dhe as seriozisht.
Në 45 ditët e para të mandatit të tij të dytë, koha kur deklaratat e Trump dhe administratës së tij kanë pasur pasoja, madje edhe të rënda, kanë qenë më të shumta se tetë vjet më parë. Shumë gjëra mund të ndryshojnë në javët dhe muajt që do vijnë, pasi periudha e “muajit të mjaltit”, ajo që konsiderohet si periudha e entuziazmit ndaj një presidenti të sapo zgjedhur, mbaron dhe mundi e aftësia e administratës për të krijuar polemika mund të zbehet. Ai do fillojë me gjasë të ndjejë pasojat e vendimeve të tij: veçanërisht në ekonomi, ku rritja e tarifave rrezikon të shkaktojë një ngadalësim të rritjes ekonomike dhe gjithashtu një rritje inflacioni.
Në fjalimin e tij të fundit në Kongres, Trump tha: Ne kemi bërë më shumë përgjatë këtyre 43 ditëve, se sa kanë bërë administratat e para në katër apo tetë vite dhe, ne sapo kemi filluar./Përgatiti Liberale.al/