Kryeministri i Mongolisë, Luvsannamsrain Oyun-Erdene, ka dhënë dorëheqjen pas humbjes në një votëbesim në parlament, pas zemërimit në rritje të publikut për jetën luksoze të të birit. Ai mori vetëm 44 nga 64 votat e nevojshme për të qëndruar në detyrë, në një votim që u zhvillua në orët e para të së martës.
Oyun-Erdene, i arsimuar në Harvard dhe në krye të qeverisë që nga viti 2021, kërkoi votëbesimin në një kohë tensionesh të brendshme brenda partisë së tij dhe protestave popullore kundër shpenzimeve ekstravagante të familjarëve të tij. Megjithëse Partia Popullore Mongole ka qenë pjesë e një koalicioni qeverisës, dorëheqja e kryeministrit pritet të hapë rrugën për formimin e një qeverie të re në ditët në vijim.
Në mandatin e tij, Oyun-Erdene kishte synuar të tërhiqte investime të huaja në industrinë minerare, veçanërisht për bakrin dhe uraniumin, për të forcuar pavarësinë ekonomike të vendit nga fqinjët e fuqishëm si Kina dhe Rusia. Ai ishte angazhuar për zhvillimin e projekteve të mëdha si marrëveshja 1.6 miliardë dollarëshe me kompaninë franceze Orano për shfrytëzimin e një miniere uraniumi.
Megjithatë, pavarësisht rritjes së të ardhurave nga eksporti dhe përmirësimeve në ekonominë kombëtare, Oyun-Erdene pranoi se kishte neglizhuar çështjet sociale dhe politike të brendshme. Ai u përball gjithashtu me kritika pas protestave të vitit 2022 për korrupsion në sektorin e qymyrit. Kredibiliteti i qeverisë së tij u godit nga skandalet e fundit, ndërsa investitorët e huaj shprehën shqetësime për stabilitetin politik në vend.