Polonia ngrit në ajër avionët luftarakë pas sulmeve ajrore ruse në Ukrainë
Në orët e para të së hënës, Polonia vendosi në gatishmëri avionët e saj luftarakë për të siguruar hapësirën ajrore, pas një vale të re sulmesh të rënda nga Rusia ndaj Ukrainës. Komanda Operacionale e Forcave të Armatosura në Varshavë njoftoi se, për shkak të një ofensive të gjerë ajrore nga Rusia ndaj territorit ukrainas, avionët polakë dhe ata të vendeve aleate kanë ndërmarrë patrullime aktive mbi hapësirën ajrore të vendit.
Sipas autoriteteve ukrainase, Rusia ka ndërmarrë një sulm të gjerë gjatë natës, duke përdorur dhjetëra raketa dhe dronë, me objektiv edhe rajonet perëndimore të vendit. Kryetari i bashkisë së Rivne-s, Oleksandr Tretyak, e cilësoi këtë si “sulmin më të madh” në atë zonë që nga fillimi i luftës.
Rusia ka intensifikuar së fundmi ofensivën kundër Ukrainës, duke minuar përpjekjet diplomatike për një zgjidhje paqësore dhe duke zbehur shpresat për një armëpushim në konfliktin më të madh që ka përfshirë Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore.
Polonia, një nga mbështetëset më të forta të Ukrainës, luan rol kyç si nyje logjistike për dërgesat e ndihmës ushtarake nga Perëndimi drejt Kievit. Përballë rritjes së kërcënimit nga Moska, pritet që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, të bëjë thirrje për një rritje të ndjeshme – deri në 400% – të kapaciteteve mbrojtëse ajrore të aleancës.
“Në Ukrainë po shohim se si Rusia përhap terror nga qielli. Prandaj, do të përforcojmë mburojën që mbron qiellin tonë,” pritet të deklarojë Rutte gjatë një fjalimi në institutin kërkimor Chatham House në Londër.