Mediat shtetërore iraniane raportojnë se Ali Shamkhani, një nga këshilltarët më të afërt të liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, është vrarë në një sulm izraelit që goditi një “qendër ushtarake të ndjeshme” në perëndim të Iranit, të premten.
Ministria e Mbrojtjes në Iran nuk ka konfirmuar zyrtarisht vdekjen e Shamkhanit, por burime nga terreni e konsiderojnë atë një nga viktimat e fundit të sulmeve ajrore intensive izraelite, që kanë shënjestruar objektiva të larta ushtarake që nga mëngjesi i së premtes.
Ali Shamkhani ka mbajtur pozita kyçe në strukturat e sigurisë iraniane për më shumë se tre dekada. Ai ka qenë ministër i Mbrojtjes (1997–2005) dhe për një dekadë (2013–2023) ka drejtuar Këshillin e Lartë të Sigurisë Kombëtare.
Shamkhani bashkohet me një listë të gjatë zyrtarësh të vrarë në ofensivën izraelite të quajtur “Luanët në Rritje”. Deri më tani janë konfirmuar të vrarë edhe Mohammad Bagheri, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit; Hossein Salami, komandanti i përgjithshëm i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC); Gholam-Ali Rashid, komandant i Shtabit Qendror Khatam al-Anbia; dhe Amir Ali Hajizadeh, drejtues i Mbrojtjes Ajrore të IRGC-së.