Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim sot me banorët dhe sipërmarrësit e vegjël të Fushë-Krujës.
Kryedemokrati Basha thotë se PD është në krah të çdo sipërmarrësi të ndershëm dhe po bashkëpunon me ekspertët më të mirë të botës së biznesit, akademikët e këshilltarët nga vendet partnere, për të ndërtuar alternativën ekonomike për të cilën Shqipëria ka nevojë.
Mes të tjerash Basha shkruan se "kjo qeveri po u shërben klientëve dhe monopolistëve që i kanë marrë frymën ekonomisë."
Postimi i plotë i Lulzim Bashës:
Dëgjova me vëmendje banorët dhe sipërmarrësit e vegjël të Fushë-Krujës. Ata kërkojnë që politika të kthehet në shërbim të tyre, për një qeveri që ua lehtëson punën dhe vepron në mbështetje të shumicës së ndershme të qytetarëve, jo të klientëve dhe monopolistëve të zakonshëm që i kanë marrë frymën ekonomisë.
Kjo qasje e dështuar politike pasqyrohet edhe në projektbuxhetin e qeverisë, që pikë refermi vijon të ketë interesat e një grushti të vogël njerëzish, jo ato të qytetarëve që përballen çdo ditë me rritjen e çmimeve, rritjen e taksave, rënien e fuqisë blerëse dhe papunësinë e lartë që ka vështirësuar jetën e tyre.
Partia Demokratike është në krah të çdo sipërmarrësi të ndershmëm dhe po bashkëpunon me ekspertët më të mirë të botës së biznesit, akademikët dhe këshilltarët tanë nga vendet partnere, për të ndërtuar alternativën ekonomike për të cilën Shqipëria ka nevojë.
Ne jemi të bindur se lufta kundër monopoleve dhe korrupsionit është jetike dhe intensifikimi i saj do të çlirojë energji të jashtëzakonshme në ekonomi , duke i dhënë një perspektivë të re zhvillimit të vendit në rrugën tonë drejt Bashkimit Europian.