Aktualitet

Basha- Ramës: Shqiptarët prisnin përgjigje, ti i gënjeve sërish

               Publikuar në : 20:51 - 21/11/20 liberale

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reagaur pas deklaratave të kryeministrit Rama, ku ka kërkuar një hetim të plotë për shifrat e viktimave të Covid-19.

Kryedemokrati tha se Rama vazhdon të gënjejë dhe t’i ikë përgjegjësisë dhe se mashtrimi me shifrat zyrtare është përgjegjësi e Kryeministrit dhe jo e mjekëve, që po sakrifikojnë gjithçka në këtë betejë.

“Shqiptarët prisnin sot përgjigje. Por Rama vazhdon të gënjejë dhe t’i ikë përgjegjësisë.

Ai ka gënjyer në lidhje me numrat e viktimave. Nuk janë shifra, por janë qytetarë, janë nëna, baballarë që kanë humbur jetën.

Pasi i ka braktisur dhe i ka lënë pa asnjë mbështetje mjekët dhe infermierët në frontin e përballjes me pandeminë, ai po i keqpërdor ata.

Mashtrimi me shifrat zyrtare është përgjegjësi e Ramës, jo e mjekëve që po sakrifikojnë gjithçka në këtë betejë.

Ai ka braktisur shqiptarët dhe familjet e tyre, për të cilat nuk jep asnjë mbështetje financiare nga qeveria.

Rama po shpërfill dhimbjen dhe vuajtjet e qytetarëve, që kanë nevojë për ndihmë.

Njerëzit po vdesin përditë. Spitalet po kolapsohen. Biznesi po falimenton. Varfëria dhe papunësia po rriten.

Në vend që të ndihmojë shqiptarët, në vend që të përballet me të vërtetën dhe realitetin, Rama vazhdon avazin e sulmeve politike dhe gënjeshtrave.

Nëse nuk ke asgjë për të fshehur, prano direkt një hetim të plotë të të gjithë informacioneve që jo mjekët, por ti, ke fshehur në lidhje me viktimat e COVID-19.

Boll u fshehe pas gënjeshtrave dhe sulmeve politike. Jepu përgjigje të vërteta qytetarëve të Shqipërisë”, tha Basha në një komunikim live në Facebook.

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back