Aktualitet

Balla premton ligj të ri për “rifreskimin” e Policisë së Shtetit

Shkruar nga Liberale
Balla premton ligj të ri për “rifreskimin” e Policisë

Ministri i Brendshëm në Shqipëri, Taulant Balla premtoi se do të dërgojë në Kuvend disa ndryshime në ligjin për Policinë e Shtetit, i cili do të lehtësojë procesin e rifreskimit të kësaj organizate.

Lajmi u bë i ditur nga zyrtari shqiptar, duke cituar fjalën e tij gjatë një takimi me pedagogë e drejtues të Universitetit të Tiranës.

Arsyeja e kësaj tryeze të përbashkët ishte ngritja e urave të bashkëpunimit institucional në kuadër të programeve të ekselencës për Policinë e Shtetit.

Balla u shpreh në vijim se trupa e Policisë ka nevojë të rinovohet dhe të thellojë vetëpastrimin e saj.

Në fjalën e tij, zyrtari shqiptar u shpreh se sfida për ta rinovuar Policinë e Shtetit është një sfidë e hapur.

“Sfida për një rritje cilësore të nivelit profesional dhe trajnimin e vazhdueshëm të punonjësve të Policisë së Shtetit është po ashtu një sfidë e hapur. Sfida për të pastruar Policinë e Shtetit ka hyrë natyrshëm në një fazë të re, e cila natyrshëm kërkon edhe partneritete me institucione që prodhojnë kuadro me nivel të mirë dhe cilësor arsimor”, pohoi ministri.

Më tej, duke u ndalur në çështjen e bashkëpunimin me universitetin, ministri Balla theksoi se “jam sot këtu në Universitetin e Tiranës pikërisht për të  planifikuar së bashku një të ardhme të afërt të Policisë së Shtetit, e cila synon një ndryshim dhe patjetër theksi shkon te vetë-pastrirmi i radhëve të Policisë”.

“Brenda strukturës së policisë ne tashmë po krijojmë mekanizma, të cilët synojnë të promovojnë njerëz me integritet të lartë moral dhe profesional”, nënvizoi ai.

Aktualisht në tetë qarqe të vendit janë çelur aplikimet për t’u futur në Akademinë e Sigurisë, të studentëve që kanë përfunduar të dy ciklet e studimeve në fusha: drejtësi, ekonomi dhe IT, me notën mesataren 8 e sipër.

Janë 100 vende për t’u plotësuar në Policinë Kriminale, të cilat do të përzgjidhen nga ky kontingjent studentësh universitarë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH