Aktualitet

Alibeaj në Pogradec: Qeveria, e keqja më e madhe e vendit. Pas 2009-ën ramë nga pushteti sepse u fut virusi i korupsionit me nesh (LSI-ja)

Shkruar nga Liberale
Alibeaj në Pogradec: Qeveria, e keqja më e madhe e vendit. Pas

Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj zhvilloi ditën e sotme një takim me qytetarët e Pogradecit, të cilëve iu ka kërkuar votën për kandidatët e PD-së, për këshillin bashkiak.

Teksa e cilësoi Berishën si përgjegjësin kryesor për gjendjen ku ndodhet Partia Demokratike sot, Alibeaj tha se diskutimet e tij gjatë takimeve kanë qenë të orientuara tek qeveria, duke shtuar se kjo e fundit është e keqja më e madhe e këtij vendi.

Alibeaj theksoi se largimi i qeverisë nuk mund të bëhet as me revolucion paqësor, sepse, sipas tij, revolucioni është mënyra sesi dëshiron të veprojë Berisha. Alibeaj tha se nevojitej një alternativë e re në politikë, ndryshe nga Meta dhe Berisha.

Mbase e keni vënë re, ajo se çfarë kam mbajtur si fjalë apo si linjë në diskutimet e mia, ka qenë kryesisht por jo vetëm e orientuar tek Sali Berisha, e dini pse? Sepse unë mendoj këtë gjë: E keqja më e madhe e këtij vendi sot është qeveria, këtu nuk ka asnjë lloj diskutimi. Qeveria e cila përfaqësohet nga një pinjoll I diktaturës, Edi Rama. Por çfarë ka bërë ai? Nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka vazhduar të njëjtin mentalitet të mbajtjes së pushtetit, kacavjerrjes me duar, është e njëjta frymë siç edhe Sali Berisha e ka bërë dikur, kjo është e vërteta”, theksoi Enkelejd Alibeaj.

Dhe të shpëtojë Shqipëria prej pikërisht kësaj asfiksie që i ka bërë politika e vjetër 33 vjeçare, unë them që bëhet në këtë mënyrë. Nuk bëhet me revolucion paqësor siç e kemi dëgjuar nga pala tjetër. Ç’do me thënë revolucion paqësor?! Tek e fundit është një mjet dhe instrument bolshevik. Jo! Të djathtët nuk përdorin mjete të majta kundër së majtës, ndryshe pastaj nuk do të ishin të djathtë. Jo! E keqja më e madhe që quhet sot regjimi i Edi Ramës, që në fakt është një regjim post diktatorial, është regjim sovjetik. Mungesë lirie, mungesë hapësire, frymëmarrjeje, shantazh apo jo? Edhe sot në fushatë vazhdon presioni I shtetit ndaj njerëzve, në 2023-in, vend I NATO-s, në Europë”, shtoi më tej Alibeaj.

Kryetari i komanduar i PD-së tha se në 2009, pakur Sali Berisha bëri aleancë me Metën, qeverisja e Partisë Demokratike ra poshtë e poshtë dhe ndodhet sot në këtë gjendje.

“Çfarë zgjedhjesh janë këto? Atëherë mënyra më e mirë është që të nxjerrim një alternativë tjetër. Cila është alternativa tjetër? Për çfarë akuzohet sot Rama që e ka ngritur në sistem? Për korrupsion. Nga fillimi deri në fund, nga Tirana e deri në skajin më të largët të Shqipërisë, fjala e vetme që ata të cilët sot janë në shtet, nga kryeministri e deri tek nën-punësi më i rëndomtë, ngrihen në mëngjes dhe thonë çfarë do vjedh sot. Si do ta vjedh sot, si do t’ia nxij jetën njerëzve, si do t’ia zhvas ato lekë nga xhepi. Dhe simptomat janë të tilla, njerëzit ikin. Ikin njerëzit sepse të themi atë që është, se deri më tani as nuk ju kemi dhënë shpresë”.

“Shqiptarët nuk janë popull nomad, marrin trastat dhe të ikim, jo! Duhet që shqiptarët të rrinë këtu, të kenë një alternativë, të kenë një mundësi të besueshme. Dhe që ta bëjmë këtë, ne nuk duhet të pranojmë asnjë nga simptomat e Ramës, po që i ka veshur edhe Berisha. I korruptuar Rama, i korruptuar Berisha. Kjo është e vërteta, në 2013-ën pse ramë ne nga qeveria? Këtu kemi qenë të gjithë. Ramë nga qeverisja se në 2009-ën kur Sali Berisha beri aleancë me Ilir Metajn, qeverisja jonë mori poshtë e më poshtë. Virrusi I korrupsionit i futur në qeverisjen tonë në atë kohë, u bë një rrugë që filloi të ndiqej edhe nga njerëzit tanë”.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH