Editorial

Albin Kurti, fati i mirënjohur i radikalit

Shkruar nga Liberale
Albin Kurti, fati i mirënjohur i radikalit

Ervis Iljazaj

Mosbesimi i Qeverisë Kurti nga shumë zëra në opinionin publik dhe mbështetës të tij, në Kosovë dhe në Shqipëri, është parë si një atentat ndaj demokracisë, si një puc institucional, apo tradhti ndaj votuesve.

Ky është një mit i cili po ngrihet në mënyrë të ekzagjëruar dhe aspak të vërtetë duke patur parasysh  formën e qeverisjes në Kosovë dhe parimet e demokracisë parlamentare. Sepse, si formimi i qeverisë Kurti, si rrëzimi i saj janë njësoj demokratike dhe shprehje e vullnetit të parlamentit, si organi më i lartë dhe përfaqësues i qytetarëve të Kosovës.

Nëse largimi i Albin Kurtit nga posti i Kryeministrit është mirë apo keq për Kosovën është një cështje që mund të diskutohet, mosbesimi ndaj qeverisë së tij dhe hapja e rrugës për formimin e një qeverie të re nuk ka shumë vënd për diskutim, pasi ajo është në përputhje me parimet e formës së qeverisjes parlamentare.

Në republikat parlamentare pushteti ekzekutiv nuk del nga  vota e qytetarëve, por nga Parlamenti. Askush në fletët e votimit në Kosovë dhe në cdo repbulikë parlamentare nuk voton për emrin e kryemisnitrit, por vetëm për partitë politike dhe deputetët që janë përfaqësuesit e tyre. Pikërish për këtë arsye quhen të tilla. Nëse do të ishte ndryshe, Albin Kurtit nuk do ti duhej të bentë dy muaj negociata me Isa Mustafën, por do të merrte në mënyrë të menjëhershme postin e Kryeministrit. Në republikat parlamentare, është parlamenti ai që nëpërmjet mocionit të besimit dhe mosbesimit formon dhe rrëzon qeveri të ndryshme, deri sa brenda tij të mos gjendet një mazhorancë politike dhe detyrohet të shpërndahet për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Kështu ndodh në të gjitha republikat paralamentare ne Europë.

Në Itali përshembull, brenda një mandati katër vjecar, kryeministri dhe qeveritë ndërrohen minimalisht dy herë. Kështu parashikon dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ku nëpërmjet mocionit të mosbesimit kostruktiv të cilin e ka marrë nga modeli gjerman,  parlamenti ka të drejtë të mosbesojë një kryeminstër dhe në të njëjtën kohë të emërojë një të ri.

Prandaj, të thuash që rrëzimi i qeverisë Kurti dhe formimi i një qeverie të re është anti-demokratik dhe jo kushtetues, aq me tëpër kur  ky mosbesim është votuar nga 75 përqind e parlamentit të Kosovës, është një absurditet dhe panjohuri e parimeve të demokracisë përfaqësuese parlamentare. Lëvizja Vetëvendosje përfaqëson vetëm një të katërtën e qytetarëve të Kosovës dhe nuk mund ti imponohet pjesës dërrmuese të të saj.

Megjithatë, ky nuk është problemi kryesor i Albin Kurtit lider. Problemi më i madh i tij, është fati që kanë patur historikisht politikanët radikal. Radikalët futen në një rreth vicioz nga i cili nuk dalin dot.Kur ata janë në opozitë i duhet të jenë të tillë për të fituar konsensus, ndërsa kur janë në qeveri i duhet të bëjnë marrëveshje dhe të harrojnë pozicionet e tyre opozitare. Mirëpo nëse e bëjnë këtë humbasin mbështetjen popullore. Për këtë arsye, shpesh herë detyrohen të largohen. E njëjta gjë ndodhi dhe me Albin Kurtin, ku premtimet e tij  nuk mund të realizoheshin dot, pasi ato ishin premtime radikale, aq me tëpër kur pushtetin nuk e kishte vetëm.

Politika është ai arti i të mundurës, që nëpërmjet marrëveshjeve dhe konsensusit arrin cdo vendimarrje, duke marrë parasysh të gjitha interesat, bindjen dhe besimet në një shoqëri komplekse dhe hapur. Mirëpo radikalët e kanë vështirë marrëveshjen dhe konsensusin, pasi forca e tyre janë pikërisht qëndrime të tilla, prandaj, sa herë që janë në pushtet dështojnë.

Tashmë historia do të fillojë nga e para. Jo vetëm që Vetëvendosje dhe Albin Kurti nuk do të nxjerrë asnjë mësim nga kjo histori, por aksionet e tyre do të jenë edhe më radikale dhe të forta, me justifikimin absurd se vendimi i Gjykatës Kushtetutese ishte i padrejtë. A thua se e kanë tagër të gjykojnë gjykuesin!? /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH