Rainer Zitelmann
Votuesit gjermanë do t’u drejtohen më 26 shtator qendrave të votimit. Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare ekzistojnë të gjitha shanset që Annalena Baerbock të bëhet kancelarja e ardhshme e Gjermanisë në fund të qeverisjes 16-vjeçare të kancelares Angela Merkel.
Prej disa javësh, partia e Baerbock – të Gjelbrit gjermanë-renditet e para në shumicën e sondazheve, përpara bllokut CDU/CSU të Merkel. Për një farë kohe, nuk ishte e qartë se cilin nga dy udhëheqësit- Annalena Baerbock apo Robert Habeck – do të nominonin të Gjelbrit për kancelar.
Pastaj më 19 prill, partia konfirmoi Annalena Baerbock si kandidaten e tyre zyrtare. Nëse zgjidhet, Baerbock 40 vjeçe, do të ishte kancelarja më e re në historinë e Republikës Federale. Njëherazi ajo do të ishte kancelarja më e majtë që ka pasur Gjermania.
Ajo ka studiuar politikë dhe të drejtën ndërkombëtare, dhe ka qenë bashkë-udhëheqëse e të Gjelbërve gjermanë që nga janari i vitit 2018, një rol që ajo e ndan me Robert Habeck. Të Gjelbrit e shohin veten si një parti feministe, dhe ky mund të ketë qenë faktori vendimtar pse Baerbock u zgjodh si kandidatja zyrtare për kancelare.
Në zgjedhjet e fundit federale më 24 shtator 2017, të Gjelbrit morën vetëm 8.9 për qind të votave, duke qenë partia më e vogël nga 6 forcat politike të përfaqësuara në parlamentin gjerman. Sipas sondazheve më të fundit, të Gjelbrit do të sigurojnë këtë herë24-28 për qind të votave.
Të njëjtat sondazhe e pozicionojnë për herë të parë në vendin e dytë CDU/CSU (Kristiandemokratët, partia qeverisëse e Angela Merkel). Sigurisht, është ende e mundur që gjërat të ndryshojnë deri në shtator. Por çfarëdo që të ndodhë, të Gjelbrit do të kenë një ndikim vendimtar mbi politikat e ndjekura nga qeveria e ardhshme federale e Gjermanisë. Tek e fundit, qeveritë e vetme të mundshme të koalicionit pas zgjedhjeve të shtatorit, përfshijnë që të gjitha të Gjelbrit, të cilët ose mbajnë postin e kancelarit ose të paktën marrin postin e zv/kancelarit. Mund të ndodhë që Gjermania të përfundojë me një qeveri të majtë të udhëhequr nga të Gjelbrit në koalicion me SPD dhe Die Linke.
Sondazhet e fundit sugjerojnë se këto tre parti së bashku mund të kenë shumicë në parlament. Social Demokratët (SPD) janë zhvendosur shumë fshehur majtas vitet e fundit. Ata kanë më shumë gjëra të përbashkëta me Bernie Sanders sesa Joe Biden.
Die Linke është mishërimi i fundit i ish-partisë komuniste që qeverisi Gjermaninë Lindore (pas disa ndryshimeve të emrit). Partia drejtohet nga trockistja JanineWissler. Në një skenar tjetër, të Gjelbërit mund të formojnë një koalicion me CDU/CSU.
Të dyja palët kanë deklaruar se janë të hapura për këtë ide. Më pak e mundshme, por që nuk mund të përjashtohet tërësisht, është një qeveri federale e udhëhequr nga të Gjelbrit së bashku me SPD dhe partinë pro-tregut FDP.
Në aspektin e politikës evropiane, të Gjelbërit janë të përkushtuar të lëvizin përtej konceptit të shteteve-kombe për të krijuar një “Republikë Federale Evropiane”. Për këtë qëllim, ky grupim politik dëshiron që “BE-së t’i jepet një instrument për të krijuar një politikë të përhershme fiskale, përdorimi i së cilës nuk mund të bllokohet nga vendet individuale në rastin e ndonjë krize”.
Në thelb, kjo do të nënkuptojë mos-fuqizimin e parlamenteve kombëtare, dhe përdorimin e pagave minimale dhe standardeve të larta shoqërore në të gjithë Evropën. Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndërkombëtare, Baerbock dëshiron që politika e jashtme e Gjermanisë të drejtohet pothuajse ekskluzivisht nga parimet morale.
Nga ana tjetër, interesat ekonomikë, shqetësimet politike dhe politika e sigurisë nuk luajnë asnjë rol. Për shembull, të Gjelbrit synojnë të jenë më të ashpër në marrëdhëniet me Kinën dhe Rusinë. Por kjo partia është gjithashtu kritike ndaj Shteteve të Bashkuara, dhe e refuzon idenë e shpenzimit në mbrojtje të2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Në frontin e brendshëm, ekziston edhe çështja shumë e diskutueshme e emigracionit. Që nga viti 2015, Annalena Baerbock e ka mbështetur politikën e emigracionit të kufijve të hapur të Angela Merkelit. Manifesti elektoral i Partisë së Gjelbër, shkon deri atje sa të mbrojë një “politikë mikpritëse të emigracionit”.
Dhe tani, të Gjelbrit po përpiqen që të dëbojnë nga partia një politikan të njohur, Boris Palmer, kryetarin e bashkisë së qytetit Tübingen. Ai ka qenë një kritik i fortë i politikave të partisë së tij për kufijtë e hapur, dhe Baerbock e akuzoi ditët e fundit si “racist”. Palmer u kundërpërgjigj duke sulmuar partinë e tij për “kulturën e anulimit”.
Një nga tiparet kryesore dalluese të të Gjelbërve, është mënyra se si kjo partia politike mbetet e shkëputur nga sektori i biznesit. Rreth 44 për qind e anëtarëve të saj janë nëpunës civilë ose punojnë në sektorin publik. Nëpunësit civilë përfaqësojnë gjithashtu grupin më të madh midis mbështetësve të partisë.
Sa i përket politikës ekonomike, të Gjelbrit mbrojnë një rol shumë të fortë të shtetit. Si “zgjidhjen fundore” në rastin e një krize të madhe, ata kanë bërë thirrje për shtetëzimin e pasurive të patundshme të kompanive. Në kryeqytetin gjerman, Berlin, të Gjelbrit po mbështesin në mënyrë aktive një nismë për të shtetëzuar kompanitë e strehimit që zotërojnë më shumë se 3 mijë apartamente me qira.
Pastaj është taksa e pasurisë, e cila në Gjermani është shfuqizuar në vitin 1997. Të Gjelbrit duan që ta rivendosin atë taksë për prona që vlejnë 2 milionë euro ose më shumë. Ndërkohë atyre që fitojnë më shumë, do t’u kërkohet gjithashtu të paguajnë më shumë se 50 për qind taksë mbi të ardhurat.
Për çështje të tilla, kjo parti ndan të njëjtin qëndrim me SPD dhe Die Linke, të cilët mbështesin thirrjen për rivendosjen e taksës së pasurisë, dhe për një rritje të konsiderueshme të taksave mbi të ardhurat.
Nëse Die Linke do të ketë sukses në zgjedhjet e shtatorit, atëherë niveli më i lartë i tatimit mbi të ardhurat do të rritej deri në 75 për qind.
Biznesmenët në veçanti, janë të zhgënjyer nga perspektivat e një qeverie të majtë trepartiake, dhe shumë prej tyre po mendojnë tashmë ta braktisin Gjermaninë, nëse vendosen vërtet taksa të tilla. Annalena Baerbock po përfiton aktualisht nga fakti që media – dhe sidomos transmetuesit televizivë – kanë simpati për të.
Shumë gazetarë duket se kanë një prirje të natyrshme për të mbështetur partinë e saj. Stacionet televizive thuajse shtetërore, ARD dhe ZDF, nuk e kanë fshehur aspak mbështetjen e tyre ndaj saj. Një gazetar konservator pyeti disa ditë më parë nëse tarifat e licencës për TV dhe radio (8 miliardë euro në vit), që u kërkohet të paguajnë të gjithë gjermanët, mund të klasifikohen si donacione politike për të Gjelbrit. Madje disa analistë kanë pohuar se Merkel preferon që Baerbock ta pasojë atë si kancelare, sesa një burrë nga partia e saj.