Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, anëtare e Partisë Përparimtare Serbe – e presidentit aktual, Aleksandër Vuçiç ka thënë se rezultatet e para në 50 për qind të vendvotimeve tregojnë se partia e tyre ka fituar 47.1 për qind të votave.
Sipas këtyre parashikimeve, sipas saj, koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” ka fituar 23 për qind të votave dhe Partia Socialiste e Serbisë, 6.7 për qind të votave.
“Për Beogradin kanë nisur të arrijnë rezultatet e para”, ka thënë ajo.
Bërnabiç i ka hedhur poshtë deklaratat e mediave, opozitës dhe organizatave joqeveritare për parregullsi në zgjedhje, duke i cilësuar “gënjeshtra brutale”.
Sjellim në vëmendje se Serbia ka mbajtur sot zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore. Të drejtë vote kanë pasur rreth 6.5 milionë banorë. Qendrat e votimit kanë qenë të hapura prej orës 07:00 deri në orën 20:00, përveç rasteve ku ka pasur radhë të votuesve duke pritur në qendrat e votimit.
Kryetari i Komisionit Zgjedhor të Serbisë, Vlladimir Dimitrijeviç, ka thënë se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë – gjithsej 8.273. Fillimisht do të numërohen votat për Parlamentin, më pas për krahina dhe ato lokale./REL