Analizë

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Një dekadë e humbur për integrimin e Shqipërisë në BE

Shkruar nga Liberale
EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Një dekadë e humbur për integrimin e

Ervis Iljazaj

Nëse ka një dështim të madh të kësaj qeverie, nën drejtimin e Edi Ramës, që nga koha që kur ka ardhur në  pushtet, është padyshim procesi i integrimit të Shqipërisë në BE. Hapat e bëra që nga 2013 e deri më sot, në këtë drejtim, janë hapa të ngadalta, pothuajse të papërfillshme. Në këtë kuptim, Shqipëria ka humbur një dekadë për të realizuar aspiratën më të madhe të shqiptarëve që nga koha e përmbysjes së regjimit komunist dhe instalimit të pluralizmit.

Edhe lajmet që vijnë sot nga mbledhja e Këshillit Europian nuk janë aspak të mira. Me të gjitha gjasat nuk ka një datë të saktë se kur do të fillojë hapja e kapitujve të parë të procesit të integrimit të Shqipërisë. Në raportin e publikuar nga mediat, Këshilli Europian thekson se Shqipëria vazhdon të ketë ende probleme me dialogun politik, me respektimin e lirive të fjalës së lirë, apo respektimin e pakicave.

Nuk është e sigurt nëse ky stopim vjen për shkak të vetos dhe ndikimit grek apo jo. Por po të shikosh kritikat që merr Shqipëria për respektimin e pakicave apo te drejtave të pronës, duket qartë se dora greke në këtë raport ka bërë punën e saj. E vërteta është se Shqipëria nuk është se ka ndonjë problem me respektimin e të drejtave të minoriteteve, aq më pak të asaj greke. Përkundrazi, ndoshta është shteti që i respekton më shumë nga të gjithë në rajon. Jo për faktin se është një shtet demokratik, por për faktin se në këto 30 vite ka qenë një shtet servil ndaj fqinjëve dhe kryesisht Greqisë.

Megjithatë, përtej faktin nëse Greqia ka ndikim apa jo në raportin e Këshillit të Europës, fakti mbetet. Shqipëria në këto vitet e fundit ka bërë hapa pas në procesin e integrimit. Në shumicën e rasteve Edi Rama dhe qeveria e tij ia ka faturuar këtë dështim Europës. Ka pretenduar gjithmonë se fajin e ka politika dhe mosmarrëveshjet e brendshme të saj. Edhe kësaj here ka po të njëjtin qëndrim, ashtu sikurse deklaroi në Kongresin e Partisë Socialiste se, “nëse na bllokohet hapja e kapitujve ne do të kthehemi krenar nga Brukseli, pasi Shqipëria i ka përmbushur detyrat e saj’’.

E njëjta retorikë, i njëjti justifikim që përdoret këtu e 10 vite. Në disa raste kjo tezë mund edhe të qëndrojë. Por e vërteta qëndron gjithmonë në mes. Është e vërtetë se kjo periudhë nuk ka qenë nga më të favorshmet për zgjerimin e BE-së, por po ashtu është i vërtetë fakti se Shqipëria nuk i ka kryer siç duhet detyrat e saj.

Nëse Shqipëria sot  do ishte një shtet demokratik, me të gjitha parametrat që kërkon integrimi në BE, vështirë se konteksti jo i favorshëm do të ndalte integrimin ë saj dhe avancimin e procesit. Përpara se të gjejmë fajin te të tjerët, duhet ta kërkojmë atë te qeveria shqiptare dhe te ata që na kanë qeverisur në këto 10 vite për dështimet e panumërta dhe kohën e humbur në këtë drejtim.

Problemi i Edi Ramës dhe qasjes që ai ka patur në 10 vite ndaj këtij procesi, është fakti se ai e konsideron BE-në si një organizatë gjeopolitike, që herët apo vonë, për interesat e saj do ta integrojë Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor. BE-nuk është vetëm një organizatë gjeopolitike, por edhe një sistem qeverisës dhe vlerash të përbashkëta. Edhe nëse i intereson integrimi i Shqipërisë gjeopolitikisht, por ne nuk plotësojmë kushtet bazë të parimeve të tyre dhe kriteret e Kopenhagenit, vështirë se do të bëhemi pjesë e klubit më demokratik të botës.

Prandaj, edhe vonesa që vjen nga mbledhja e radhës, përpara se t’ja hedhim fajin lobimit grek, i cili sigurisht, që nëse e ka bërë ka abuzuar qartësisht me një të drejtë që ja njeh procedura Evropiane, apo përpara se t’ja hedhim fajin Europës, duhet me patjetër të shikojmë nga vetja. Kjo është detyra jonë, kjo është detyra e një qeverie e cila vërtetë e ka synim dhe objektiv integrimin e Shqipërisë në BE.

Sepse kështu siç po shkojnë punët, shqiptarët dalë-ngadalë po mësohen me idenë se të mbetur jashtë Europës nuk është ndonjë problem i madh për Shqipërinë. Ndërkohë që, integrimi në BË është e vetmja rrugë dhe e vetmja shpresë për të ardhmen e Shqipërisë dhe të ardhmen e shqiptarëve. Integrimin nuk e duan dhe nuk u  intereson vetëm pushtetarëve. Kjo tashmë është e qartë. Rreziku qëndron te fakti se, edhe shqiptarët po mësohen me kë ide, të lodhur tashmë nga pritja e gjatë.

Poll
SHQIPENGLISH