Aranit Muraçi
Të dhënat zyrtare tregojnë se krahasuar me 8 vite më parë, në auditorët e universiteteve publike dhe private ka 50 mijë studentë më pak, ose rreth 124 mijë të rinj.
Kjo është shifra e vitit 2022, nga 174 mijë që ishin në vitin 2014. Megjithatë, nga shifrat zyrtare nuk është e qartë, veç mbylljes së disa mini-universiteteve, nëse para këtij viti numëroheshin edhe studentët “Part-time” apo ata të “Korrespodencës”. Gjithsesi, rënia e lindjeve gjatë dy dekadave të fundit, plakja e popullsisë, dhe emigracioni që nuk po ndalet, konsiderohen ndër faktorët kryesorë të rënies së numrit të studentëve. Një tjetër faktor i rëndësishëm mbeten politikat aspak favorizuese për arsimin e lartë në vend. Shqipëria renditet në botë, si një ndër vendet me investimet më të ulëta në arsim, të cilat kapin shifrën e 3.2 për qind të GDP.
Nga 31 mijë maturantë që mbyllën shkollën këtë vit 11.075 prej tyre kanë aplikuar për të ndjekur studimet jashtë Shqipërisë. Në Itali shifrat zyrtare tregonin se studentët shqiptarë përbënin numrin e dytë më të madh nga komuniteti i huaj që studionte në universitetet e këtij vendi.
Gjermania është aktualisht tregu më i madh i Europës që po tërheq të rinjtë shqiptarë. Numri i përgjithshëm i studentëve të huaj, që studiojnë në Gjermani, ishte një vit më parë 416,437. Numri i studentëve të huaj në Gjermani sipas shifrave zyrtare është rritur ndjeshëm gjatë nëntë viteve të fundit. Një rritje prej 38.1% në regjistrimin e studentëve të huaj ka ndodhur midis viteve 2014 dhe 2021. Madje numri i studentëve të huaj është rritur me 1.17% në dy vitet e fundit. Brenda një periudhe 5-vjeçare - nga viti 2017 deri në vitin 2021- regjistrimi i studentëve të huaj në Gjermani u rrit me 16%.
Kina kryeson listën e të huajve me 40,122 studentë, ndër vendet kryesore me më shumë studentë të huaj në Gjermani. Pas Kinës, India është vendi i dytë me numrin më të madh të studentëve të huaj në Gjermani (28,542), e ndjekur nga Siria me 16,931 studentë dhe Austria (13,612). Vitet e fundit raportohet për një numër në rritje të shqiptarëve, të cilët, ashtu si për tregun e punës, zgjedhin Gjermaninë edhe për studime.
[caption id="attachment_1270285" align="alignnone" width="1112"] Numri i studentëve të huaj në Gjermani[/caption]
Siç dihet Gjermania, por jo vetëm, gjatë viteve të fundit ka hapur dyert për profesionistë nga Shqipëria. Shumë mjekë dhe infermierë, kryesisht të sapo-diplomuarit janë larguar drejt Gjermanisë. Inxhinierë dhe ekspertë të teknologjisë apo çështjeve sociale, po i rrëmben tregu gjerman. Paralelisht Gjermania gjatë viteve të fundit po merr edhe studentët.
Në Shqipëri, prej braktisjes vitet e fundit në universitetet publike janë mbyllur disa degë, ndërsa janë vënë në rrezik braktisjeje edhe disa programe të tjera akademike. Nuk dihet asgjë se cilat janë nevojat e tregut tonë për disa nga inxhinieritë si ato të minierave, të naftës, mekanikja, elektrikja, mjedisi etj, për shkak të mungesës së një studimi. Edhe ata pak studentë të diplomuar gjatë viteve të tranzicionit në këto degë, duke qenë se u përballën me vështirësi që të gjenin punë në profilin përkatës, janë larguar në vendet e zhvilluara të cilat kërkojnë profesionistë të fushave përkatëse. Jo vetëm vendet e Europës dhe SHBA, por veçanërisht Kanadaja, një vend që i kushton rëndësi zhvillimit bujqësor, i ka rrëmbyer vitet e fundit vendit tonë mjaft specialistë të diplomuar dhe me eksperiencë, në veterinari dhe agronomi.
Këtë vit, nga rënia e ndjeshme e aplikantëve në disa degë Ministria e Arsimit ka vendosur që të hapë dyert e universiteteve për të gjithë nxënësit, të cilët nuk arrijnë dot të kapin degën e përzgjedhur brenda tri raundeve të regjistrimit, duke shtuar një raund të katërt, ku në bazë të kuotave të paplotësuara që kanë universitetet, maturantët mund të regjistrohen pa garë aty ku të duan.
Ekspertët thonë se në asnjë vend të botës nuk kontrollohet nga ministria e arsimit hyrja në universitet. Gjithashtu vendosja e mesatares si kriter, është një tjetër pengesë. Shumë janë ata që besojnë se mesatarja është rritur artificialisht, ndërkohë që maturanti nuk e di se ku i ka aftësitë më të mira. Janë universitetet ata që kanë të drejtën sipas kritereve të tyre të zgjedhin studentët. Zgjidhja ideale është që maturantët t’i nënshtrohen një testimi në fakultetet ku dëshirojnë të studiojnë, siç edhe ka qenë kjo praktikë në vendin tonë, dhe në bazë të rezultateve apo kritereve të pranimit që vendosin vetë universitetet duhet të behet përzgjedhja e studentëve. Ministria e Arsimit mund të testojë me të njëjtin rigorozitet, për shembull, nëse synon rritjen e cilësisë, pedagogët e universiteteve publike, mbi aftësitë e tyre, cilësinë e mësimdhënies, apo edhe mbi standardin e vlerësimit të studentëve. /Liberale.al/