Showbiz

10 qytetet më të shtrenjta në botë, për vitin 2023

Shkruar nga Liberale

Rritja e kostove të jetesës ka bërë që shumë qytete në botë të cilësohen ndër më të shtrenjtat për të jetuar në botë. Sipas indeksit vjetor të kostos botërore të jetesës që është publikuar nga Economist Intelligence Uni t (EIU), kostoja mesatare e jetesës u rrit me 7.4% këtë vit.

CNN, referuar studimit, shkruan se qytet-shtet i Singapori dhe Zyrihu i Zvicrës janë cilësuar si dy nga qytetet më të shtrenjta në botë. Kalimi i këtij të fundit nga vendi i gjashtë në krye  të listës në 2023-shin, i atribuohet fuqisë së frangës zviceriane së bashku me çmimet e larta të ushqimeve, mallrave shtëpiake dhe atyre të argëtimit. Nga ana tjetër, Singapori dallohet për transportin dhe veshjet shumë të kushtueshme.

Edhe pse New Yorku u barazua me Singaporin për kostot e shtrenjta të jetesës vitin e kaluar, destinacioni amerikan ku çmimet janë rritur me 1.9% ka rënë në vendin e tretë, duke u barazuar kështu me Gjenevën e Zvicrës.

Hong Kongu, i vetmi destinacion aziatik në 10-shen e qyteteve më të shtenjta në botë renditet në vendin e pestë, Los Angelosi në vendin e gjashtë dhe Parisi në të shtatin.

Tel Avivi i Izraelit ndan vendin e tetë me Kopenhagen të Danimarkës. Megjithatë, vlen të përmendet se studimi është kryer para shpërthimit të konfliktit Izrael-Hamas në Tetor.

Listën e qyteteve më të shtrenjta në botë e mbyll San Francisko, i cili pozicionohet në vendin e dhjetë për vitin 2023.

Në studim thuhet se rimbëkëmbja e ngadaltë pas pandemisë dhe kërkesa e ulët e konsumatorit ishin ndër faktorët që çuan në zbritjen me disa vende të disa prej qyteteve që më përpara cilësoheshin si shumë të shtrenjta.

Damasku në Siri mbetet qyteti më i lirë në botë. Teherani, Irani dhe Tripoli, Libi, janë gjithashtu afër fundit, duke u renditur respektivisht në vendin e 172 dhe 171.

Shërbimet, ndihma shtëpiake dhe kostot e duhanit ishin më të lartat në qytetet amerikane, ndërsa ato të Evropës Perëndimore ishin disa nga më të shtrenjtat kur bëhej fjalë për transportin dhe mallrat shtëpiake. Sipas sondazhit, ushqimet dhe alkooli ishin më të kushtueshme në qytetet aziatike.

Kostoja Botërore e Jetesës 2023 anketoi 173 qytete të mëdha, duke krahasuar më shumë se 400 çmime individuale në 200 produkte dhe shërbime.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH