UET PRESS promovoi romanin “Anjeza nuk u zgjua” me autor Preç Zogajn
Një histori dashurie në Lezhën e viteve 1985 rikthen Preç Zogajn, një personalitet në letrat dhe mendimin shqip në gjininë e prozës. “Anjeza nuk u zgjua” quhet romani që UET PRESS ka hedhur tashmë në treg, pjesë e kolanës Leteratura, një kolanë kushtuar letërsisë dhe autorëve shqiptarë. Libri u promovua dje në ambientet e Xheko Imperial, në një ceremoni ku morën pjesë personalitete të letrave dhe jetës shoqërore në vend. Belina Budinim, Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane dhe Drejtuese e Departamentit të Humaniteteve dhe Komunikimit në Universitet, vlerësoi figurën e Zogajt si tepër të rëndësishme për shoqërinë shqiptare, dhe pjesë të vyer jo vetëm të Institutit Europian Pashko ku është dhe president, por tashmë dhe si autor i UET PRESS dhe lektor në UET. Botuesi Henri Çili, vlerësoi personalitetin e Zogaj dhe kontributin e tij në skenën kulturore shqiptare. Kritiku Agim Baçi vlerësoi romanin e Zogajt, për stilin e mënyrën sesi ndërton një histori që na kthen pas në kohë, e na tregon rrugëtimin e një dashurie mes dy të rinjve si Anjeza dhe Davidi. Sipas tij ky është një roman për dashuritë e pamundura. Alda Bardhyli, drejtore e UET PRESS u shpreh se me këtë roman Zogaj i rikthen prozës bashkëkohore shqipe atë çfarë në prozën e shekullit 19-20; shihej si shkëlqimi i saj, realizmin.
“Janë dy elementë që e bëjnë këtë vepër një roman që pasuron prozën bashkëkohore shqipe. E para ky roman është një roman thellësisht realist. Borghesi shprehet se proza e gjatë nuk është e plotë nëse nuk vendoset në shtratin e saj realist. Përshkrimi i ngjarjeve dhe situatave ku kalon fabula e këtij libri e bëjnë letërsinë të përftojë një sërë elementësh, një prej të cilëve bëhet më i dukshëm teksa lexon këtë libër. Zogaj na ofron një qytet letrar. E kemi parë një qytet të tillë letrar tek Kadareja me “Kronikë në gur”, tashmë Lezha shndërrohet në një qytet të tillë tek ky libër. E dyta është tragjizmi. Asnjë roman nuk është i plotë pa tragjedinë, dhe ky roman më shumë se një libër dashurie është një libër që flet për tragjizmin historik të femrës shqiptare të cilën letërsia shqipe shumë pak e ka elaboruar”, u shpreh Bardhyli.
Vetë autori u shpreh se me këtë vepër ka dashur të tregojë njerëzoren, atë që ka përshkruar gjithnjë rrugëtimin e një shoqërie pavarësisht kushteve historike ku ka jetuar. E pse është një vepër që na çon pas në kohë, në Shqipërinë komuniste, dy personazhet kryesorë pavarësisht barrierave për të qenë me njëri tjetrin, tregojnë shpirtin e një kohe që ka gëluar, dhe ka dashuruar pavarësisht kontekstit. E gjithë vepra përshkrohet nga erosi, si një formë përmes së cilës autori shpalos idetë.
Zogaj sjell në këtë libër një histori të plotë dashurie atë të Anjezës me Davidin që të bëjnë menjëherë për vete teksa i lexon. E pse është një roman voluminoz lehtësia dhe kultura e shkrimit të bëjnë që librin të mos e lëshosh nga dora.”Ky është një roman mbi dashurinë, atë të përjetshmen, të cilën autori i romanit e ka dëshmuar përmes poezive në vëllimet që ka botuar njëri pas tjetrit, se e njeh mirë përgjatë përjetimeve vetjake dhe e shkruan më mirë poetikisht, si rrallëkush. Por ajo që njihet poetikisht nuk është e mjaftueshme që të jetë garanci suksesi për ta shkruar në prozë. Prozatorët madje do më siguronin, duke ruajtur me një farë xhelozie sinorët e tyre, se poezia e shkruar më parë i bën keq autorit që guxon të merret me prozën, sepse ai do të rrezikonte të binte në atë mëkat që quhet poetizmi i prozës. Prozatorët shpesh i këshillojnë poetët që të mos merren me prozë, po ashtu si lojtarët e regbisë që do ta këshillonin një kërcimtar delikat baleti që të mos luajë regbi. Në një rast të tillë, faji do të ishte i prozatorëve, të cilët do të dëshmonin se nuk i njohin muskujt e padukshëm të poezisë …Aq më tepër, pasi e ke lexuar me kujdes romanin e Preç Zogajt, ndihesh i lehtësuar tek ndien që në faqet e para të romanit, se në të kundërt, autori ka shkruar një prozë thellësisht realiste, larg çdo ngasje të joshjeve nga këngët e sirenave të poezisë… Poezia në fakt ndihet, se jo vetëm që nuk e ka penguar autorin të shkruajë një roman shumë të mirë, por në të kundërt, proza e shkruar e Preçit ka limfën poetike në atë masë sa i duhet limfa dhe një lisi për të qëndruar në këmbë që të mos rrëzohet nga erërat e kritikës…”, shprehet për këtë vepër shkrimtari dhe poeti Rudolf Marku.
Libri do të jetë në librari nga UET PRESS, ndërsa lexuesi do të ketë mundësi të marri autografe nga autori së shpejti në stendën e Botimeve UET PRESS në edicionin e 22 të Panairit të Librit që do të mbahet në 13-17 nëntori në Pallatin e Kongreseve. /Gazeta Liberale