Eugjen Merlika
Kanë kaluar veçse pak ditë nga vendimi i fundit i Këshillit të kryetarëve të Shteteve e Qeverive t’Evropës së Bashkuar, përsa i përket fillimit të bisedimeve për hyrjen e Shqipërisë e të Maqedonisë së Veriut në BE dhe Jo-ja e Brukselit shkaktoi një valë të gjerë diskutimesh, që përfshinë shoqërinë shqiptare. Me që u bë e njohur se pengesa kryesore, që përcaktoi mohimin e hapjes së bisedimeve, qe Kryetari i Shtetit francez, Emmanuel Makron, i mbështetur nga kryeministrat e Holandës e të Danimarkës, ai qe emri që u lakua më shumë në bisedat e mjediseve të ndryshme të të gjithë niveleve, duke filluar nga profesionistët e politikës dhe të mediave e duke mbaruar tek qytetarët e thjeshtë në baret e panumërta të qyteteve shqiptare.
Politikanët e ndryshëm e partitë e tyre përkatëse u munduan të nxirrnin përfitimet nga ajo ngjarje, për konsum të politikës së brendshme. Opozitarët jashtë parlamentit u shquan për lavdërimet në drejtim të presidentit francez, duke ligjësuar kundërshtimin e tij e duke u munduar të “mirëkuptonin” arsyet e tij që, sipas tyre, ishin në të njëjtën hulli të padive që prej kohësh bëjnë rreth “keqqeverisjes”, “lidhjeve të shumicës qeverisëse me krimin”, “korrupsionit mbizotërues” e duke e quajtur vendimin e Brukselit si një dështim të hapur vetjak të kryeministrit Rama, të pasuar me refrenin e kaq muajve, të largimit të tij nga posti.
Kryeministri dhe mjedisi i tij vunë theksin mbi problemet e brendshme të BE, viktima të flijuara të të cilave mbetën Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, duke shpalosur me të madhe se ata i kishin plotësuar deri në një detyrat e tyre. Vlerësimet që erdhën nga shumë anë të Evropës politike, duket se i “shfajësonin” qeveritarët shqiptarë e maqedonas për veprimet e tyre, për më tepër se presidenti francez, në ligjësimin e qëndrimit të tij, u përqendrua në “problemin e madh” të disa qindra shqiptarëve që paskëshin kërkuar strehim në Francë, madje vuri në dukje se “paska qenë një gabim edhe liberalizimi i vizave, pa filluar zyrtarisht bisedimet”, një vlerësim në kufijtë e qesharakes.
Të dy këndvështrimet e ndërpretimeve të politikës shqiptare vuajnë nga anësia e subjektivizmi, duke thënë secili vetëm një pjesë të së vërtetës. Në rastin e Opozitës, janë të pajustifikuara lëvdatat për Makronin, në një kohë kur shumë drejtues shtetesh e organizmash evropiane e quajtën pa rezerva opinionin e tij që përcaktoi vendimin si “një gabim historik” të BE në kontekstin gjeostrategjik të Ballkanit e të perspektivave të tij politike. Shfrytëzimi i një fatkeqësie të përbashkët kombëtare, për të fituar kapital politik në luftën e brendshme për pushtet, nuk më duket një dukuri e lëvdueshme.
Por a gjendet një pjesë e së vërtetës së jetës shqiptare në paditë e Opozitës? Cila është përfytyresa e Shtetit shqiptar në vështrimin objektiv të qytetarëve të tij dhe t’atyre që e shohin prej së jashtmi? Me keqardhje përgjigja është: jo ajo e dëshiruara dhe e duhura. Nuk mund të jetë i tillë një shtet, në të cilin nuk shihet asgjëkund bashkërendimi i ideve e i veprimeve nga institucionet e ndryshme të tij, siç është parë kryesisht në këtë vit, kur ishte marrë premtimi zyrtar i Komisionit evropian për hapjen e bisedimeve. Gara për të prishur imazhin shqiptar nga tre përbërësit kryesorë të jetës institucionale si shumica qeverisëse, Opozita dhe Kryesia e Shtetit, ishte e pandërprerë. Pa hyrë në hollësi të njohura për të gjithë, Shqipëria e vitit në vijim nuk bëri asgjë për të merituar premtimin që kishte marrë.
Ritmet e ngadalta e pothuajse të paqena të luftës kundër korrupsionit, të konceptuar nga shumica dërmuese e qytetarëve dhe e opinionit publik si krejtësisht të pamjaftueshme, kundërshtia e vazhdueshme ndërmjet qeverisë dhe presidentit, braktisja e paparimtë e parlamentit nga pothuajse gjysma e të zgjedhurve, vendime të pamenduara deri në ndërpretimin e kushtetutës nga ana e Kryetarit të Shtetit, pa asnjë vlerë praktike, zgjedhje të bojkotuara nga 80% e popullsisë, por të quajtura plotësisht të rregullta, përgjime telefonike që nxjerrin në pah, në mënyrë të pakundërshtueshme, shkelje të rënda ligjshmërie në proceset zgjedhore që kalojnë pa asnjë pasojë në sferat e larta të drejtimit, e mjaft dukuri të tjera negative janë pasqyrë e një shteti, klasa politike e të cilit, me gjasë, është e interesuar të fërgohet në dhjamin e saj më shumë se sa të hapet drejt Evropës. Me sa duket kushtrimi i të parëve të gjysmë shekullit komunist vazhdon të jetë i fuqishëm në nënvetëdijen e drejtuesve të demokraturës pas komuniste, ashtu sikurse edhe në programin e veprimeve të tyre.
Por, nëse kjo mund të jetë dëshirë e mbuluar e një klase politike, që nuk bën asgjë për të përgënjeshtruar vetveten, përposë demagogjisë e premtimeve të pambajtura, të cilët presin kalendat greke për t’u vënë në jetë, Shqipëria reale, ajo e njerëzve të thjeshtë e të ndershëm e jo e kastave të korruptuara, e vuajti në thellësi të saj përgjigjen negative të Brukselit zyrtar. Shqipëria është e lidhur me Evropën jo vetëm gjeografikisht e historikisht, por edhe shpirtërisht e kulturalisht. Në ndërgjegjen e saj ajo ka vështirësi të pranojë pamundësinë për të sendërtuar ëndrrën e saj të shekujve, për mungesa të klasës së saj drejtuese apo për teka politikanësh t’Evropës. Ajo ka nevojë për Evropën, për përvojën e saj demokratike, për të synuar që me kohë t’arrijë një standard jetese që t’i afrohet asaj të kontinentit, për ndihmat e kapitalet e këtij të fundit, të cilat duhet të ngjallin shpresën se edhe Vendi i tyre DO TË BËHET. Ajo sheh se, me gjithë përparimet që janë bërë në këta tre dhjetëvjeçarë, në truallin e saj të lashtë ka humbur shpresa për “ditët më të mira”, që profetizonte dikur poeti kombëtar Naim Frashëri. Shqiptarët duan të shohin se mund të jetojnë si evropianë në Vendin e tyre, të sjellin Evropën në truallin e tyre, e jo t’a braktisin atë në kërkim të botës së madhe. Është një aspiratë e ligjshme, të cilën askush nuk ka të drejtë të mos e përfillë. Por Evropa është edhe sinonim i disa parimeve, rregullave, kritereve, zgjedhjeve, të cilat duhet të jenë të njëjtë për të gjithë në bashkësinë shqiptare e më gjerë, n’atë evropiane.
Nëntë kushtet që Bundestagu gjerman, në hullinë e respektimit tradicional të rregullave e shprehive të bashkëjetesës, na vuri përpara si shtet e si shoqëri, tregojnë se jemi ende larg parametrave evropianë, se nuk mund të ngrefosemi se i kemi kryer të gjitha detyrat tona, se kemi ende shumë për të bërë, duke filluar nga dialektika normale mes institucioneve, tek respektimi i meritokracisë, tek zgjedhjet e lira e të ndershme, tek njohja e rezultateve të tyre, tek moralizimi i jetës publike, tek hedhja poshtë e kundërvlerave të së shkuarës e njohja e nderimi për vlerat e vërteta të saj, etj, etj. Nëse në këto gjashtë muaj bëjmë përpjekjet e duhura për të plotësuar sendërtimin e atyre kushteve, madje duke shtuar edhe ndonjë nga vetja, mund të shkojmë në takimin e nivelit të lartë të Zagrebit, me shpresa, deri në siguri, se mund të na kumtohet n’atë qytet ballkanik të Bashkësisë hapja e bisedimeve.
Na e japin këtë siguri pohimet e pjesës më të madhe të Evropës (25 shtete) në këto ditë. Shprehja “gabim historik” u lakua në gojët e shumë shtetarëve të kontinentit të vjetër, nga Kryetari i Komisionit Junker, komisarët Hahn dhe Mogerini, kryeministri italian Konte e të tjerë. Ja si u shpreh ky i fundit në konferencën e shtypit mbas vendimit:
“Shkoi keq. U thashë kolegëve të mi që ky është një takim me historinë. Në 1400 ato treva e ato bashkësi ranë nën perandorisë Osmane. Të nesërmen e luftës së Dytë botërore ranë nën regjimin komunist. Ka një jetë që duan të hyjnë n’Evropë, aspirata e tyre është të hyjnë n’Evropë. Ai i djeshmi do të kujtohet si një gabim historik e për këtë më vjen shumë keq”
“Evropa, Komisioni, të gjithë ne kemi qenë deri në fund nismëtarë të një projekti reformues. Shpresoj se ky zhgënjim, ky ankth nuk do t’i hedhë në dëshpërim. Italia do të jetë gjithmonë pranë tyre, do t’i mbrojë, do të vazhdojë të jetë afër.”
Ishte zëri i njërit prej themeluesve të Evropës, njërit nga kryesorët në Bashkësinë evropiane e, si i tillë, një mbështetje shpresëdhënëse për Shqipërinë. Por nuk është i vetmi. Para se të merrej vendimi grupi i Vishegradit (Polonia, Republika Çeke, Hungaria e Sllovakia) kërkoi nëpërmjet një mocioni të veçantë hapjen e bisedimeve për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kryetarja e re e Komisianit, Ursula von der Leyen u shpreh para vendimit, në pajtim të plotë me paraardhësin e saj me këto fjalë. “Ka një qëndrim shumë pozitiv, për të njohur përpjekjet që kanë bërë për t’u bashkuar me BE. Këta Vende kanë bërë përparime të jashtëzakonshme dhe kanë treguar vendosmërinë e tyre: për ne vlejnë shumë dhe është e rëndësishme që t’u japim atyre një perspektivë të përbashkët.”
Vendimi negativ i Brukselit u prit me një mos miratim të hapur nga DASH i SHBA. Ai, e quajti si një veprim që dëmtonte interesat e Evropës, duke i hapur rrugë zhvillimeve favorizuese të interesave ruse, kineze, apo turke, në një zonë të rëndësishme të saj. Parlamenti evropian ka votuar për hapjen e bisedimeve, duke theksuar se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë plotësuar kërkesat, se Komisioni Evropian kishte premtuar dhe bllokimi që u bë mund të çojë në destabilizimin e rajonit. Nga 578 eurodeputetë votuan për rezolutën 412 përfaqësues të grupeve më të mëdha dhe kundër saj deputetët e partive sovraniste dhe euroskeptike. Për hapjen e bisedimeve u shpreh edhe Partia më e madhe, ajo popullore dhe kryetari i atij grupi, gjermani Veber, kandidat i saj për kryesinë e Komisionit.
Në kaq vite, në të cilët refuzimet kanë pasuar njëri tjetrin, nuk ka pasur kurrë një kundërveprim kaq masiv në dobi të Vendit tonë, si kësaj radhe. Pa dyshim kjo është një gjë tepër pozitive, që duhet të davaritë mjegullën eventuale të mosbesimit kundrejt Evropës, duke na bërë të prapësojmë çdo sirenë mashtruese që mund të vijë nga Lindja e të na bëjë t’a shohim t ‘ardhmen e afërt me optimizëm të ligjshëm. Vlen të shtohet këtu se edhe opinioni publik evropian, nëpërmjet gazetave të tij të mëdha, ka mbajtur një qëndrim të qartë në dobi të Vendit tonë e të Maqedonisë duke e quajtur si kundërprodhues e të dëmshëm për interesat e Evropës vendimin e Brukselit të 18 tetorit.
Një qëndrim i drejtë, i përgjegjshëm, i urtë, i vetëdijshëm për barrën që ka mbi shpinë politika shqiptare në tërësi, e përshkuar nga një motivim i thellë atdhetar që kalon sipër e mposht shemëritë e vogla e të mëdha politike, së bashku me bindjen e thellë se BE është e vetmja rrugë në të cilën duhet të përshkohen fatet e Shqipërisë, do të plotësonte kuadrin politik të aftë për të thyer çdo lloj mosbesimi të mundshëm kundrejt udhëtimit tonë evropian.
Për të arritur këtë synim, që do t ‘ishte sendërtimi i dëshirës shekullore të dhjetëra brezave, duke filluar nga Arbërit e Gjergj Kastriotit, politika duhet të bëjë një mea culpa të thellë e të ndërgjegjshme, në të gjithë përbërësit e saj, mbasi secili prej tyre ka diçka për të qortuar, për të korrigjuar, për të ndrequr në qëndrimin e tij. Ky ndryshim duhet të bëhet në kohë të shkurtra, mbasi atë në tridhjetë vitet e pas komunizmit e kemi shfrytëzuar shumë keq, jo me përfundimet e pritura. Edhe sot, si para tridhjetë vitesh, mbetet aktual një shkrim i botuar në shtypin e kohëve të fundit të regjimit. Autori ishte një mjek i njohur, një pjesëtar i elitës së shoqërisë, e shkrimi titullohej: “Në kërkim të kohës së humbur” dhe u quajt si një pishtar ndriçues në natën e gjatë që po linim mbas krahëve. Fakti që po e sjellim ndërmend me respekt e mirënjohje, dëshmon se nuk e kemi mbajtur sa duhej parasysh e se na duhet përsëri të flasim për “kohë të humbur”, sepse, fatkeqësisht, ajo bisedë ende është aktuale. /Gazeta Liberale