Sipas sondazheve të para, të publikuara nga transmetuesi ERT, partia Nea Dimokratia e kryeministrit në largim Kyriakos Mitsotakis kryeson midis 40 dhe 36%. Syriza , partia e Alexis Tsipras qëndron midis 29 dhe 35%. Pasok, forca e tretë politike shkon mes 12.5 dhe 9.5%.
Pjesëmarrja në votime, deri në orën 16.30 me orën lokale, ishte 48%, siç është komunikuar nga Ministria e Brendshme në bazë të të dhënave të mbledhura në 80% të qendrave të votimit.
“Ne presim të shohim rezultatet e para reale sepse kemi përvojë me zgjedhjet dhe e dimë që rezultatet aktuale mund të jenë të ndryshme”.
“Pamja që kemi është se 1 nga 3 të anketuar nuk janë përgjigjur. Pra, le të jemi të durueshëm dhe të shohim rezultatet e para reale”. Kështu komentojnë nga zyrat e Syrizës exit poll-et e publikuara me mbylljen e qendrave të votimit.
“Sot votojmë për paga më të larta, votojmë për më shumë dhe punë më të mira, për një vend më të fortë, me një rol të rëndësishëm në Evropë, me kufij të mbrojtur”, deklaroi kryeministri grek Mitsotakis jashtë qendrës së votimit, në të cilat ai kishte shkuar për të votuar mëngjesin e sotëm, në periferinë veriore të Athinës, Kifisia. Përpara gazetarëve, kreu i partisë konservatore të Nea Demokracisë tha se ishte "absolutisht i sigurt se nesër do të jetë një ditë edhe më e mirë për vendin tonë".
Sekretari i Syriza-s, Alexis Tsipras votoi gjithashtu në Athinë këtë mëngjes. Jashtë selisë së tij në qarkun e Qipselit, kreu i opozitës tha se sot grekët kanë mundësinë të “lënë pas katër vite pabarazi dhe padrejtësi” dhe një “qeveri arrogante që nuk ndjen nevojat e të shumtëve”.
Kryetari i Syriza-s më pas përfundoi: “Ndryshimi sot është në duart e popullit tonë”.
Duket se fati i qeverisë së re do të jetë koalicioni me PASOK-un, ose vendi ynë fqinj do të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme.
/Liberale.al/