Aktualitet

Vrasja e 3-fishtë në Elbasan për 50 kg kokainë, zbulohen ekzekutorët

Shkruar nga Liberale
Vrasja e 3-fishtë në Elbasan për 50 kg kokainë, zbulohen

Prokuroria e Elbasanit ka lëshuar 5 urdhër arreste lidhur me ekzekutimin e tre personave, Endrit Dylgjeri(Alibej), xhaxhait të tij Arben Dylgjeri si dhe turkut Erald Durunaj të ndodhur në 28 dhjetor të vitit 2018 në afërsi të rrethrrotullimit të Bradasheshit.

Sipas Abcnews, janë lëshuar urdhër-arreste për 3 ekzekutorët dhe 2 porositësit e vrasjes së trefishte, e cila sipas hetimeve e ka zanafillën në 50 kg kokainë të humbura në Britaninë e Madhe.

Sipas të dhënave vrasja e tyre është porositur nga dy vëllezër që jetonin asokohe në Britani. Ndërsa mësohet se gjithçka ka nisur pasi në vitin 2017 në Londër një i ri nga Elbasani po transportonte 50 kg kokainë për llogari të dy porositësve. Gjatë transportit ai i ka thënë atyre se është grabitur nga disa persona në rrugët e Londrës.

Ai është marrë peng për disa orë nga disa persona, të cilët e kishin urdhëruar të bënin transportin e lëndës narkotike, ndërsa dyshonin se kishte rënë pre e grabitjes së vëllezërve Erjon dhe Endrit Alibej dhe anëtarëve të grupit të tyre. Për t’u hakmarrë më pas ata kanë porositur ekzekutimin e Endrit Alibejt.

Në 28 dhjetor 2018, Alibej po udhëtonte bashkë me xhaxhanë e tij Arben Dylgjeri dhe shtetasin turk Erald Durunaj në Land Roverin me targa rumune dhe të tre u ekzekutuan nga autorët.

Organi i akuzës tashmë ka në dorë prova të forta që faktojnë këto akuza, përfshirë këtu përgjime ambientale që dokumentojnë ekzekutimin e ndodhur në 28 dhjetor 2018. Në makinën e autorëve kanë qenë tre persona, dy prej të cilëve kanë qëlluar ndërsa tjetri ka drejtuar automjetin Mercedez Benz.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH