Avokati mbrojtës i ish- ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, Sajmir Vishaj e ka konsideruar të turpshme vendimmarrjen për klientin e tij, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për drejtësi.
I ftuar në “Top Story”, Vishaj tha se në konkluzionet përfundimtare prej 63 faqesh, të përpiluara nga përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme, nuk jepet asnjë provë apo fakt, por 45 faqe janë të mbushura vetëm me urdhra, udhëzime dhe vendime të këshillit të ministrave.
“Sot ashtu sikurse ishte paracaktuar ishte seanca ku SPAK do të jepte konkluzionet para gjykatës, edhe pse ne si mbrojtje zgjodhëm gjykimin e shkurtuar në pamje të parë fitoi Prokuroria sepse ai lloj gjykimi nuk do të mbaronte kurrë me numrin e lartë të akteve, provave, dëshmive apo dëshmitarëve. Kurse në momentin e dytë nëse gjykata i shpall ata fajtorë, do të marrim benefitet që ata përfitojnë duke i ulur 1/3 e dënimit.
Së pari, publiku duhet të kuptojë që gjykim i shkurtuar nuk është pranim fajësie, por gjykohesh mbi ato akte të marra gjatë hetimeve paraprake. Ne si avokatër duke qenë se e pamë që nuk kishte prova dhe asnjë fakt, menduam që të hynim në gjykim të shkurtuar duke ia lënë në fund drejtësisë të vendosi fajësinë, pafajësinë ose pushimin e çështjes t’ia lëmë gjykatës.
Ajo që mua më shqetësoi ishte se, edhe pse në konkluzionet përfundimtare prej 63 faqesh, të përpiluara nga përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme, në 45 faqe janë vetëm urdhra, udhëzime dhe vendime të këshillit të ministrave. Pra, nuk jepet asnjë provë që të tregojë se është vepër penale, apo për subjektet që kanë qenë në procedim: qoftë për individin apo personin juridik.
Mendoj se sot mësuam diçka të re nga përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme, person faktik i një institucioni. Ligji nuk e njeh terminologjinë si person faktik. Ligji njeh personin juridik si subjekt të një vepre penale.
Që të jesh për gjykim duhet të jesh një person që ka mbushur moshën 14-vjeç, ose person juridik i regjistruar me administrator apo ortak i vetëm pranë QKB-së apo QKR-së”- tha Vishaj.