Showbiz

Vetmia dhe izolimi social rrisin rrezikun e vdekjes së parakohshme

Shkruar nga Liberale
Vetmia dhe izolimi social rrisin rrezikun e vdekjes së parakohshme

Studimet e mëparshme kanë zbuluar një lidhje të fortë midis izolimit social, vetmisë dhe rritjes së vdekshmërisë, por disa rezultate kanë qenë kontradiktore.

Në meta-analizën e re të 90 studimeve, pjesëmarrësit u ndoqën nga gjashtë muaj deri në 25 vjet.

Njerëzit që përjetuan izolim social kishin një rrezik 32% më të lartë të vdekjes së parakohshme nga çdo shkak sesa ata që nuk ishin të izoluar nga shoqëria.

Pjesëmarrësit që raportuan se ndjeheshin të vetmuar kishin 14% më shumë gjasa të vdisnin para kohe sesa ata që nuk ndiheshin të vetmuar.

Izolimi social, siç përcaktohet nga meta-analiza e re, ndodh kur dikush ka një mungesë objektive të kontaktit me njerëzit e tjerë ose për shkak se rrethi i tyre shoqëror është i vogël ose sepse jeton vetëm.

Vetmia, nga ana tjetër, i referohet shqetësimit subjektiv që njerëzit ndjejnë kur nuk janë të kënaqur me marrëdhëniet e tyre shoqërore, sepse nuk plotësojnë nevojën e tyre për lidhje ose intimitet, sipas meta-analizës.

Izolimi social ose vetmia mund të konsiderohet një formë stresi, thotë Turhan Kanli, profesor i Neuroshkencës në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin Stony Brook në Nju Jork, i cili nuk ishte i përfshirë në studim.

“Të gjithë ndihemi të vetmuar ndonjëherë, por kur kjo ndjenjë është e përhershme, mund të veprojë si një formë e stresit kronik, i cili është i dëmshëm,” shpjegoi ai. “Një mënyrë që kjo mund të ndodhë është përmes hormoneve të stresit që ndikojnë negativisht në trup.”

Autorët e studimit shikuan gjithashtu lidhjet midis vetmisë, izolimit social dhe vdekjes së hershme te njerëzit me sëmundje kardiovaskulare dhe kancer të gjirit ose zorrës së trashë.

Pjesëmarrësit që ishin të izoluar nga shoqëria dhe të diagnostikuar me sëmundje kardiovaskulare kishin më shumë gjasa të vdisnin para kohe sesa ata pa sëmundje. Personat e izoluar social me kancer gjiri kishin një rrezik më të lartë për të vdekur nga kjo sëmundje sesa ata që nuk ishin të izoluar nga shoqëria.

Vdekja e parakohshme nga çdo shkak ose nga sëmundjet kardiovaskulare mund të lidhet edhe me stilin e jetesës së njerëzve. Njerëzit që ndihen të izoluar nga shoqëria priren të kenë zakone jo të shëndetshme. Për shembull, ata mund të pinë duhan, alkool, të kenë zakone të këqija të të ngrënit dhe të mos ushtrojnë mjaftueshëm.

“Njerëzit që janë të vetmuar, por jo të izoluar nga shoqëria kanë stres mendor, por mund të jenë rezistent ndaj tij për shkak të rrjeteve të tyre sociale, edhe nëse ato rrjete nuk janë saktësisht ato që duan,” tha autori kryesor i studimit Fan Wang, profesor i epidemiologjisë në Universitetin Mjekësor Harbin në Kinë.

Njerëzit që përjetojnë izolim social dhe vetmi duhet të kërkojnë në mënyrë aktive mbështetje sociale, thonë ekspertët. Rrethi shoqëror është po aq i rëndësishëm për shëndetin sa dieta e duhur dhe stërvitja.

Studiuesit theksojnë se profesionistët e kujdesit shëndetësor duhet të jenë të vetëdijshëm për rreziqet shëndetësore që lidhen me izolimin social dhe vetminë dhe t’i konsiderojnë ato në kontrollet rutinë shëndetësore.

Studimi i ri u publikua në revistën Nature Human Behavior.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH