Globi

Vendosja e flamurit në ndërtesën e Komunës së Mitrovicës, Petkoviq: Qeveria e Kosovës po provokon luftë

Shkruar nga Liberale
Vendosja e flamurit në ndërtesën e Komunës së

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka quajtur “pushtim” ardhjen në detyrë të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, duke thënë se me veprimet e tyre “Kurti dhe Prishtina [zyrtare] duan të dëbojnë popullin serb nga Kosova dhe të provokojnë luftë”.

“Simboli i atij pushtimi dhe ajo leckë [flamuri i Kosovës] që e kanë ekspozuar në ndërtesën komunale të Mitrovicës…nuk do të jetë kurrë flamur për ne. Do të qëndrojë atje për aq kohë sa vetë pushtimi, dhe kjo do të thotë jo për shumë kohë”, tha Petkoviqi në një konferencë për media pas betimit të Atiq si kryetar i Komunës.

Atiqi, më 19 maj u betua para Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, procedurë kjo solemne për të marrë detyrën si kryetar. Atiqi fitoi rreth 550 vota ose 66 për qind të votave. Gjatë seancës solemne të betimit të tij, në ndërtesën e komunës është vendosur flamuri i Kosovës.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale ishte 3.47 për qind e trupit zgjedhor.

Petkoviqi në deklaratën e tij tha se është e papranueshme që dikush që ka fituar kaq vota tash të udhëheqë komunën e Mitrovicës së Veriut.

“E keni të qartë se dikush që nuk ka legjitimitet nuk mund t'i përfaqësojë qytetarët e asaj komune siç ka thënë Atiqi, kur ka deklaruar se do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve. Cilët qytetarë, kur për të kanë votuar vetëm dy serbë?”, tha ai.

Petkoviqi gjithashtu bëri të ditur se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq është duke biseduar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak për, siç tha, “të gjitha pasojat e sjelljes, incidenteve dhe provokimeve të Kurtit, të cilat mund të kthehen në krizën më të madhe deri më tani”.

Pak më herët gjatë ditës, Lista Serbe, që është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, i ka dhënë afat kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, deri më 1 qershor për të “ndaluar represionin, shpronësimin, arrestimin, persekutimin dhe sulmet ndaj serbëve”.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH