Dy anëtarë të ushtrisë japoneze u vranë dhe një tjetër u plagos, pasi kolegu i tyre qëlloi me pushkë automatike në një poligon në prefekturën Gifu (qendrore), sipas bilancit të fundit ushtarak.
“Është konfirmuar vdekja e një personi tjetër”, thuhet në një njoftim lakonik nga ushtria tokësore, ndërsa më herët flitej për një të vdekur dhe dy të plagosur. Sulmuesi i dyshuar, një rekrut i ri sipas policisë, u arrestua.
Sipas policisë, autori i dyshuar i sulmit është 18 vjeç.
Tre viktimat ishin një në të pesëdhjetat dhe dy të tjerat rreth të njëzetave. Të tre janë pjesëtarë të ushtrisë. Sipas një zëdhënësi të forcave të armatosura, i riu dyshohet se ka qëlluar të paktën tetë herë.
Krimi i dhunshëm është përgjithësisht i rrallë në Japoni, por vendi është tronditur nga disa sulme vitin e kaluar, duke përfshirë vrasjen në korrik 2022 të ish-kryeministrit Shinzo Abe dhe një sulm ndaj kryeministrit Fumio Kishida në prill, të dyja gjatë fushatave zgjedhore.
Kryeministri Kishida doli i padëmtuar nga sulmi i prillit.
Masat e sigurisë, veçanërisht për politikanët, janë shtuar që nga incidentet dhe mijëra policë u vendosën në Hiroshima muajin e kaluar për samitin e G7.
Gjithashtu muajin e kaluar, policia arrestoi një burrë të akuzuar për vrasjen e katër personave, duke përfshirë dy oficerë policie, në një sulm me thikë dhe armë gjahu në Nagano, në perëndim të Tokios.