Trajtimin për Covid-19 jo të gjithë shqiptarët ia kanë besuar sistemit shëndetësor në vend. Sipas Abc News, vetëm gjatë shtatorit dhe 20 ditët e para të muajit tetor, 80 avionë sanitarë kanë fluturuar nga Aeroporti “Nënë Tereza” në Tiranë drejt shteteve evropiane.
Mësohet, se personat qv kanë shkuar jashtë për kurim janë biznesmenë, zyrtarë, mjekë e persona që kanë paguar privatisht shërbimin.
Turqia është ndër shtetet më të përzgjedhura. Të infektuarit kanë shkuar për t’u kuruar gjithashtu në spitalet italiane, gjermane apo dhe ato austriake.
Transporti dhe trajtimi për koronavirus jashtë vendit kushton nga 30 deri në 50 mijë euro.
Mungesa e aparaturës që oksigjenon gjakun jashtë trupit duke e mbajtur një person në jetë dhe kur mushkëritë nuk funksionojnë e quajtur ECMO është shkaku kryesor që të infektuarit me koronavirus kanë zgjedhur të kurohen jashtë Shqipërisë.
Kjo pajisje e kujdesit intensiv sipas mjekëve kushton rreth 60 -70 mijë euro dhe mungon në spitalet tona.