Tetë mjekë, infermierë dhe një psikolog, që kujdeseshin për legjendën e futbollit Diego Maradona do të gjykohen për vrasje.
Maradona, i cili ishte kapiten i skuadrës fituese të Kupës së Botës të Argjentinës në vitin 1986, vdiq në nëntor 2020 në moshën 60-vjeçare.
Pasi iu nënshtrua një operacioni për një hematomë subdurale (gjakderdhje në tru), ai vdiq disa javë më vonë për shkak të arrestit kardiak.
Prokurorët tani pretendojnë se vdekja e tij ishte rezultat i "mosveprimeve" nga kujdestarët e tij.
Në dokumentin prej 236 faqesh të parë nga Reuters, gjyqtari përgjegjës për çështjen vuri në dyshim "sjelljet - aktive ose me mosveprim, të secilit prej të akuzuarve që çuan dhe kontribuuan në rezultatin e dëmshëm".
Ai tha se tetë persona, përfshirë mjekë, infermierë dhe një psikolog që kujdesej për Maradonën në kohën e vdekjes së tij, akuzohen për "vrasje të thjeshtë", pra të marrësh një jetë me qëllim. Akuza parashikon një dënim nga tetë deri në 25 vjet burg.
Një ekip mjekësor i caktuar për të hetuar vdekjen e Maradonës në 2021, tha se ekipi mjekësor i yllit veproi në një "mënyrë të papërshtatshme, të mangët dhe të pamatur".
Të pandehurit e përmendur në vendim ishin neurokirurgu dhe mjeku personal i Maradonës, Leopoldo Luque, psikiatri Agustina Cosachov, psikologu Carlos Diaz, infermieret Gisella Madrid dhe Ricardo Almiron, shefi i tyre Mariano Perroni dhe mjekët Pedro Di Spagna dhe Nancy Forlini.
Ata të gjithë kanë mohuar përgjegjësinë për vdekjen e Maradonës dhe gjykatësi tha se avokatët e disa prej tyre kishin kërkuar që çështja të pushohej.
Vadim Mischanchuk, një avokat i Cosachov, tha se ata do të apelonin vendimin, duke shtuar se zona e kujdesit të psikiatrit nuk kishte asnjë lidhje me shkakun e vdekjes së Maradonës. “Kërkohet me çdo kusht fajtori dhe objektiviteti po humbet”, tha avokati.
Mario Baudry, avokat i një prej djemve të Maradonës, i tha Reuters se fituesi i Kupës së Botës ishte "në një situatë pafuqie" në kohën e vdekjes së tij.
Pas vdekjes së tij, pati tre ditë zie kombëtare, përpara se Maradona të varrosej në një varrezë pranë Buenos Aires.
Maradona kishte luftuar prej kohësh me shëndetin e tij, duke përfshirë varësinë ndaj alkoolit dhe kokainës.
Maradona gjithashtu u shtrua në spital pak para vdekjes së tij, sepse ai "nuk ishte mirë psikologjikisht".
Në vitin 2005, ai bëri një operacion bypass gastrik për të humbur peshë dhe u trajtua në vitin 2007 për hepatitin e shkaktuar nga alkooli./Përshtati Liberale.al