Xhezair Zaganjori
Dy ditë më parë, më datë 23 maj 2021, një ngjarje e pazakontë tronditi bashkësinë ndërkombëtare. Avioni i shoqërisë RyanAir i nisur me rreth 100 pasagjere nga Athina për në Vilnius/Lituani, u detyrua forcërisht te ulej ne kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk. Kishte përshkuar si zakonisht ne këtë linje, hapësirën ajrore te Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë, Ukrainës dhe Bjellorusisë. Sapo kishte filluar uljen e ngadalte për në destinacion, pak para kufirit ajror mes Bjellorusisë me Lituaninë, kur avionë luftarake bjelloruse Mig-29, te ngritur posaçërisht ne ajër, komunikuan me ekuipazhin e avionit civil dhe i thane te ndryshonte drejtimin per te shkuar ne aeroportin e kryeqytetit te tyre. Si shkak u përmend informacioni i marre nga shërbimi sekret bjellorus për praninë e një lende shpërthyese (bombe) ne avionin RyanAir, vendosur nga organizata terroriste Hamas.
Menjëherë pas transmetimit te këtij informacioni për pasagjeret, njeri prej tyre, shtetasi 25 vjeçar bjellorus Roman Protaseëitsch, u shpreh se arsyeja e kesaj ulje te detyruar ishte ai, si kundërshtar dhe kritik i regjimit te Lukashenkos, dhe jo dyshimi për lende eksplozive ne avion. Pas vendosjes ne aeroportin e Minskut, trupa te shumta policore e ushtarake “kontrolluan” me qen speciale ambientet e avionit RyanAir, pa gjetur asnjë gjurme eksplozivi. U kontrolluan gjithashtu edhe pasagjeret dhe dy prej tyre u mbajtën nga policia ne Minsk, Roman Protaseëitsch dhe e dashura e tij Sofia Sapega. Te gjithë të tjerët u lejuan te vazhdojnë fluturimin me te njëjtin avion ne drejtim të Vilniusit, ku arritën me disa ore vonese.
Shpejt u mor vesh se i ndaluari Roman Protaseëitsch është kryeredaktor i gazetës opozitare bjelloruse “Nexta”, e cila botohet ne Poloni, aty ku jeton ne azil edhe ai vete. Mbrëmë, pra një dite pas ndalimit, ai u shfaq ne televizionin shteteror te Bjellorusisë në një interviste të shkurtër, përmes se cilës tregohet “bashkëpunues” me autoritetet vendase. Ekspertet thonë pa mëdyshje se pavarësisht pudrosjes se shumte, duket qe ai po i nënshtrohet torturës. Veçanërisht në pjesën e majtë të fytyrës shihet qartë enjtja dhe nxirja. Mendohet gjithashtu që edhe hunda është e thyer.
Ndërkaq, brenda një kohe shumë të shkurtër, ka patur reagime të shumta e të fuqishme ndërkombëtare, si nga ShBA, Bashkimi Europian dhe individualisht edhe nga mjaft shtete anëtare të tij apo edhe nga shtete të tjera demokratike. Rasti vlerësohet si i pashembullt, vecanërisht serioz, krejtësisht i papranueshëm, si shkelje flagrante e normave ndërkombëtare, si qëndrim i papërgjegjshëm e skandaloz i Minskut zyrtar, e të tjerë. Ka prej atyre që e cilësojnë biles edhe si terrorizëm shtetëror apo si pirateri shtetërore, ashtu siç bënë respektivisht presidentët e Polonisë dhe të Lituanisë, por pa shkuar më tej.
Përgjithësisht kërkohet lirimi i menjëhershëm i 25 vjeçarit Protaseëitsch, hetimi i çështjes nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO) dhe zgjerimi i sanksioneve ndaj Bjellorusisë. Për më tepër, mbrëmë vonë ( 24 maj 2021), në takimin e radhës të Këshillit Europian zhvilluar si zakonisht në Bruksel, Kryetarët e shteteve apo të qeverive të shteteve anëtare të Bashkimit Europian miratuan unanimisht vendimin për të mos lejuar nisjen apo uljen e avionëve të Bjellorusisë në aeroportet e vendeve të BE. Edhe avionët e shteteve anëtare të BE do të shmangin flururimin mbi hapsirën ajrore të Bjellorusisë, duke e privuar kështu atë nga marrja e të ardhurave të konsiderueshme që sigurohen në këto raste nga çdo shtet sovran. Gjithashtu, ka shkuar në 88 numri i zyrtarëve të lartë të këtij vendi, si anëtare të qeverisë, drejtues të shërbimit sekret dhe ushtrisë, e të tjerë, përfshirë edhe djalin dhe nusen e djalit të Lukashenkos, të cilët nuk do të kenë të drejtë të udhëtojnë në Perëndim dhe do t’u bllokohen gjithashtu llogaritë bankare që kanë aty. Megjithatë, përgjithësisht vlerësohet se ndodhemi para një sprove apo sfide të madhe.
Nga njëra anë kemi qëndrimin ekstremisht të papërgjegjshëm të një diktatori që për qëllime të pastra të luftës së brendshme politike bën gjithcka, duke shkelur në mënyrë flagrante jo vetëm të drejtat themelore, por edhe normat e parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare. Nga ana tjetër, kemi qëndrimin e moderuar të Perëndimit, që prej vitesh përpiqet, por pa suksesin e duhur, të negociojë e merret vesh me një njeri të pandreqshëm. Aq më tepër që edhe sanksionet rreth fluturimeve dhe ato me natyrë ekonomike prekin më shume njerzit e thjeshtë të këtij vendi, se sa elitën politike të tij. Lukashenko është i kënaqur me kaq. Shumë i kënaqur. Shtyp dhe ndrydh edhe më shumë opozitën politike dhe mbetet në qendër të vëmendjes, si personi i vetëm me rendësi me të cilin duhet të negociohet e tolerohet, sepse ka dorë të hekurt dhe miq të fortë. Ndërkaq harrohen përfundimisht edhe zgjedhjet e manipuluara në dritën e diellit. Prandaj keqtrajton e burgos edhe gazetarë. Pak kohë më pare u torturuan dhe u dënuan me burgim gazetarët Vladimir Lapsenitsch dhe Aleksander Burakov, ndërsa Alexej Sandschuk u dënua me 6 vjet burg vetëm sepse organizoi një duartrokitje në shenjë solidariteti me njerzit e shtypit të lirë.
Por ngjarja më e fundit tregon se Lukashenko është shumë më i rrezikshem se kaq. Sepse aksioni i çmendur ushtarak i dy ditëve më parë kapërcen çdo kufi të logjikës, e jo vetëm të së drejtës ndërkombëtare. Vetëm për të burgosur dhe për tu hakmarrë egërsisht e padrejtësisht ndaj një opozitari të regjimit të tij, në mënyrë ekstremisht disproporcionale ai rrezikoi seriozisht jetën, lirinë, të drejtat individuale civile, politike e pronësore të më shumë se 100 personave të tjerë, që nuk kanë asnjë lloj lidhje me Bjellorusinë. Dhe këtë e bëri duke shfrytëzuar ndonjë ometim ligjor apo duke keqinterpretuar në mënyrën me banale normat ekzistuese të së drejtës ndërkombëtare në këtë fushë.
Është fakt që duke filluar nga Konventa e Parisit mbi Rregullimin e Fluturimeve Ajrore e vitit 1919, shtetit respektiv i njihet sovranitet i plotë në hapësirën ajrore mbi territorin dhe ujërat territoriale. Ky standard konfirmohet ne Konferencën e Çikagos të vitit 1944, e cila çoi më pas në krijimin e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO) me qendër në Kanada, e cila vepron si agjenci e specializuar e OKB-se.
Detyrë kryesore e saj është të përcaktojë e mbikëqyr parimet dhe rregullat bazë të fluturimeve për qëllime civile, duke u angazhuar drejtpërdrejt edhe në mbajtjen e qëndrimeve dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Përveç saj, ekzistojnë edhe organizata të tjera që operojnë në këtë fushë, mes të cilave mund të përmendet Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror, e të tjere. Duke lënë mënjanë problemet qe kane lindur dekadat e fundit mbi përcaktimin e kufirit ndarës mes hapësirës ajrore që konsiderohet pjesë e sovranitetit shtetëror dhe hapësirës kozmike, që ka regjim juridik krejt tjetër, pasi konsiderohet në parim si pasuri e të gjithë njerizimit, mund të sqaronim shkurtimisht se thjesht fluturimi i avionëve civile kërkon padyshim autorizimin paraprak të shtetit përkatës. Për këtë qëllim paguhet edhe një shumë e caktuar të hollash për çdo fluturim.
Një sërë Protokollesh ndërkombëtare dhe marrëveshjesh dypalëshe e shumëpalëshe, si Bermuda I dhe Bermuda II, Protokollet e Montrealit të viteve 1971, 1975, 1988, e të tjerë, përcaktojnë me hollësi statusin e avionëve si dhe të drejtat dhe detyrimet e shteteve për garantimin sa më mirë të sigurisë dhe lehtësive në aeroporte dhe gjatë fluturimeve ajrore për qëllime civile. Ndër të tjera, shteti që zotëron hapsirën ajrore ka detyrimin kryesor të garantojë lirinë dhe sigurinë e çdo fluturimi për të cilin ai vetë ka dhënë autorizimin përkatës. Kjo sanksionohet edhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare, të cilat përbejnë në vetvehte edhe vetë thelbin e kësaj të drejte, të quajtur ndryshe edhe si ius cogens. Përjashtimisht, shteti respektiv mund të kërkojë largimin apo uljen e detyruar të nje avioni civil vetëm në raste ekstreme kur cenohet apo rrezikohet të cenohet seriozisht e në mënyrë të menjëhershme e të besueshme siguria kombëtare apo rendi publik.
Çdo problem tjetër që ka të bëjë me rregullimin e problemeve të brendshme zgjidhet në bazë të së drejtës së shtetit ku është bërë regjistrimi i avionit përkatës, ashtu siç veprohet edhe në rastin e anijeve. Kjo përcaktohet qartësisht në nenin 8 të Konventës së Çikagos, përmendur më sipër, si dhe në një sërë dokumentesh të tjerë ndërkombëtare. A ndodheshim para një situate të tillë në rastin konkret? Absolutisht që jo. Çdo gjë duket qartësisht e sajuar, biles në mënyrë mjaft të trashë e të papranueshme për një logjikë normale. Se pari nuk ka asnjë të dhënë për akt terrorist. Së dyti, edhe nëse do të kishte, ai duhet të ishte organizuar nga dikush brenda territorit grek ku u nis avioni, dhe njoftimi për ulje emergjente mund dhe duhej te kishte ardhur prej tij.
Nuk duhet harruar nga ana tjetër se RyanAir, kur u urdhërua te kthehej, do te ulej në aeroportin e Vilnusit për rreth 20 minuta, në një kohë që vetëm kthimi në drejtim të Minskut kërkonte më shumë se një orë. Nëse mendimi ishte që lëndën eksplozive e kishte gazetari i ndaluar, kjo shkon përtej çdo lloj imagjinate djallëzore. Së fundi për nga radha, por kryesori si argument, është fakti që cdo gjë flet qartë që u organizua për kapjen e opozitarit Roman Protasewitsch.
Sigurisht qe ICAO i kërkohet të hetojë me urgjencë rastin në fjalë dhe të mbajë qëndrim. Përgjegjësia e Bjellorusisë për shkelje të parimeve të përgjithshme dhe normave të së drejtës ndërkombëtare duket mjaft e qartë. Mbase nuk mund të cilësohet si terrorizëm, por me shume gjasa është nëe formë e kamufluar e piraterisë ajrore. Rasti paraqitet mjaft i rendë. Aq më tepër që veprimet janë kryer në emër e për llogari të shtetit. Tolerimi i tij krijon një precedent mjaft të rrezikshëm dhe cenon dukshëm lirinë e fluturimit ajror ndërkombëtar për qëllime civile./Gazeta Liberale