Besim NDREGJONI
E vërteta e 2 Prill 1991... në një bisedë me organizatorin e protestës antikomuniste të shkodranve trima që nuk mund të pranonin në pluralizmin politik Partinë Komuniste të Shqipërisë si parti terroriste që kishte kryer krime makabre ndaj Shkodrës e mbarë Shqipërisë, antikomunistin dhe patriotin shkodran Fritz Radovanin!
Pa u err nata në Shkodër ishte zv/ministri i brendshëm Hajredin Shyti, i cili, në bashkëpunim me Çapajev Taçin, Dilaver Paparen dhe Gjekë Celi i policisë kanë organizue veprën terroriste që u realizue me 2 Prill 1991, mu në atë shesh ku një natë ma përpara çdo veprim ishte demokratik.., dhe paqësor, po aty në mes të predhave dhe vrasjeve të organizueme nga presidenca terroriste e Ramiz Alisë, mbi trupat e të rijve Arben Broci 21 vjeç, Besnik Bishanaku 22 vjeç, Nazmi Kryeziu 38 vjeç dhe Besnik Ceka 21 vjeç me 97 vetë tjerë të plagosun studentë, punëtorë dhe qytetarë Shkodranë. Përkundër manipulatorve të sigurimit e policisë së Shkodrës e cila deklaronte 4 të vrarë e 20 të plagosur.
Porsa mërrijta aty, ishte Ferdinand Temali me Marina Rraboshtën, që hyjnë nën snajpera për me i thanë sekretarit PPSH Xhemal Dymylja: “Kush asht ai terrorist që ka urdhnue me gjujtë mbi turmat e pambrojtuna të studentëve të shkollës “Jordan Misja” e Popullit të Shkodrës, ndaloni zjarrin o drejtohuni kufinit e ikni, Populli do t’ju shkyejë për së gjalli!”
Kujtoj si tashti në rrugën para komitetit ekzekutiv një vajzë me flamurin e Shqipnisë e hypun mbi një tank ushtarak, që ishte pushtue prej Asaj Burrneshë Shkodrane!
Po drejtuesit e PD së Shkodrës ku ishin?. Ma mirë se kushdo e di z. Tanush Mulleti... Cilat ishin parullat që u hodhën në rrugë Xhabijej e ma vonë tek Radio Shkodra? – Besoj i kujton mirë Populli i Shkodrës “ata” dhe rolin që ka luejt BSPSH, Ferdinandi, Marina Raboshta, Tanush Mulleti, Besnik Komi, Arben Borshi, Lela Zorba, Muhamet Gradeci, Zef Prela, Arben Hafizi, Leonard Kçira, etj., për ruejtjen dhe sigurimin nga djegia të Radios, Fototekës, hetuesisë dhe të vetë Prefekturës, me sa objekte të tjera të cilat i kemi mbrojtë edhe me rrezik koke, kur snajpërt e sigurimit ishin në gatishmëri dhe shkrepeshin mbi kokat tona në çdo qoshe. Edhe pse ishin vendosë në Prefekturë, Turizem, teater “Migjeni”, zjarrfiksa etj., ideali ynë e kishte mposhtë ndër ne frikën e komunizmit barbar.
Me datën 2 Prill, ora 19.15’ deri ora 20.00, intervista e dhanun nga Arben Borshi dhe Fritz Radovani për “L’Express” të Parisit, korrespondentit Vincent Hugux, në Turizmin e Shkodrës, u transmetue në ora 22.00 nga Franca. Ajo asht kenë ndër fitorët e mëdha të BSPSH, se ajo Agjenci zbuloi para Evropës të gjitha planet djallzore të sigurimit të shtetit për gjakderdhjën që u ba dhe që, tinzari vrasës Ramiz Alia, po u përgatiste me kujdes per me vazhdue kasaphanën pandërpremje në Shkodrën antikomuniste.
Po takimi me zv. ministrin e “pafajshem” Hajredin Shyti në seli të BSPSH, besoj ju bie ndër mend të gjithë pjesmarrësve bashkë me “përshëndetjet” që ne sindikalistët i kemi dergue Tiranës vrastare komuniste, qendra e vetme e terrorit të mbetun në Ballkan!
Takimi i asaj darke në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit, me Esma Ulqinakun zbuloi fëtyrën e vërtetë të veprimëve të datës 2 Prill. Ishte ora 21.30 kur gjithë grupi i BSPSh së Shkodrës dolëm nga salla e Kom. Ekz. Unë ishe me Arben Borshin, kur papritmas u gjetëm në dalje tek dera mes një grupi të madh ushtarësh të armatosun e, porsa i pashë i kam thanë Ferdinandit që kishe pranë: “Na prijë në këtë paradë Ferdinand, se asht e para herë në jetën teme që po kaloj në revistë...” dhe Ai, na prini kur bashibozukët e Ramiz Alisë, të rreshtuem me forcat sampiste po qëndronin nga nalt tek dera e sallës madhe të mbledhjeve të Prefekturës e deri poshtë tek rruga, me armë në gatishmëni.., kundrejt grupit tonë të BSPSh, që ishim jo vetem fare pa armë por, edhe me duer ndër xhepa...
Po rezultati cili ishte? – Qeveria komuniste me dhanë dorëheqje sa ma parë, mbasi BSPSH do të organizojnë Grevë të Përgjithshme në gjithë Shqipninë. Vrasësit e Arben Brocit me shokë ti kalohën organeve kompetente dhe shpejtë do të organizohen zgjedhjet e reja etj... Ne kërkonim emnat e shtatë personave që ngjarjet e 2 Prillit i ndoqën në TV të ndërtesës ku ishte kenë Ramiz Alia dhe Fatos Nano....
Me datën 3 Prill, ora 9.00 kemi shkue bashkë me Arben Borshin tek komandanti i forcave të armatosuna të Shkodres, Enver Gaba dhe e kemi falnderue për mosndërhymjen e tyne mbi Popull me tanke dhe, nga ajo ditë ushtria ishte shpirtnisht “anëtare” e BSPSH...
Ky veprim nuk u prit mirë nga ministri mbrojtjes, zadhanës i vrasësit Ramiz Alia.., që aso kohe kishte kalue në postin e “presidentit” të Kuvendit Popullor Haxhi Lleshi.
Rruga e BSPSH ishte krejt e papritun për Ramiz Alinë me shokët kriminel të presidencës së tij terroristë e vëllavrasës, ku fatkeqësisht ishte tashma e kjartë se “pa gjak” nuk merrej asnjë zyre rojesh apo “dezhurësh” të institucioneve të tyne...Ishte ajo kohë kur koka e komunistëve qelbun ulërinte: “Edhe gjak do bëjmë,..!” dhe, me të gjitha armët e tija të pista vriste bashkë me Fatos Nanon, Xhelil Gjonin dhe tradhëtarë tjerë, Rininë Shqiptare kudo deri larg në piramidat kufitare... Ishte ajo kohë kur terroristja Nexhmije Hoxha vetëm mendonte si me nxjerrë jashtë shtetit me Sulo Gradecët thesaret e paketueme të lingotave t’arit, të plaçkituna dhe të vjedhuna nga mundi dhe djersa e Popullit Shqiptar.
Herojt e 2 Prillit u varrosën pa u ba autopsia, ndonse mjekët Bardhyl Çipi, Xhemal Zeneli dhe Injac Simoni, vepruen si i urdhnoi sigurimi i shtetit dhe prokuroria komuniste. Ata kanë firmue dokumente pa hapë fare kufomat, mbasi autopsia e tyne u kërkue shumë kohë mbrapa nga grupi i BSPSh së Shkodrës në Prokurori të Përgjithshme, ku kam marrë pjesë unë dhe Ferdinandi me disa shokë të tjerë, para se të zhvillohej gjyqi dhe, kufomat u nxorën nga vorrezat për autopsi nga mjeku ligjor Estref Myftari, ku mori pjesë edhe i ngarkuemi i BSPSH së Shkodres z.Tanush Mulleti.
Konkluzioni ishte i njohun se: “Viktimat janë vra me armët e zjarrit nga policia”. Komiteti i PPSH u dogj por jo, nga Populli, ishte vetë sigurimi i shtetit i dekompozuem që donte me mbulue me djegieje vrasjet e bame para atij komiteti pak orë perpara.
Me muej të tanë hetuesit Vladimir Meçe, Shefki Bejko, etj., bridhnin në Itali, gjoja tue kërkue “fakte”, sepse një film ishte gjirue nga një italian prej apartamentit, nga hapsina e shkallës ku banonte qytetari Frano Preçi, i cili më ka tregue Ai vetë që e ka pa italianin tue gjirue veprat makabre të Ramiz Alisë, Fatos Nanos, Haxhi Lleshit, etj. etj., që mbushnin faqe të tana proces- verbalesh në mbledhjet e pafund në Komitetin Ekz. të Shkodres, kur BSPSH me forcë kërkonte ideatorët dhe zbatuesit e terrorit, ndërsa “shërbëtoret” e presidencës ishin të mobilizuem me gjetë se: “kush e dogj komitetin e PPSH?” dhe, se vrasjet e Heronjve janë krye “mbasi asht djegë komiteti apo, legjenda e hetuesisë së përgjithshme se vrasjet janë krye nga gjuejtjet në mes të turmes nga njeni tjetri, po jo, nga policia, sigurimi...etj”. Që nga data 12 Prill, 23, 26 e deri me 1 Maji, BSPSH nuk ka ba veprim tjetër vetëm, ka shpartallue moralisht rezistencën e PPSH për mbajtje të pushtetit dhe ka demaskue botnisht organin e “paprekshëm” të asaj diktature të pashpirt e mizore 47 vjeçare, sigurimin e shtetit, aqsa spijunët e sigurimit dhe oficerët besnik të tij me daten 2 Prill 1991, ora 14.00 nuk kanë pasë të vueme asnjeni ndër dyer etiketat e emnave në apartamente.., tue fillue nga Çapajev Taçi e deri tek Shyqyri Qoku.., që strukej si qen skutash për mos me u lagë...nga vesa e pranverës që po sillnin veprat gjakatare të tyne!
Ai takim më kujton edhe fjalët e R. Alisë, i cili i tha Ferdinandit kur po delte në një anë: “Ferdinand, ra vetja e më këputi, thonë andej nga Shkodra!” dhe, Ferdinandi iu përgjegjë: “Nuk i tradhëtoj shokët!”. Ai ishte akti ma Heroik i Rinisë Shkodrane, kur në Tiranë, Stalini dhe Lenini i banin shoqni diktatorit tonë në sheshet qendrore! E, mos harroni, se endè ka nga Ata Djelmë që vazhdojnë me kenë të gjymtuem nga torturat e bame prej sigurimit në hetuesi, që nga data 14 Janar 1990... Koha ua hoqi “maskat” të gjithve! Djelmët tonë Shkodranë u vranë po askush nuk ishte kenë “fajtorë”..!Burim i të gjitha pasojave dhe disfatave asht kenë atëherë e prap sot se nuk u dënuan krimet e komunizmit, strukturat e shtetit diktatorial nuk dolën para ligjit, Kjo solli pasoja rrënuese mbasi ish spiunët e vjetër, rimorën drejtimin e shtetit tue krijue një klasë politike të papërgjeshme e antikombëtare.
Menjëherë ata mbrojtën të paprekuna labirintet e sigurimit shtetit terrorist i cili riforcoi pozitat e korrupsionit dhe pasunoi në mënyrë të vrullshme hallkat e lidhjes së spijunve, me komunistët e konvertuem në “demokrat”. Spijunët e njohun bane sikur u terhoqën nga vendet e punës, por pushtetarët e rijë u ndejën gati tue u krijue mundësi të reja, si bie fjala në dogana, polici financiare, noter në gjykata apo zyre pasaportash, në zyra të këthimit të pronave e pak ma vonë edhe në firmat piramidale, ku lulzoi neokomunizmi kapitalist i fortifikuem me ish-oficerët e sigurimit, që i siguronin kushte largimi nga Shqipnia të gjithë hajdutëve e vagabondëve me anë të gomoneve e pasaportave false, që ishin në portet e blindueme detare. Njëherësh filloi trafiku i armëve, i drogës dhe i refugjatve t’huej etj.
Komunistët “proletarë” filluen ekonominë e tregut me kioska dhe tavolina, tue shitë para dyerve të tyne mallna importi...Sabotimet për rrugën e demokracisë ishin të planifikueme direkt nga naltë.
Njerëzit e ndershëm që luftuan në ballin e luftës mbetën fukara dhe të vorfën pa asnjë fitim, për mos me thanë se humbën edhe të gjitha iluzionet e Fitores së Demokracisë...
Asht e domosdoshme të ripërsëris fjalët e Profesorit Arshi Pipa, që mi ka thanë personalisht mue: “...Jeni e vetmja Sindikatë e një vendi të vogël, por që keni rrëzue një qeveri me të gjitha tiparët e terrorizmit komunist, gja që deri sot nuk ka ndodhë në historinë e të gjitha Sindikatave të Botës!..”
Populli Heroik i Shkodrës me të gjithë ne të tjerët, luftëtarë të Demokracisë dhe të Lirisë! Sot jemi në vitin 2021, ne duhet të krenohemi me Ju. Rinia dhe Populli Shqiptar në zgjedhjet e 25 Prillit, duhet të Rikthejnë në gjurmët Tua dhe të Atyne Vllazenve që derdhën gjakun në lule të rinisë së Tyne, e dhanë jetën me 2 Prill 1991, për një Demokraci të vërtetë evropiane Perëndimore! Heronjtë e 2 prillit nuk mund të jenë të qetë kur Shqipëria nuk ndërtoi demokraci por demokraturë me vrasësit dhe xhelatët e komunizmit. Heshtja ndaj të vërtetës , po glorifikon diktatorin Enver HOXHA dhe xhelatët e sajë, sa mbas 30 vitesh dekorohen xhelatë si Shyqiri Coku, e Medi Bushati! /Gazeta Liberale