Aktualitet

“Sulmin në Banjskë e organizoi klani i Novi Sadit”, Kurti nxori emrin e ministrit, Serbia mohon akuzat

Shkruar nga Liberale
“Sulmin në Banjskë e organizoi klani i Novi Sadit”, Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka akuzuar klanin e Novi Sadit për sulmin paramilitar në Banjskë të Zveçanit. Përmes një statusi në faqen e vet në Faceook, Kurti shprehet se në krye të tij ndodhet Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç.

“Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviçit, dhe miku më i afërt i vëllaut të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiç. Rreth 40 pelegrinë ortodoksë në Manastir të Banjskës me 24 shtator ishin nga Novi Sadi. Ndoshta e rastësishme, hetimet duhet ta tregojnë. Grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë. Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS. Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiç, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin.

Në katër komunat veriore të Kosovës po merr fund terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve të Delije (tifozët e Cërvena Zvezdës) që shprehet me nofkat e ekstremistëve si: Mami, Llune, Daco, Rusi, Nemac, Gile, Drago, Aco, Comi, Belli, Micko, Prki, Mrki etj.

Mirëpo, Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi. A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar”, shkruan Kurti.

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq i është përgjigjur kryeministrit të Kosovës, duke hedhur poshtë këto deklarata dhe i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtarë të reagojë.

“Theksojmë se në interes të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Kosovë, është e një rëndësie vendimtare që institucionet në Prishtinë të detyrohen që menjëherë të ndalojnë terrorin e përditshëm ndaj popullatës serbe, të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëparshme dhe të formojnë menjëherë Asociacionin e Komunave Serbe. Gënjeshtrat e pacipë, fyerjet dhe shpifjet që Kurti nxjerr çdo ditë si pjesë e një fushate të ndyrë mediatike kundër shtetit të Serbisë dhe lidershipit të saj, zbulojnë plotësisht synimet e tij për të shkatërruar çdo mundësi për qetësimin e tensioneve”, thuhet në reagim.

Ministria serbe e Mbrojtjes ka deklaruar se “deklaratat e sotme janë dëshmi e padyshimtë, interesi i të cilave është shkaktimi i kaosit dhe dhunës”.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH