Pemët e mollëve janë prerë dhe askush nuk ka më dëshirë e forcë për të vijuar këtë punë.
Fshati Zvirine i bashkisë së Maliqit njihet gjerësisht për prodhimin e mollës. Familja Nurka të cilët prej 3 brezash janë marrë me prodhimin e mollës u bënë pjesë e reportazhi të Euronews Albania. Së fundmi vendimi i tyre është drastik, për të prerë gjithë pemët pasi prodhimi prej 3-4 vitesh nuk shitet.
Pemët e mollëve që sot po shkulen nga toka, janë të mbjella vitet e fundit. Gjithçka çfarë anëtarët e familjes Nurka mblodhën në emigracion, i hodhën në këto toka, por situata aktuale me tregun e ka detyruar Skënderin të heqë dorë nga trashëgimia familjare.
“Nuk shkojnë, nuk ka çmim pesticidet katastrofë, molla nuk shkon. E pres, të pres kokën? Djalin nuk e kam, çupen jo, 65 vjet pension, ngeli prodhimi, kam akoma mollë për të shitur. Mollë cilësorë, e gjithë Shqipëria kështu është. Të lot truri i kokës. Kam edhe bahçen tjetër, gjersa të iki e unë gjëkundi. Nuk rrihet këtu”, thotë fermeri.
Keqardhja për një investim që është derdhur mund e djersë është tepër e madhe.
“Si s’të vjen keq? Të këputet shpirti. Jemi rritur me këtë punë. Agronomi mbarova, ne ’79, me këtë jam ushqyer unë, babi e djali. Djali iku në Itali, ka 3 vjet. Çfarë faji kemi ne, faj kanë ata që na rropën se gjalli”, shprehet ai.
Prerja e mollëve vijon edhe në zonën e Devollit, aty ku fermerët po heqin dorë nga drufrutorët, pasi mungon tregu për shitje, dëmtohen nga konkurrenca e pandershme dhe kryesorja, nga mallrat e importit. Në fushën e Maliqit dhe të Devollit numërohen afro 35 ha tokë e mbjellë me drufrutorë, të cilët janë prerë nga fermerët.