Politikë

Përplasje në Konferencën e Kryetarëve/ Nuk ka dakordësi për kalendarin e Kuvendit

Shkruar nga Liberale.al

Përplasje në Konferencën e Kryetarëve/ Nuk ka dakordësi

Shumica socialiste dhe opozita nuk kanë arritur dakordësi në Konferencën e Kryetarëve për miratimin e kalendarit të punimeve të Kuvendit për javët e mbetura të sesionit parlamentar. Pavarësisht propozimeve që seancat plenare të zhvillohen më 16 qershor, 26 qershor dhe 3 korrik, palët nuk gjetën konsensus dhe projektkalendari do të hidhet për votim në seancën plenare të së hënës së ardhshme.

Kundërshtimet e para erdhën nga kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, i cili reagoi ashpër ndaj shtyrjes së seancës së parashikuar për më 12 qershor.

“Ti rruga e mbarë për atje ku do të jesh në datën 12. I ke dhënë zgjidhje problemeve në Shqipëri, shko e zgjidh konfliktin në Ukrainë,” ironizoi Bardhi, duke iu referuar një udhëtimi të paralajmëruar të një përfaqësuesi të mazhorancës.
“Kuvendi nuk është pronë dhe plaçkë e juaja, siç keni tentuar ta trajtoni kohët e fundit,” shtoi ai, duke e quajtur të pajustifikuar çdo shtyrje të seancës së Kuvendit.
Në të njëjtën linjë kritike u shpreh edhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila kritikoi ministren Elisa Spiropali për gjuhën që ka përdorur kohët e fundit në Kuvend.

“Gjuha juaj ishte ndarëse dhe përçmuese ndaj kundërshtarit. Foltorja e Kuvendit nuk mund të përdoret për këtë gjuhë. Kjo nuk është gjuha që kërkon integrimi,” u shpreh Tabaku.
“Më vjen keq të them, por që kur ju keni marrë drejtimin e Kuvendit, kemi bërë hapa pas në Këshillin e Integrimit dhe në Komisionin e Posaçëm, por edhe në procesin elektoral,” vijoi ajo.
Ndërkohë, grupi parlamentar i Partisë Socialiste nuk ka dhënë ende një qëndrim zyrtar mbi diskutimet në Konferencën e Kryetarëve. Zyra e shtypit e PS-së nuk ka dërguar asnjë njoftim për mediat lidhur me deklaratat apo qëndrimin e kreut të grupit socialist, Niko Peleshi, në këtë mbledhje.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH