Pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 11 majit, koalicioni opozitar “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” duket se po përjeton çarje të brendshme. Zërat për një ftohje mes dy liderëve kryesorë, Sali Berisha dhe Ilir Meta, janë shtuar kohët e fundit, duke u reflektuar edhe në përfaqësimin ligjor të tyre.
Ndërsa më herët Meta dhe Berisha ndanin të njëjtin avokat, Genc Gjokutaj, tashmë kreu i Partisë së Lirisë përfaqësohet nga Kujtim Cakrani. Ky i fundit ishte i ftuar në emisionin “Breaking”, ku deklaroi se nuk ka mandat të flasë për marrëdhëniet mes dy liderëve, por komentoi ashpër zgjedhjet e fundit.
“Nuk jam përfaqësues politik, por ligjor i zotit Meta. Për këtë arsye nuk mund të flas për marrëdhëniet e tij me zotin Berisha,” – tha avokati Cakrani. “Por sa i përket procesit zgjedhor, ky nuk ishte votim i lirë, por një akt nën terror. Shqiptarët nuk votuan me ndërgjegje, por të trembur. Ishte një farsë, jo një zgjedhje,” – shtoi ai.