Politikë

INTERVISTA ELEKTORALE/ Evald Serreqi: Vendi ka nevojë për një politikë të re, jo për rikthime

Shkruar nga Liberale

INTERVISTA ELEKTORALE/ Evald Serreqi: Vendi ka nevojë për një

Intervistoi: Reldar Dedaj 

Evald Serreqi, kandidat për deputet në zgjedhjet e 11 majit nën siglën e Koalicionit "Djathtas për Zhvillim", shpalos vizionin e tij për një Shqipëri më të drejtë, më të lirë dhe me institucione funksionale. Në këtë intervistë, ai flet hapur për vështirësitë e një partie të re për të hyrë në garën politike, për sfidat e sistemit aktual dhe për domosdoshmërinë e një ndryshimi të thellë politik e kulturor. Serreqi e sheh angazhimin në politikë si një mision qytetar e patriotik, jo thjesht si profesion. Me bindje të qarta liberale dhe një qasje kritike ndaj klasës politike ekzistuese, ai kërkon të jetë një zë i ri për të ardhmen e vendit.

Sa e vështirë është të kandidosh si deputet në Shqipëri nën siglën e një partie të re?

Kandidimi nën siglën e një partie të re në Shqipëri është mjaft i vështirë. Kjo ndodh për disa arsye. E para është ligji zgjedhor, me të cilin do të futemi në zgjedhjet e 11 majit. Dakordësia midis PS dhe PD për të miratuar një ligj dhe reformë zgjedhore që e ndan Shqipërinë e vogël në 12 zona zgjedhore edhe më të vogla, që heq menaxhimin elektronik (votim dhe numërim) dhe e kalon atë në duart e militantëve përkatës, e vështirëson qartazi rrugën e subjekteve që guxojnë të garojnë jashtë këtyre dy partive të stërprovuar. Neglizhenca e vazhdueshme e strukturave përkatëse ndaj hetimit të influencave ekonomike dhe logjistike në terren, jashtë atyre që dy partitë kryesore deklarojnë në bilancet përkatëse, e bën edhe më të vështirë përballjen në këtë garë.

Së fundi, vështirësia vjen edhe për shkak të mungesës së një tradite të shqiptarëve për të reaguar e për të dalë shpejt nga influenca e të vjetrës, e prapambetjes, “e pushtuesit” në përgjithësi. Çdo ndryshim kërkon kohën dhe sakrificat e veta. E megjithatë, personalisht jam i vendosur ta vazhdoj gjatë rrugën e nisur për krijimin dhe suksesin e një alternative të re, bindëse dhe transformuese për vendin.

Çfarë do të thotë për ju të jesh i djathtë?

Në Shqipëri ka dy përcaktime të të qenurit i djathtë. I pari është koncepti historik, që ka të bëjë me raportin që familja jote ka pasur me sistemin diktatorial. Në fakt, ky raport duhet riparë, sidomos nga historianët, pasi më duket si një e pavërtetë që ka hyrë në bindjen e shqiptarëve dhe meriton të saktësohet.

Ai regjim dhe mbështetësit e tij, edhe pse pretendonin të ishin të majtë (duke e nxjerrë automatikisht gjithë pjesën e luftuar prej tij si të djathtë), në gjykimin tim ishin thjesht një pushtet totalitar i bazuar në forcën kriminale të Sigurimit të Shtetit. Në afro 50 vite, një pakicë e nomenklaturës sundoi gjithë popullin, duke folur e vepruar në emër të tij dhe duke fshirë e luftuar që nga dita e parë çdo arritje shoqërore të deriatëhershme.

Kujtoni se Shqipëria dhe shqiptarët kishin jetuar vetëm 32 vite liri (1912–1944), dhe në këto vite kishin arritur të krijonin një shtet, nën administrimin e të cilit kishte lulëzuar një ekonomi tregu dhe kishte filluar të formohej një klasë e mesme. Shkëmbimet tregtare me mbarë botën kishin mundësuar një industrializim fillestar. Familjet kishin arritur të shkollonin fëmijët e tyre në Perëndim, në shkollat më prestigjioze të kohës, duke krijuar një shtresë mjaft premtuese për të ardhmen e vendit, aq më tepër të ndikuar nga klima patriotike e pavarësisë ndaj pushtuesit shekullor. Derisa erdhën “të majtët” e Sigurimit, të cilët shkatërruan gjithçka për ta nisur nga fillimi me “njeriun e ri”, disa prej mbetjeve të të cilit i kemi ende sot shumë të pranishëm në çdo fushë të jetës, veçanërisht në politikë.

Këndvështrimi i dytë është ai filozofik (e majta dhe e djathta), në të cilin fatmirësisht partitë e reja po e ftojnë dhe po tentojnë ta përfshijnë votuesin shqiptar. Rasti tipik është Koalicioni Djathtas për Zhvillim apo Lëvizja Bashkë (një model i të djathtës dhe të majtës në të ardhmen).

Edhe pse në traditën familjare mund të konsiderohesha konservator – sepse kam shumë çfarë të ruaj nga paraardhësit e mi – e ndjej veten më pranë liberal-demokracisë. Një shtet i vogël e mjaft efikas do të ishte këshilluesi dhe udhëzuesi më i mirë për një shoqëri të re e vitale, e cila është e gatshme të përmirësojë gjendjen e saj nëpërmjet punës dhe aktivitetit privat. Një qeverisje e vogël, por e vendosur për të luftuar krimin e organizuar dhe për të shkatërruar korrupsionin në Shqipëri, do të ishte garantuesja e një të ardhmeje të qëndrueshme dhe premtuese. Një shtet ligjor do të garantonte përfundimisht sigurinë juridike të pronës në Shqipëri. Një shumicë parlamentare e përbërë nga disa parti politike do të ishte më efikase sesa përqendrimi i pushtetit legjislativ në një dorë të vetme. Një sistem zgjedhor me listë tërësisht të hapur do të dobësonte rolin e kryetarit të partisë dhe do të prodhonte deputetë më të predispozuar për të mbrojtur interesat e votuesve të tyre, e jo skemat apo hallet personale të kryetarëve të partive.

Pra, për mua, liberal-demokracia është zgjidhja politike për mbylljen e tranzicionit dhe fillimin e një epoke të re, ku pushtetet janë plotësisht të pavarura nga njëri-tjetri, dhe ku qytetari e nevojat e tij janë në qendër të çdo vendimmarrjeje institucionale.

Politika është profesion apo mision për ju?

Në këto momente është mision. Nuk mund të pretendoj se është kthyer në profesion. Por është e sigurt që në të ardhmen, në rast suksesi, do të më duhet që këtë vokacion ta kthej në një profesion të pastër në shërbim të komunitetit, të cilin synoj të përfaqësoj.


Mendoni se kandidimi për deputet në zgjedhjet e 11 majit është një akt proteste apo diçka tjetër?

Është edhe akt proteste ndaj atyre që duan ta frenojnë apo pamundësojnë ndryshimin në Shqipëri. Por mbi të gjitha është një detyrë qytetare dhe patriotike. Është ofenduese, gati poshtëruese, të mendosh që një shoqëri në kushte lirie, në 35 vite demokraci, është e pafuqishme të prodhojë subjekte të reja politike jashtë PS dhe PD. Aq më keq akoma, të mendosh se kjo shoqëri e ka të pamundur të prodhojë individë të besueshëm politikë përveç Ramës, Berishës, Metës dhe memecëve që u shkojnë pas këtyre tre individëve.

Në këtë tranzicion të stërzgjatur qëllimisht, personat në fjalë dhe tre subjektet e vjetra politike (PS, PD dhe LSI/PL) i kanë provuar të gjitha kombinacionet e mundshme të koalicioneve të tyre. Duke shtuar një subjekt dhe disa kandidatë profesionistë e të ndershëm në çdo garë, votuesi e ka më të lehtë krahasimin në besueshmërinë e premtimeve, në seriozitetin e angazhimit dhe në mbajtjen e tyre, duke e pasur më të lehtë mbylljen e këtij tranzicioni përmes largimit përfundimtar të këtyre personazheve politikë.

Mjafton që qytetarët të votojnë masivisht të gjitha partitë e reja, duke mos ia dhënë veç një partie të re fuqinë vendimmarrëse, por duke i imponuar edhe atyre zbehjen e rolit të kryetarëve përkatës në funksion të një bashkëpunimi për të mirën e vendit, jo thjesht të një subjekti politik.

Në fakt, kryetarët e këtyre partive e kanë shpërdoruar një shans të artë. Ata do të duhej të tregonin pjekuri politike dhe të krijonin një koalicion që kandidon me listë të hapur, duke treguar se janë të gatshëm t’i nënshtrohen gjykimit të votës. Ata mund të ruanin dhe të identifikonin vlerat personale në një klimë diversiteti brenda koalicionit, duke zgjedhur në mënyrë simbolike një drejtues të bashkëpranuar. Ky koalicion do të sillte edhe më shumë energji në fushatë.

Si e skiconi sot klasën politike të tre dekadave në Shqipëri?

Klasa dominuese politike e këtyre tre dekadave në Shqipëri ka qenë qartazi e lakmuar pas pushtetit dhe aspak e gatshme apo në shërbim të ndërtimit të një shteti të konsoliduar, që u shërben qytetarëve njësoj, pavarësisht bindjeve të tyre politike. Kjo klasë, në mënyrë të qëllimshme dhe të vazhdueshme, e ka shtyrë popullin shqiptar të shkelë ligjin dhe parimet themelore të drejtësisë, që ai të humbasë lirinë dhe të jetë i rikthyeshëm lehtësisht nga politika në çdo fushatë zgjedhore, duke ia hequr fuqinë për t’i larguar masivisht me votë.

Një klase të tillë politike, gjithmonë të etur për pushtet, i duhet një votues i pazoti intelektualisht, i varfër ekonomikisht dhe sa më i militantizuar. Vetëm kështu shpjegohet shkatërrimi gradual i nivelit arsimor nga klasat fillore deri në universitete. Vetëm kështu shpjegohet mungesa e sigurisë juridike të pronës në Shqipëri, ku pronari cilësohet “ish-pronar” dhe uzurpuesit cilësohen “pronarë”, por nuk mund të gëzojnë certifikatën e pronësisë apo lejen e legalizimit, nëse nuk kalojnë në sistemin e institucionalizuar të korrupsionit.

Vetëm kështu shpjegohet shkatërrimi i çdo uzine dhe fabrike të trashëguar nga ai sistem totalitar, sado pak rentabël që mund të kenë qenë. Vetëm kështu shpjegohet shkatërrimi i fshatit dhe bujqësisë dhe, me radhë, i çdo sektori ekonomik në vend. Shqipëria sot është e gjunjëzuar përballë korrupsionit endemik, mungesës së shpresës dhe një vale dëshpëruese emigracioni masiv.

Për këtë janë përgjegjëse tërësisht klasa politike e këtyre tre dekadave, e cila qartazi e sheh zgjidhjen vetëm te vetja – madje disa prej tyre duan ta kalojnë stafetën te fëmijët, si garanci që ky tranzicion do të zgjasë edhe 30 vite të tjera./Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH