Nga qelia numër 5 ku ndodhet prej 3 muajsh, Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka folur për emisionin “Debat” me gazetaren Alba Alishani, në A2 CNN. Edhe pse ka më shumë se 90 ditë në qeli, Meta shprehet se ndjehet më i lirë se më parë dhe se e drejta për të do të triumfojë. Burgosjen e tij e quan “syrgjynosoje” për t’iu pamundësuar mbrojtja në publik. Ndaj shprehet se nuk ka asnjë akuzë, pavarësisht se SPAK ka vijuar hetimet edhe gjatë kohës që ai ka qenë në paraburgim.
Zoti Meta, kanë kaluar më shumë se 3 muaj që ndodheni i arrestuar. Së pari si ka kaluar kjo periudhë në izolim për ju?
Ilir Meta: Përshëndetje Alba dhe urime për ju dhe stafin tuaj nga Qelia Nr.5.
Unë nuk jam arrestuar, por siç e ka parë i gjithë opinioni publik, jam rrëmbyer nga banditë me maska, të paidentifikuar, pa asnjë urdhër-arresti dhe jam futur forcërisht në një makinë me targa private.
Pra jam i rrëmbyer publikisht si askush në vendet e Këshillit të Europës apo të NATO- s.
Raste të tilla sigurisht ka patur në Bjellorusi, ku para pak ditësh, Lukashenko “triumfoi” për një mandat të 7 radhazi duke “garuar” me disa kandidatë kukulla tip 0.99 si këto partiçkat “opozitare” që krijon e rikrijon “ Rilindja “ këtu në çdo prag zgjedhjesh.
Edhe këtu meqënëse uzurpatori i gjithë pushteteve kërkon të “ fitojë” një mandat të katërt duke garuar me 0.99 e tij, urdhëroi rrëmbimin tim kriminal, siç urdhëroi arrestimin e z. Berisha para 14 muajve e së fundi edhe këtë masën absurde për paraqitjen e tij në SPAK- un që ka mbyllur hetimet.
Siç ka urdhëruar edhe burgosjen politike të Nënkryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Ervin Salianji, siç ka urdhëruar përndjekjen e Kryetarit të PR, z. Mediu, në kundërshtim me çdo parim të Shtetit të së Drejtës, siç ka urdhëruar publikisht dy ditë para zgjedhjeve vendore rrëmbimin e z. Fredi Beleri, e kështu me radhë.
Unë vërtet jam i izoluar në mënyrë ekstreme dhe po kështu jetoj në 12 metra katrorë qeli, por ndjehem edhe më i lirë se më parë e po kështu plot besim se e drejta dhe e vërteta do të triumfojë mbi padrejtësinë e Ramaformës që kërkon mandat të përjetshëm duke asgjesuar pluralizmin politik dhe zgjedhjet e lira, për të garantuar pandëshkueshmërinë e “Kryetarit të Organizatës” dhe Narkoregjimit.
A kanë qenë të vështira kontaktet me familjarët dhe bashkëpunëtorët në PL?
Ilir Meta: Unë takohem vetëm një herë në javë me familjarët e mi si të gjithë të paraburgosurit e tjerë dhe s’kam asnjë ankesë në këtë drejtim.
Por sigurisht që unë jam rrëmbyer këtu për të m’u pamundësuar ekstremisht mundësia e takimeve apo komunikimeve me bashkëpunëtorët e mi dhe të gjithë anëtarët e simpatizantët e Partisë së Lirisë.
Po kështu për të m’u pamundësuar edhe komunikimi i drejtpërdrejtë me ju dhe të gjithë gazetarët, analistët dhe qytetarët.
Unë jam “syrgjynosur” këtu për të m’u pamundësuar jo vetëm mbrojtja në publik ndaj të gjitha pseudo-akuzave, por mbi të gjitha për të shpalosur programin e mrekullueshëm dhe konkret të Partisë së Lirisë të 5 prioriteteve për 4 milionë shqiptarë plus.
Unë jam duke u mbajtur peng këtu sepse “Trekëndëshi i Nevadës”, Mckonigal-Rama-Dumani, duan të asgjësojnë totalisht bashkë me pluralizmin politik edhe sovranitetin e popullit shqiptar dhe çdo interes kombëtar të tij duke sorosifikuar çdo institucion të Shtetit dhe çdo qelizë të shoqërisë, përfshirë edhe shpërbërjen e familjes.
Pas marrjes në pyetje disa here kur ishit në Liri, jeni marrë në pyetje edhe njëherë nga prokurorët e Spak pas arrestimit. A ka detaje të reja për dosjen dhe akuzat që SPAK ka ngritur mbi ju?
Ilir Meta: Nuk ka asnjë provë apo fakt penal që ka të bëjë me Ilir Metën gjatë 32 viteve të shërbimit publik.
Nuk ekziston asnjë shkresë apo akt zyrtar nga Ilir Meta që ka dëmtuar një qindarkë buxhetin e shtetit apo që ka shkelur ligjin.
Ndërkohë që janë të shumta shkeljet e ligjit dhe favorizimet e paligjshme që uzurpatori i gjithë pushteteve ka kryer me firmën e tij, të cilat SPAK ka tmerr ti shikojë e jo më ti hetojë.
Mjafton firma e tij për ti dhënë bonusin kompanisë që ende nuk ishte krijuar, për të qenë i pandehur e jashtë zyrës së Kryeministrit.
Përveç 17 vendimeve të Qeverisë të miratuara brenda ditës për inceneratorët ndërkohë që ishte paralajmëruar me shkresë zyrtare nga Drejtori i tij i Prokurimeve se procedura ishte e paligjshme. Dhe dhjetëra raste të tjera.
Dëshmia e fundit e ish Zv. Kryeministrit Ahmetaj se ishte ky Kryetari i Organizatës ( Rama) që në 2017 e detyroi Kryebashkiakun Veliaj të uzurponte kompetencën ligjore të Këshillit Bashkiak të Tiranës, dhe me firmën e tij ti hapte rrugën inceneratorit që nuk ekziston, është dëshmia më e fortë publike se përse SPAK- u dhe Dumani u bënë 5 vite që nga krijimi i SPAK- ut që nuk e shohin këtë shkresë të paligjshme dhe me pasoja shumë të rënda financiare.
Sepse ajo është “de jure” firma e Veliajt por “de fakto” firma e Ramës, ndaj SPAK- u mbyll sytë para “krokodilit” dhe gjurmon me regji “ Harabelin” se te ky i fundit nuk cenohet padroni i Dumanit, Edi Rama.
Mos harroni edhe porosinë që i kishte dhënë Rama Veliajt, që bëje këtë pa e marrë vesh LSI. Sepse LSI kishte 12 Këshilltarë në Bashkinë e Tiranës dhe Kryetarin e Këshillit ndaj edhe u shmang paligjshmërisht Këshillit.
Në thirrjen e fundit nga SPAK jam ripyetur për çështjen e lobimeve të cilën e kam shteruar publikisht me kohë, se unë as kam firmosur për pagesa dhe as kam autorizuar njeri të bëjë veprime të paligjshme.
Po kështu çdo vendim është marrë në Kryesinë e LSI për lobimet për atë kohë që unë kam qenë Kryetar i saj.
Po kështu, siç e dini ju, askush nuk është dënuar në SHBA për veprime të paligjshme për llogari apo interes të Ilir Metës. Ndërsa për Edi Ramën janë dënuar të paktën dy persona.
I pari Bilali që e mori Edi Ramën si gruan e tij për ti bërë foto të paligjshme me Presidentin Obama dhe i dyti i ditur nga e gjithë bota, ish – drejtori i FBI, Carls Mckonigal, i cili po vuan dënimin pasi pranoi fajin dhe bëri marrëveshjen.
Por ndërsa i korruptuari po vuan dënimin atje, korruptuesi i tij këtej vazhdon të lavdërojë krijesën e tij SPAK – un që e ka mbyllur në kasafortë këtë dosje ku ka edhe plot Mckonigalë të tjerë.
A prisni që të keni një masë më lehtësuese para zgjedhjeve të 11 majit?
Ilir Meta: Nuk pres asnjë masë lehtësuese se e gjithë kjo maskaradë është sajuar për të bllokuar aktivitetin tim politik, sepse përndryshe do kishim një proces të rregullt ligjor dhe ju do më kishit në studio e të mi bënit pyetjet drejtpërdrejt dhe unë t’u përgjigjesha po ashtu.
A do të jeni si PL bashkë me PD, siç në fakt zoti Berisha e ka pohuar vetë edhe publikisht?
Ilir Meta: Partia e Lirisë do të jetë një opozitë e vërtetë gjithmonë dhe për këtë qëllim do të bashkëpunojë me PD në interes të mbrojtjes të pluralizmit politik, interesit Kombëtar e publik dhe rivendosjes së llogaridhënies.
Kush po i zhvillon negociatat me PD për zgjedhjet në emër të PL?
Ilir Meta: Në emër të PL, Sekretari i Përgjithshëm z. Tedi Blushi është i ngarkuar të ndjekë bashkëpunimin me opozitën si edhe Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar, z.Edmond Haxhinasto.
Ju a do të jeni në listën e PD-së për deputet?
Ilir Meta: Në çdo rast unë do të jem deputet i atyre që më kanë besuar e votuar që nga viti 2005 e në vazhdimësi.
Por objektivi im kryesor është përmbysja e Narkoregjimit ku Shteti jo vetëm është shkrirë me Partinë, siç e kanë pohuar edhe OSBE-ODIHR, por ku Shteti drejtohet nga një organizatë kriminale siç e dëshmoi me fakte edhe ish-zv. Kryeministri Ahmetaj.
Sa do tiu pengojë të qënit në arrest për fushatën e 11 majit? Kush do ta drejtojë fushatën e PL?
Ilir Meta: Është afërmendsh që arrestimi u bë për nevojë elektorale të organizatës kriminale për të më penguar mua si President i PL dhe vetë PL si forcë opozitare.
Por kjo situatë është vetëm motivuese për mua dhe PL për të luftuar me vendosmëri për t’iu rikthyer lirinë dhe dinjitetin të gjithë shqipatëve që vetëm fizikisht nuk janë në burg dhe që vetëm të lirë nuk ndihen në vendin e tyre, në punën e tyre, në biznesin e tyre dhe jetën e tyre.
11 Maji është një datë historike që i thërret të gjithë shqiptarët e ndershëm e patriotë të bashkojnë të gjitha përpjekjet në mënyrë që fëmijët e tyre të mos mbeten pa Atdhe apo që të mos ndihen të huaj e të shtypur në tokën e të parëve të tyre.
Partinë e Lirisë dhe fushatën e saj e drejtoj unë si President i zgjedhur i saj në Prillin e kaluar në bashkëpunim me të gjithë kolegët dhe forumet e saj.
Po kështu programi ynë është është bërë publik që në 27 Prill 2024. Gjithashtu kriteret për kandidatët për deputetë janë miratuar në mënyrën më transparente nga Komiteti Drejtues Kombëtar dhe secili do vlerësohet sipas performancës në këtë betejë vendimtare me Narkoregjimin.
A keni një numër deputetësh që e prisni pas këtyre zgjedhjeve?
Ilir Meta: Objektivi kryesor është fitorja e Opozitës dhe padyshim që përfaqësimi i PL- së do të jetë shumë dinjitoz.
Me arrestimin tuaj a ka pasur problem në parti? Ua bej kete pyetje pasi disa prej figurave të PL nuk janë më aktivë në këto muaj, madje disa prej tyre nuk ishin me as ne protestën që u organizuar për ju para SPAK?
Ilir Meta: Ata që shkojnë “fshehurazi” te SPAK- u dhe zyrat e regjimit nuk janë njerëz të lirë për fajet dhe karakterin e tyre dhe nuk e dëmtojnë dot Partinë e Lirisë.