Politikë

RRËFIMI I JAVËS për Liberale/ Bilal Kola: Jeta ime nga kampet e përqendrimit komunist te paneli i "TEDx New York"

Shkruar nga Liberale

RRËFIMI I JAVËS për Liberale/ Bilal Kola: Jeta ime nga kampet e

Intervistoi Aranit Muraçi

Dr. Bilal Kola është një trajner biznesi dhe jete, avokat ndërkombëtar i biznesit me një udhëtim të jashtëzakonshëm nga një kamp përqendrimi komunist në Shqipëri drejt suksesit global. I lindur në një persekutim sistemik, ai kapërceu vështirësi të mëdha, duke siguruar një bursë juridike në Angli dhe duke ndërtuar një karrierë të shquar në të drejtën e korporatave, lidership dhe zhvillim personal. Me një doktoraturë në Lidership Strategjik dhe dekada përvojë në drejtësi, qeverisje dhe trajnim ekzekutiv, Dr. Kola aktualisht  fuqizon sipërmarrësit, drejtuesit dhe udhëheqësit e korporatave në të gjithë botën. Autor i bestseller-it të librit "12 mentalitete për të Përmirësuar Jetën Radically", ai ofron trajnime transformuese, duke frymëzuar individët të përqafojnë sfidat si mundësi për rritje dhe sukses. Fjalimi i tij brilant u mbajt në një event TEDx duke përdorur formatin e konferencës TED, por të organizuar në mënyrë të pavarur nga një komunitet lokal. Bilal Kola i ftuar në një intervistë për Liberale jep një pasqyrë mbi suksesin e tij. Ai kapërceu vështirësitë për të arritur sukses global në drejtësi, trajnim, të folurit në publik dhe si autor bestseller. Transformimi i tij filloi me një ndryshim të mentalitetit; nga viktimizimi në fuqizim, i nxitur nga librat që e mësuan të pranonte atë që nuk mund ta ndryshonte dhe të punonte për të ndryshuar atë që mundte. Ai nxjerr në pah katër mentalitete themelore që e udhëhoqën udhëtimin e tij: "Prano gjithçka që nuk mund ta ndryshoj dhe ndrysho gjithçka që mundem" - duke lënë mënjanë mentalitetin e viktimës dhe duke rimarrë kontrollin mbi rritjen personale dhe njohuritë. "Fal, por mos harro" - i frymëzuar nga babai i tij, i cili zgjodhi paqen e brendshme mbi urrejtjen pavarësisht dekadave të padrejtësisë dhe torturës. "Amor Fati"; një mentalitet i dashurisë dhe përqafimit të të gjitha pjesëve të jetës, madje edhe atyre të dhimbshme, sepse ato formësojnë rritjen dhe mirënjohjen. "Çdo dështim është një trampolinë drejt suksesit"; duke pranuar se pengesat nuk janë fundi, por pjesë e udhëtimit drejt arritjes.


Z. Bilal, përgëzime për nismën tuaj të shkëlqyer “Si t’i kthejmë sfidat në mundësi” gjatë prezantimit ne TEDx ne New York, e cila është platforma me prestigjoze në rang global në lidhje me prezantimet në publik. Një oratori brilante, mesazhi po ashtu. Si ju lindi dhe u krijua kjo ide?

Ju faleminderit për interesin dhe konstatimet tuaja në lidhje me prezantimin tim në TEDx New York. Prezantimi im në TEDx New York ka si pikënisje librin tim në zhanrin e zhvillimit profesional dhe personal “12 MENTALITETE Për Të Përmirësuar në Mënyrë Radikale Cilësinë e Jetës”, i cili pas botimit në Anglisht ka fituar statusin “bestseller” në Amazon.com. Pikërisht ky fakt, si dhe prezantime të ndryshme që kam kryer në funksion të promovimit të librit me ftesa nga organizata prestigjoze në Londër, Amsterdam, Dubai disa herë, Bukuresht, Tiranë, Prishtinë etj, ndikuan te marrja e ftesës për të bërë prezantimin në TEDx New York. Gjithashtu me interes për organizatorët e TEDx New York ishte fakti se në jetën time ka ndodhur një kapërcim jo i vogël, duke përjetuar si fillim disavantazhe shumë të mëdha në jetë, e më pas duke arritur sukses në nivele ndërkombëtare. Kjo, pasi u linda dhe rrita në 1 kamp internimi në Shqipëri dhe sot jam trajner biznesi i akredituar ndërkombëtarisht dhe përfaqësoj për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor FocalPoint Brian Tracy, organizatën më të madhe në nivel global për trajnimet e biznesit. Të gjitha këto së bashku, bënë të mundur marrjen e ftesës nga TEDx New York, për të ndarë me audiencën e tyre prej më shumë se 43 milionë abonentësh disa përvoja nga jeta ime personale dhe profesionale.

Z. Bilal, ju keni lindur dhe jeni rritur ne 1 kamp internimi të regjimit komunist. Nisur nga begraundi juaj personal dhe profesional a mendoni se do të ishte me shumë vend që të kishit ndjekur rrugën politike. E djathta ka më shumë se kurrë nevojë për njerëz të vërtetë që mund ta përfaqësojnë atë denjësisht. Por duket se ka një kontradiksion përfaqësimi dhe Kuvendi në këto 34 vite e provon një gjë të tillë. A ndani të njëjtin mendim?

Pyetje interesante. Interesi për politikën – si mekanizmi më i rëndësishëm që njëkohësisht ka potencialin të shkatërrojë ose përmirësojë jetën njerëzore – më ka shoqëruar gjatë gjithë fëmijërisë, rinisë time dhe deri para disa vitesh. Kështu që, sapo mbarova studimet e larta në Angli u ktheva në Shqipëri me dëshirën për të dhënë kontributin tim për njerëzit dhe vendin tim. Kam tentuar dy herë – duke krijuar dhe drejtuar një subjekt politik me program dhe përfaqësim tipikisht të djathtë – për t’u përfaqësuar në Parlament. Por, tentativat e mia për të dhënë kontributin tim në politikë nuk rezultuan me sukses pasi përfaqësimi në parlament është faktikisht dhe strukturalisht i monopolizuar. Ambicia ime parësore në jetën profesionale është të vë në dispozicion aftësitë dhe dijen time profesionale për të patur një ndikim pozitiv në jetën e të tjerëve dhe në komunitet. Duke qenë se nëpërmjet politikës nuk munda ta realizoj këtë objektiv, kam zgjedhur këtë rrugë ku si trajner për biznesin kontribuoj me pasion, profesionalizëm dhe përkushtim për zhvillimin profesional të shumë shqiptarëve dhe të huajve nga vende të ndryshme të botës.

E djathta, sërish pësoi disfatë në zgjedhjet e 11 majit. A vazhdon të mos ketë ajo përfaqësimin që meriton dhe a është reflektim i gjendjes ku ajo ndodhet sot?

Se pari, me mirësjellje ju them se unë jo vetëm nuk ndaj me ju konstatimin ‘që e Djathta ka humbur zgjedhjet e 11 Majit’, por jam i bindur që e Djathta nuk ka humbur asnjë pale zgjedhje (theksoj zgjedhje, jo votime) në Shqipëri, në të gjithë historinë politike të Shqipërisë. Përpara se ta artikuloj këtë, me lejo të lutem të ndaj me ju atë që ndaj me miqtë e mi kur thonë pak a shumë të njëjtën gjë që keni ngritur si pyetje. Unë i kujtoj atyre një paisazh fantastik nga një komunikim që Ronald Regan ka patur me një vajzë të vogël. Vajza e vogël i thotë Presidentit Regan që ajo dëshironte të ndihmonte të pastrehët, por nuk kishte para mjaftueshëm. Presidenti i thotë vajzës së vogël se ai me kënaqësi mund t’i ofronte asaj një mundësi për t’i ndihmuar të pastrehët. Ajo thjesht duhet t’u merrte leje prindërve të vinte në Shtëpinë e Bardhë dhe të priste barin. Pastaj, paratë që do fitonte mund t’ia dhuronte të pastehëve. Vajza e vogël, pasi e mendoi pak këtë propozim ‘kreativ’ të Presidentit, i thotë këtij të fundit – “Mos do të ishte më mirë që të bindnim të pastrehët për të ardhur dhe prerë barin në Shtëpinë e Bardhë?”. Presidenti buzagaz ia ktheu – “Mirëse-erdhe në  Partine Republikane vajzë e zgjuar”.

Tani, unë do inkurajoja gazetën tuaj të bënte një sondim të opinionit publik, duke i bërë këtë pyetje të sonduarve: Midis dy alternativave: 1. Të punoni dhe t’ia dhuroni paratë një personi të pastrehë, i cili nuk ka asnjë pa-aftësi fizike ose mendore; ose 2. Të bindi, me mirësi, personin e pastrehë për të punuar; Cilin opsion do të zgjidhnit? Nëse ju duket me interes ta bëni një sondim për një pyetje retorike të tillë, e vlerësoni ju. Por, qëndrimi im në raport me kontributin në komunitet me pak fjalë është ky:

T’i dhurosh një peshk dikujt në nevojë, është empati dhe vlerë e padiskutueshme njerëzore. Ndërsa, më mirësi t’i ofrosh mundësinë dikujt dhe ta mësosh atë si të bëhet peshkatar, është vlerë imperative për kohezionin dhe zhvillimin shoqëror. Pikërisht kjo vlerë – vlera e krijimit të mundësive me mirësi – është quintesenca e së Djathtës, që fatkeqësisht në Shqipëri nuk ekziston. Identikti i shqiptarëve është mishërim tipik i karakteristikave të së Djathtës. Dija empirike është e pakontestueshme se shqiptarët ndër shekuj janë shquar për iniciativë, kreativitet, individualitet, zhvillim personal dhe profesional, ndërmarrës risku me shpirt sipërmarrësi. Pikërisht këto karakteristika e bëjnë shqiptarin klasik me prirje qartësisht të Djathtë. Duke thënë këtë, dëshiroj të sqaroj se ata që sot kane flamurin e së Djathtës dhe që humben keqazi zgjedhjet, janë thjesht një vajtim kombëtar që nuk përfaqësojnë asgjë nga vlerat e së Djathtës. E Djathta është progres duke u bazuar te liria, kreativiteti dhe eskpancionizmi, fatkeqësisht ata që sot kanë flamurin e saj përfaqësojnë regresin, duke sunduar ‘parcelën’ e tyre me përjashtimin, shterpësinë e ideve dhe izolacionizmin. Unë njoh shumë shqiptarë fantastikë me origjinë të Majtë, por që janë tipikisht me prirje të Djathtë dhe nëse ndonjëherë ata do të kishin një ofertë politike të së Djathtës popullore, të përfaqësuar nga njerëz (pa iu bërë atyre biografinë nëse vijnë nga origjina e djathtë apo e majtë) me ide, integritet, profesionalizëm, vizion dhe përkushtueshmëri për Shqipërinë dhe shqiptarët – ata qartësisht do votonin te Djathtën.   

Shihni shpresë për rigjallërimin e së djathtës në katër vitet e ardhshme dhe nëse po çfarë shihni si një rrugëzgjidhje ideale?

Fatkeqësisht jo, për sa kohë flamurin e së Djathtës do ta mbajnë ata që nuk përfaqësojnë asnjë vlerë të saj. E vetmja rrugëzgjidhje reale për të Djathtën është një “Clean-Break” (fillim nga e para).

A megjithatë mendoni se Shqipëria sot është një vend i denjë për t’u rreshtuar krahas vendeve demokratike dhe nëse po, meritë e kujt është kjo?

Shqipëria dhe shqiptarët kanë patur historikisht vokacion perëndimor. Shqipëria sot - si pasojë e shpirtit të iniciativës, kurajos, vendosmërisë dhe kreativitetit që karakterizon shumicën e popullit shqiptar - është një vend mëse i denjë për t’u bërë pjesë e familjes Europiane, së cilës i përkasim shpirtërisht po aq sa dhe gjeografikisht.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH